Opinion11 Oct 2019

“Sulltani” i Turqisë bashkon në admirim liderët armiqësorë të Ballkanit

Vizita e fundit në Serbi e presidentit Erdogan tregoi sesa i aftë është ai të bashkojë në të njëjtën tryezë të rrumbullakët liderët e Ballkanit që nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, por nuk dihet ende edhe për sa kohë do të munde ta vazhdojë ai këtë akt.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/ Recep Tayyip Erdogan.

Kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vizitoi Serbinë më 7-8 tetor, disa liderë të Ballkanit që zakonisht janë në konflikt të hidhur me njëri-tjetrin u dukën të lumtur që po e përshëndesnin.

Vëzhguesit pas vizitës së tij të fundit pyesin se si Erdogan kishte arritur të mblidhte kaq shumë liderë lokalë të konfliktuar në të njëjtën tryezë.

Për disa, kjo të sillte ndërmend kujtime të ditës kur Sulltani osman nisej nga Kostandinopoja me një kalë të bardhë për të vizituar territoret e tij përreth dhe për të takuar zotërinjtë dhe vasalët vendas, duke ofruar shumë para dhe premtime në të njëjtën kohë.

Sulltani i Turqisë moderne, presidenti Erdogan, nuk mbërriti me kalë të bardhë, por ai hapi gjashtë fabrika të reja në Serbi, i shoqëruar nga rreth 100 biznesmenë turq dhe si lideri turk ashtu edhe si serb u zotuan të rritnin tregtinë midis dy vendeve të tyre.

Ankaraja e sheh Serbinë si një pikë kyçe në rajon

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, shtator 2018. Foto/Darko Vojinovic.

Një dekadë më parë, në vitin 2008, vëllimi vjetor i tregtisë midis Serbisë dhe Turqisë ishte me vlerë vetëm rreth 340 milionë dollarë amerikanë.

Në ditët e sotme, sipas qeverisë turke, vëllimi i tregtisë është rritur në 1.2 miliardë dollarë amerikanë. Investimet e huaja direkte të Turqisë në Serbi, pothuajse zero një dekadë më parë, i kanë kapërcyer në rreth 200 milionë dollarë amerikanë.

Erdogan dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç njoftuan se ata synojnë të rrisin vëllimin e tyre të tregtisë në 5 miliard dollarë amerikanë në të ardhme, ndërsa investimet turke në Serbi do të vazhdojnë.

Më e çuditshmja është se të dy liderët konfirmuan se Turqia gjithashtu do t’i shesë armë Serbisë.

Vuçiç dhe Erdogan kanë një mirëkuptim të qartë përsa i përket marrëdhënieve të tyre dypalëshe dhe të nevojës për të përmirësuar lidhjet ekonomike dhe për të harruar plagët e lashta të dy kombeve.

Perandoria Osmane e sundoi Serbinë për disa shekuj. Por, pavarësisht atij konflikti historik, Turqia tani e sheh Serbinë si një vend kyç për interesat e saj në Ballkan. Lidershipi turk beson se pasja e Serbisë në anën e tyre do të forcojë paqen dhe stabilitetin në rajon.

Për më tepër, të dy liderët kanë shumë ngjashmëri kur bëhet fjalë për stilet e tyre autoritare të qeverisjes dhe dashurinë për projekte të mëdha ndërtimi si dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-në dhe lidhjet e ngrohta me Rusinë.

Ndërsa Serbia është një aleate tradicionale e Rusisë, Turqia, edhe pse është anëtare e NATO-s, gjithashtu po zhvendoset drejt Rusisë për disa arsye, duke shqetësuar aleatët e saj perëndimorë.

Autokratët e Ballkanit e shohin Erdoganin si model

Bakir Izetbegoviç, kryetari i SDA . Foto: Friends of Europe/Flickr

Ndërsa fokusi i Turqisë te Serbia mund të pritet të shkaktojë tension me liderët e tjerë rajonal, kjo nuk u duk aspak gjatë vizitës së Erdoganit në Serbi.

Sulltani modern është tepër i aftë t’i bëjë të gjithë të ndihen komod. Bakir Izetbegovic, ish-anëtari boshnjak i presidencës shtetërore të Bosnjës dhe drejtues i partisë së tij kryesore boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, SDA, ka nevojë për mbështetjen e Erdoganit për të ruajtur pozicionin dhe pushtetin e tij në Bosnje.

Politikani i preferuar i Erdoganit në Bosnje ka përdorur mbështetjen bujare të institucioneve të shtetit turk për aktivitete dhe fushata të ndryshme, përfshirë restaurimin e monumenteve boshnjake, kredi me interes zero nga Banka Ziraat Turke dhe mbështetje nga Agjencia Anadolu në gjuhën boshnjake dhe media të tjera të financuara nga Turqia.

Anëtari aktual boshnjak i presidencës së Bosnjës, Sefik Dzaferoviç, ndjek nga afër Izetbegoviçin dhe drejtimet e tij politike, i vetëdijshëm se ai është i caktuari i tij.

Izetbegoviç dhe bashkëpunëtorët e tij synojnë gjithashtu një lidership të fortë të tipit të Erdoganit, në të cilën të gjithë ndjekin pa diskutim liderin karizmatik. Në realitet, Izetbegoviç nuk ka karizëm apo pushtet për të pasur një rol të tillë, por Sulltani gjithmonë u ofron iluzione admiruesve të tij.

Armiku i tij, fajkoi serb i Bosnjës Milorad Dodik, anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, gjithashtu dukej i lumtur të ulej në tryezën e Erdoganit.

Ai do të vazhdojë ta bëjë këtë për sa kohë që mbikëqyrësi i tij serb, presidenti Vuçiç, ka marrëdhënie të mira me Erdoganin dhe për sa kohë që investimet turke vijnë edhe në entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska.

Pas diskutimeve, në fakt u ra dakord që projekti i autostradës Beograd-Sarajevë i sponsorizuar nga Turqia do të kishte dy rrugë në Bosnje, njëra prej të cilave do të kalojë në Republikën Srpska.

Ende nuk është e qartë se kur do të përfundohet pjesa boshnjake e kësaj autostradë, por projekti ka rëndësi të madhe për lidhjen dhe investimet e rajonit, të cilat varen nga një infrastrukturë më e mirë.

Dodik di gjithashtu se si të tërheqë para, ashtu si Vuçiç. Një sërë kompanish turke që operojnë në entitetin tjetër të Bosnjës, Federata me shumicë kroate dhe boshnjake, i kanë zhvendosur operacionet në Republikën Srpska, ku burokracia është më pak e ngurtë. Dodik ofron stimuj për këtë dhe ai dhe politikanët e tjerë vendas e mirëpresin biznesin turk.

Milorad Dodik. Foto: Anadolu.

Mirësjellja e Serbisë shkakton kritika

Por ndërsa Erdogani ka admirues të shumtë në Ballkan, jo të gjithë janë të lumtur për miqësinë e tij në rritje me Serbinë.

Në rajonin jugperëndim të Sanxhakut të Serbisë, shumica e popullsisë boshnjake është e zemëruar që asnjë nga fabrikat e reja që hapen në Serbi nuk është në Sanxhak.

Erdogani ka ndarë gjithashtu edhe mendimin mysliman në Serbi. Në Beograd, ai mori pjesë në një ceremoni në xhaminë e vetme të Beogradit, Bajraklija, e cila drejtohet nga Komuniteti Islam i Serbisë i mbështetur nga Beogradi. Por shumë boshnjakë janë dyshues për këtë organizatë, duke e parë atë si krahun e gjatë të Beogradit në mesin e myslimanëve të Serbisë.

Shumë myslimanë të zakonshëm në Bosnje, Sanxhak, Kosovë apo Shqipëri, ndryshe nga liderët e tyre, gjithashtu e vënë në pikëpyetje politikën e Erdoganit në Ballkan. “Ai sjell para në Serbi, por thjesht u thotë vetëm një ‘Selam” vëllezërve të tij myslimanë,” është një shprehje popullore. “Erdogani u jep fabrika serbëve, por xhami myslimanëve,” është një shprehje tjetër.

Lidershipi i Sanxhakut preferon të heshtë ose të mos e shprehë kritikën e tij, fillimisht për shkak të popullaritetit të përgjithshëm të Erdoganit dhe gjithashtu sepse një tjetër rrugë automobilistike midis Novi Pazarit në Sanxhak dhe Uzices në Serbi do të lidh rajonin e tyre të izoluar me vendet e tjera të rajonit.

Por marrëveshja e re midis Beogradit dhe Ankarasë për shitjen e armëve është një tjetër gjë e vështirë për shumë myslimanë të Ballkanit. Çuditërisht, mediat në rajon edhe në Turqi, kryesisht e kanë shmangur mbulimin e kësaj çështje.

Për të shmangur kritikat e tilla, Ankaraja duhet të shpjegojë më mirë politikat e saj në rajon, thonë ekspertët, ose shqetësimet për rolin e Turqisë do të rriten midis myslimanëve të Ballkanit, të cilët ofrojnë bazën kryesore për angazhimin politik të Turqisë në rajon.

Në dy dekadat e fundit, Turqia është bërë një faktor i rëndësishëm në Ballkan dhe duket se është e vendosur ta zhvillojë këtë rol, edhe pse marrëdhëniet e saj me Perëndimin nuk janë aspak të mira. Rënia e fuqisë normative të BE dhe zbehja e perspektivave të zgjerimit të BE-së në Ballkan, të dyja rrisin hapësirën e Erdoganit për manovrim në rajon.

Problemi për të dhe për Turqinë është se politikat e tij në Ballkan kanë një cilësi ad hoc, në vend që të ngjajnë si angazhime strategjike afatgjata.

Liderët e Ballkanit do të vazhdojnë të favorizojnë Erdoganin për sa kohë që lideri turk siguron investime, mbështetje politike dhe shmang hapjen e plagëve të ndjeshme historike.

Por me një ekonomi të shkatërruar dhe me kërcënime në rritje për regjimin e tij brenda dhe jashtë vendit, nuk është e qartë se sa kohë Sulltani modern i ditëve të sotme do të jetë në gjendje të vazhdojë t’i sigurojë ato.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.