Dhunimi nga persona të panjohur i gazetarit Parim Olluri është dënuar nga zyrtarët dhe partitë politike në Kosovë, ndërkohë që cilësohet si një akt që ka për qëllimin frikësimin e gazetarëve nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Parim Olluri, drejtor i gazetës online “Insajderi” u sulmua mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Bajram Kelmendi” të Prishtinës dhe u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente. Në momentin e dhunimit ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja.
KALLXO.com raportoi se policia e Kosovës po e heton ngjarjen, e cila është konsideruar një përpjekje për frikësimin e gazetarëve nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është një lajm i tmerrshëm. Ne kërkojme nga organet e sigurisë që ta hetojnë sa më parë këtë rast dhe kryesit e aktit kriminal të dalin para drejtësisë”, tha kryetari i Asociacionit, Shkëlqim Hysenaj.
“Sulmi ndaj kolegut Olluri ka për qëllim frikësimin e gazetarëve dhe prek rëndë parimet e Lirisë së Mediave dhe Gazetarëve”, shtoi ai.
Sulmi i dhunshëm ndaj Ollurit, i cili njihet për investigimet e tij në çështjet e korrupsionit shkaktoi reagime të forta në rrjetet sociale dhe u dënua gjerësisht nga zyrtarët e lartë dhe partitë politike në Kosovë.
Përmes një postimi në “Facebook”, presidenti Hashim Thaçi e cilësoi sulmin të patolerueshëm dhe kërkoi hetime të shpejta dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë.
“Sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është i patolerueshëm në shtetin të cilin e kemi ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shprehjes së lire,” shtoi Thaçi.
Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa e quajti aktin “të ulët, të papranueshëm dhe të dënueshëm” dhe shprehu besimin se organet shtetërore do të çojnë autorët para drejtësisë.
Zbardhjen e rastit të sulmit ndaj gazetarit Parim Olluri e ka kërkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Sulmi ndaj gazetarëve është i papranueshëm e patolerueshëm. Lajme të tilla, sikur ky për sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri, që tregon edhe për cenim të shprehjes së lirë dhe sigurisë fizike të gazetarëve, na lëndojnë të gjithëve”, thekson Vetëvendosje në një komunikatë.