Lajm15 Oct 2019

Takimi në Luksemburg mbyllet pa marrëveshje për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Me votën kundër të Francës dhe disa vende hezituese, hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pret një shans të fundit nga mbledhja e Këshillit Europian më 17 dhe 18 tetor.   

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Ministrja e Finlandës, Tytti Tuppurainen dhe komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian nuk arritën një marrëveshje të martën në Luksemburg për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke i lënë të dy vendet sërish në listë pritjeje.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, ministrja finlandeze për çështjet europiane, Tytti Tuppurainen dhe komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn shprehën keqardhjen për mungesën e një vendimi unanim, ndërsa u bënë thirrje liderëve të shteteve që të marrin vendimin e duhur politik në mbledhjen që pritet të zhvillohet më 17 dhe 18 tetor.

“Propozimi ynë ishte që t’u thonim po Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por fatkeqësisht ishin disa vende anëtare hezituese dhe veçanërisht një vend kundër. Ne eksploruam të gjitha mundësitë, përfshirë edhe ndarjen e shteteve bazuar mbi meritën e tyre, por edhe kjo mundësi nuk ishte e suksesshme,” tha ministrja e Finlandës, vend i cili mban Presidencën e Këshillit.

Komisioneri Hahn shprehu gjithashtu keqardhjen për refuzimin e disa vendeve anëtare dhe përsëriti qëndrimin e Brukselit se të dy vendet i kanë plotësuar kushtet për hapjen e negociatave.

“Ky nuk është një moment për të qenë krenarë. Nuk ka dyshim që çdo shtyrje tjetër do të dëmtonte besueshmërinë tonë në Ballkanin Perëndimor si dhe ambiciet tona për t’u bërë një lojtar më i fuqishëm në rang global,” tha Hahn në konferencën për shtyp.

“Unë jam ende konfident dhe kam ende shpresë që të enjten apo të premten, krerët e shteteve do të marrin vendimin e duhur politik në mënyrë që të përmirësojmë besueshmërinë tonë në procesin e zgjerimit me Balkanin Perëndimor,” shtoi ai.

Tuppurainen dhe Hahn theksuan se 25 shtete ishin pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa u kujdesën të mos përmendnin se kush ishin vendet hezituese. Megjithatë, nëpërmjet pyetjeve të gazetarëve u bë e qartë se Franca ishte kundër për të dy vendet, ndërkohë që Holanda dhe Danimarka kanë shprehur skepticizmin e tyre vetëm ndaj Shqipërisë.

Takimi i ministrave të Jashtëm në Luksemburg i paraprin mbledhjes së Këshillit Europian, i parashikuar për t’u mbajtur në datat 17 dhe 18 tetor nga krerët e shteteve. Gjatë këtij takimi pritet edhe vendimi përfundimtar për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.