Lajm29 Aug 2016

Sulmi ndaj kryeministrit serb në Srebrenicë “ende nën hetim”

Ndryshe nga pretendimet e palës serbe, hetimi për personat që dyshohet se sulmuan kryeministrin Aleksandër Vuçiç në përkujtimoren e Srebrenicës në vitin 2015 vazhdon ende, u shpreh kryetari i Srebrenicës.

Autor: Sasa Dragojlo BIRN Beograd
Printo

Vuçiç duke iu larguar sulmit në Srebrenicë. Foto: Beta/Borut Zivulovic/EV.

Vuçiç duke iu larguar sulmit në Srebrenicë. Foto: Beta/Borut Zivulovic/EV.

Kryetari i komunës së Srebrenicës, Camil Durakoviç, tha të hënën se edhe pse hetimi për një nga autorët e dyshuar të sulmit të vitit të kaluar ndaj Vuçiçit është pezulluar, çështja kundër tre të tjerëve vazhdon, ndryshe nga akuzat nga ana e zyrtarëve serbë.

“Hetimi ndaj një personi është pezulluar, por nuk është hedhur poshtë. Ata po reagojnë politikisht ndaj vendimeve të prokurorisë,” tha Durakoviç për stacionin televiziv rajonal N1.

Komentet e tij erdhën pasi ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiç, reagoi me zemërim për lajmërimin e javës së fundit nga prokurorët shtetërorë boshnjakë se ata kishin pezulluar hetimin për një nga katër të dyshuarit, Almir Merdiç.

Daçiç i akuzoi autoritetet boshnjake se po mbronin sulmuesit që i gjuajtën me shishe dhe gurë Vuçiçit në përkujtimoren e korrikut të kaluar me rastin e 20 vjetorit të masakrave të Srebrenicës në qendrën përkujtimore në Potocari.

“Për një vit me radhë ata nuk bënë asgjë për të zbuluar sulmuesit dhe organizatorët, por bënë gjithçka për t’i mbrojtur ata,” tha Daçiç të shtunën.

Sadik Ahmetoviç, një deputet në Dhomën e Përfaqësuesve të Bosnjës, tha se deklarata e Daçiç ishte e keqe për “paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Por ai sulmoi gjithashtu Vuçiçin, i cili në prag të përkujtimores kundërshtoi një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, e cila i përkufizonte masakrat e Srebrenicës si gjenocid dhe tha se ish-komandanti boshnjak i kohës së luftës Naser Oriç duhej të ekstradohej në Serbi pasi u arrestua në Zvicër, sepse ai kreu një krim lufte kundër serbëve në vitet 1990.

“Aleksandër Vuçi sulmoi veten në Potocari, sepse grupet e njerëzve reaguan dhe askush s’mund ta kontrollonte këtë për shkak të deklaratave të mëparshme të Vuçiçit për një rezolutë të OKB-së për Srebrenicën, arrestimin e Naser Oriç në Zvicër dhe shumë gjëra të tjera,” tha Ahmetoviç të shtunën.

Daçiç reagoi duke kritikuar komentet e Ahmetoviçit.

“Deklarata e bërë nga Sadik Ahmetoviç se kryeministri serb Aleksandër Vuçiç kishte faj dhe se ai e sulmoi vetë veten përmbledh politikanët boshnjakë në Bosnjë dhe Hercegovinë,” tha Daçiç në një deklaratë, raportoi të dielën agjencia e lajmeve Beta.