Opinion18 Mar 2016

Sulmi prej qeni të egër i tablloidit serb i shërben personave të fuqishëm

A ndihmuan shërbimet sekrete dhe autoritetet vendase një gazetë serbe të hidhte baltë mbi organizatën e pavarur të raportimit investigativ KRIK në një fushatë njollosjeje për të ndaluar zbulimin e shkeljeve të qeverisë së Serbisë?

Autor: Drew Sullivan
Printo

Drew Sullivan

Drew Sullivan

Jo pa qëllim, “Investigimi”  më i fundit në tablloidi serb Informer është prezantuar si një hetim në një konspiracion të dyshuar për rrëzimin e qeverisë së Serbisë. Agjentë të mafias dhe qeveri të huaja po shtiren si gazetarë jo-fitimprurës për të njollosur një kryeministër që punon shumë dhe që është progresiv. Gazetarët sypatrembur të Informerit madje kuptuan komplotin, që e shpjeguan me durim te lexuesit – gazetarët e ligë po përpiqeshin të tregonin se kryeministri kishte grumbulluar një portofol të madh pronash të paluajtshme në Beograd, të cilat ai i fshehu në emër të kushërinjve.

Për syrin e stërvitur, shkrimi i Informer është propagandë qesharake projektuar për të pakësuar ndikimin që ka zbulimi i një tjetër shkeljeje nga qeveria serbe prej KRIK.rs, BIRN dhe OJF-ve të tjera. Por duke parë më thellë, ka diçka edhe më ogurzezë dhe mund të tregojë se qeveria serbe po kryen krime të rënda ndaj njerëzve për të siguruar jetëgjatësinë e saj.

Lidhjet e Informer me kryeministrin Aleksandër Vuçiç janë të mirënjohura. Pronari dhe redaktori i tabloidit, Dragan Vuçiçeviç dhe Vuçiç e quajnë njëri-tjetrin miq dhe Vuçiç ka thënë se gazeta e mbështet atë. Informer ka qenë një sahanlëpirës dhe një qen sulmues për kryeministrin, duke përgojuar çdo media që guxon të përmendë problemet e Vuçiç.

Që kur u themelua verën e shkuar, KRIK ka dominuar faqe e tabloidit, me akuza të përsëritura të mafias dhe lidhjeve me agjencitë e huaja të inteligjencës, përfshirë pretendimet ndaj këtij autori dhe organizatës sime, Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Por më e fundit e serive të historive është akoma më e frikshme për një arsye tjetër.

Ndërsa historitë e sulmit të Informer në të shkuarën kanë qenë në thelb boshe, akuza anonime, më e fundit kishte informacion mjaft shqetësues që duket se vjen nga burime të inteligjencës shtetërore ose autoriteteve ligjzbatuese.

Së pari, artikulli i publikuar të enjten identifikoi historinë me të cilën KRIK po punonte – hetimin e dyshimeve se kryeministri kishte prona të paluajtshme fshehur në emër të familjes. Nuk ka gjasa që Informer, njohur kryesisht si gazetari përtace, e pabazuar dhe e shkujdesur të mund të zbulonte se çfarë po bënte KRIK.

Artikulli gjithashtu përmbante foto mbikëqyrjeje të Stevan Dojcinoviç, redaktor i KRIK, duke diskutuar me njerëz me të shkuar kriminale, siç ai bën zakonisht. Artikulli thoshte se ai punon për to.

Një artikull i dytë të premten liston një numër burimesh inteligjence dhe të tjera me të cilat Dojcinoviç dyshohet se ka folur dhe i ka pyetur. Informacioni, nëse është i vërtetë, do të mund të mblidhej vetëm përmes përgjimeve ose nga BIA, organizata serbe e inteligjencës.

Nëse është fals, është projektuar për të dekurajuar burimet që të mos flasin me Dojcinoviç dhe për të paralizuar raportimin e tij.

Në të dyja rastet, përse do të ndihmonin autoritetet apo BIA Informerin nëse nuk do të ishin vepruar në interes të kryeministrit dhe të përdornin burimet shtetërore për këtë? Duket se është një përpjekje e rëndë për të penguar më parë raportimin duke përdorur burimet shtetërore për të ndaluar mbledhjen e informacionit nga një media e lirë dhe e hapur. Gjithashtu e vë Dojcinoviçin dhe këdo me të cilin ai flet në rrezik.

Nga një pikëpamje gazetarie, sjellja e Informer është neglizhencë kriminale.

Së pari, duhet të provohet gjithçka nga pikëpamja gazetareske. Dojcinoviç, siç bën çdo gazetar tjetër i mirë, flet me policinë, kriminelët, agjentët e inteligjencës dhe këdo që mund ta ndihmojë të kuptojë më mirë se çfarë po ndodh në botë. Cila është shkelja këtu? Nuk ka prova se KRIK po e minon shtetin.

Por nëse Informeri është në fakt një agjent që bën punën e pistë të qeverisë, kjo ka më shumë kuptim dhe ka pasoja të rënda për Serbinë.

KRIK ka ekzaminuar akuzat se njerëz pranë Vuçiçit kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, ka raportuar mbi polemikat e lidhjeve të dyshuara të ministrit të shëndetësisë me botën e fshehtë të krimit, ka zbuluar apartamente të blera nga i përkëdheluri i Vuciç, kryebashkiaku Sinisa Mali dhe ka publikuar video të takimit të ministrit të jashtëm me një lord droge të dënuar.

Këto hetime kanë sjellë sulme të fuqishme nga Informer, por pa asnjë informacion të dobishëm. Por kur KRIK guxoi të vëzhgonte Vuçiçin dhe familjen e tij, u sulmua menjëherë duke përdorur ato që mund të jenë të dhëna të mbledhura nga qeveria. Mund të jetë Vuçiç që po e përdor fuqinë e shtetit në përpjekje për të shtypur median e pavarur që po sheh nga afër akuzat e korrupsionit.

Kjo sjellje është e ngjashme me veprimet e Erdoganit në Turqi dhe Putinit në Rusi. Nëse qeveria e Vuçiç ia bën këtë medias që e investigon, çfarë tjetër është në gjendje të bëjë? Dhe përse është kaq e shqetësuar rreth punës së KRIK?

Duket se historitë e kërkuara me kujdes të KRIK mbi korrupsionin mund të jenë vetëm maja e ajsbergut.