Ditën e hënë policia arrestoi një 34-vjeçar që dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor pasi ky i fundit hyri në një xhami në Tiranë dhe plagosi me thikë pesë persona.
Policia shqiptare tha të hënën se pas faljes së pasdites, një person hyri në xhaminë në Rrugn e Kavajës në Tiranë dhe sulmoi me thikë pesë persona.
“Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një qytetar hyri në mjediset e një Xhaminë Dine Hoxha dhe në rrethana ende të paqarta plagosi pesë shtetas me një mjet të mprehtë”, tha policia në një njoftim për shtyp.
I dyshuari, i identifikuar si R.N., 34 vjeç, nga Burrel, është nën arrest dhe të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Duke cituar burime policore, mediat lokale raportuan se personi që kreu sulmin kishte vuajtur nga depresioni. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia për një tjetër incident me thikë në mars.
Një imam e dënoi atë që ai e quajti “një akt barbar”, por tha: “Situata tani është nën kontroll dhe nuk ka asgjë për t'u shqetësuar” në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale.
“I lutem Allahut të madh të shërojë njerëzit tanë të plagosur. Shpresoj të mos ketë qenë një akt terrorist. Shpresoj të ketë qenë ndonjë njeri me të meta mendore”, shtoi ai.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, tha se ai po kërkonte ende sqarimin e kësaj ngjarjeje. “Ne i kërkojmë organeve përkatëse të sqarojnë sa më shpejt që të jetë e mundur këtë ngjarje që ka lënduar besimtarët gjatë këtyre ditëve të Ramazanit”, tha ai.