Analize15 Oct 2020

Taksat e larta në Turqi i shtyjnë njerëzit ta prodhojnë alkoolin në shtëpi

Ndërsa qeveria islamike e Turqisë rrit çmimin e pijeve alkoolike, shumë turq po mbështeten tek alkooli i prodhuar në shtëpi, duke e privuar shtetin nga të ardhurat nga taksat, dhe ndonjëherë duke vuajtur edhe pasoja fatale të kësaj.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Gjatë javës së kaluar të paktën 45 persona në Turqi kanë vdekur pasi konsumuan pije alkoolike të paregjistruara të prodhuara në mënyrë të paligjshme në Stamboll, Izmir, Mersin, Kirikkale dhe qytete të tjera.

Autoritetet thonë se edhe 50 persona të tjerë janë në njësitë e kujdesit intensiv në spital për të njëjtën arsye.

Policia turke zbuloi se arsyeja e vdekjeve ishte se njerëzit po përdornin dezinfektues duarsh me bazë alkooli etilik për të bërë pije alkoolike.

Nën sundimin e Partisë Drejtësi dhe Zhvillim të presidentit Erdogan, AKP, çmimi i pijeve alkoolike është rritur me 1,800 për qind në 18 vitet e fundit.

Si rezultat i kësaj, njerëzit po i drejtohen gjithnjë e më shumë pijeve alkoolike të prodhuara në shtëpi ose të prodhuara në mënyrë të paligjshme, ndonjëherë edhe me pasoja vdekjeprurëse.

“Pije alkoolike dhe cigaret sjellin 36 për qind të të ardhurave totale të taksave në shtet dhe qeveria nuk dëshiron të heqë dorë nga kjo. Megjithatë, kur i rrit kaq shumë taksat, kërkesa përfundimisht do të ulet, siç po ndodh tani”, tha për BIRN Enes Ozkan, një ekonomist nga Universiteti i Stambollit.

Ozkan tha se të ardhurat nga taksat nga shitja e pijeve alkoolike po binin jo sepse njerëzit kishin ndaluar pirjen, por sepse konsumatorët e tyre po e prodhojnë gjithnjë e më shumë në shtëpi alkoolin e tyre, ose blejnë produkte të lira të paligjshme, të paregjistruara.

“Edhe unë e prodhoj vetë në shtëpi birrës, sepse çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë”, tha ai.

“Një profesor e ka zakon të shkoj në ndonjë klub me studentët e tij/saj për të pirë ndonjë birrë, por tani kjo është e pamundur”, shtoi ai.

“Nëse e paguaj unë faturën për vete dhe 10 nga studentët e mi, për nga dy birra secili, atëherë do të shpenzoja gati 15 për qind të pagës time”, u ankua ai.

Sipas një raporti të fundit të qeverisë, të publikuar më 4 tetor, konsumi i pijeve alkoolike ra ndjeshëm me 25 për qind vetëm në vitin 2019, për shkak të taksave më të larta.

Megjithatë, i njëjti raport tregon se gjithnjë e më shumë njerëz po i prodhojnë pijet e tyre alkoolike në shtëpi, me pajisje dhe aroma të veçanta, si dhe me alkool etilik, ose etanol, i cili shitet në internet dhe në farmaci për qëllime mjekësore.

“Konsumatorët gjithnjë e më shumë kanë vendosur t’i prodhojnë vetë pijet e tyre alkoolike në shtëpitë e tyre që nga viti 2013”, thuhej në raportin vjetor.

Shifrat e saj tregojnë se shitjet e alkoolit etilik u rritën me gati 450 për qind midis vitit  2013 dhe 2019.

Në vitin 2019, u shitën 7.75 milionë litra alkool etilik, vetëm 1.5 milion prej të cilave u përdorën për qëllime mjekësore. Pjesa tjetër u përdor për prodhimin e pijeve alkoolike të paregjistruara.

Kjo prirje e re do të thotë gjithashtu që shteti humbi 1.56 milionë lira atë vit, të barabarta me rreth 170 milionë euro, në të ardhurat nga taksat.

Por ekspertët nuk mendojnë se qeveria islamike e presidentit Erdogan do të ndryshojë kurs.

Ata thonë se ajo po i rrit vazhdimisht taksat me shpresë që të rrisë mbledhjen e tyre në mes të një krize ekonomike të thellë – si dhe duke i dërguar një mesazh të qartë elektoratit të saj mysliman konservator.

Pijet tashmë janë një luks, edhe për shtresën e mesme

Një vajzë turke duke konsumuar raki. Foto: Pixabay.

Çmimi i birrës dhe pijeve të tjera alkoolike tani është shumë i lartë, kur merr parasysh PBB-në e vendit dhe pagat mesatare.

“Një krikëll  birrë në një pab kushton rreth 30 lira turke, ose rreth 3 euro. Në Europë, çmimi mesatar i një krikëll birrë është rreth 1-1.15 euro dhe 0.7-0.9 euro në SHBA. Dhe PBB-ja e Turqisë është shumë më e ulët se sa në ato vende”, shpjegoi Ozkan.

Një punonjës 35-vjeçar i jakave të bardha në Stamboll i tha BIRN se nuk kishte pasur zgjedhje tjetër, përveçse ta prodhonte vetë alkoolin e tij për shkak të rritjes së çmimeve.

“Si punonjës i jakave të bardha, normalisht do të isha pjesë e shtresës së mesme dhe do të konsumoja  pije alkoolike në një pab ose bar dy ose tre herë në javë, por tani ky është një luks që nuk mund ta përballoj”, tha ai për BIRN në kushte anonimati.

“Por unë nuk jam më pjesë e shtresës së mesme për shkak të inflacionit të lartë dhe rënies së vlerës së lirës në vitet e fundit, kështu që unë e prodhoj vetë alkoolin tim në shtëpi, kryesisht birrë dhe uiski”, shtoi ai.

“Mund të përgatitet shumë lehtë me pajisje, aromë speciale, alkool etilik dhe pajisje të tjera, të cilat shiten të gjitha në internet”, vazhdoi ai.

Vlera e lirës ra me më shumë se 35 për qind vetëm këtë vit dhe norma e inflacionit është rreth 12 për qind, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se situata reale ekonomike ka të ngjarë të jetë shumë më e keqe sesa sugjerojnë shifrat zyrtare.

Rënia e lirës ka rritur çmimet e çmimeve të lëndëve të para për kompanitë vendase, si dhe çmimet e produkteve të huaja.

Ozkan tha se alkooli i prodhuar në mënyrë të paligjshme dhe prodhimi në shtëpi paraqesin një rrezik për shëndetin.

“Qeveria përpiqet të kontrollojë edhe shitjet e alkoolit etilik, por është gati e pamundur. Disa njerëz dhe kompani të paligjshme e përdorin atë dhe ai ka efekte të dëmshme në shëndetin e njerëzve”, tha ai.

Vetëm më 9 tetor, shtatë persona u helmuan fatalisht duke konsumuar pije alkoolike të prodhuara në mënyrë të paligjshme të bëra me alkool etilik në qytetin Kirikkale, Anadoll. Shtatë persona të tjerë u shtruan në spital pasi konsumuan pije të ngjashme në Izmir.

Umur Ariner, pronari i “Umurbey Vines” në Tekirdag, i famshëm për për rrushin dhe kantinat e tij të verës, tha se biznesi i tij ishte goditur rëndë nga politikat e qeverisë.

“Ne përpiqemi të mos prekemi, por nga kjo nuk ka shpëtim. Jo vetëm nga rritja e taksave, por edhe nga rritja e taksave indirekte për lejet për të shitur alkool ose për të shitur alkool të pa paketuar”, tha Ariner për BIRN.

“Ekonomia është në gjendje të keqe dhe qeveria nuk ka para. Taksat u rritën jashtëzakonisht shumë dhe ka shumë oportunistë”, shtoi ai.

“Shitjet tona kanë rënë, por mund të mbijetojmë. Megjithatë, shumë marka dhe kompani të tjera më të vogla thjesht janë mbyllur”, vuri në dukje Ariner.

“Si rezultat, njerëzit preferojnë t’i prodhojnë pijet e tyre alkoolike në shtëpi për shkak të çmimeve të larta.”

Një axhendë islamike apo thjesht oreks për taksa?

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Pixabay.

Nën sundimin e presidentit Erdogan, reklamimi dhe promovimi i alkoolit është i ndaluar dhe asnjë pije alkoolike nuk mund të shitet pas orës 22:00, përveç se në restorante dhe bare.

“Me këto lloj masash, ne duhet të mbrojmë fëmijët tanë, të rinjtë dhe njerëzit nga efektet e rrezikshme të alkoolit dhe kërcënimit të madh të varësisë nga alkooli”, tha Erdogan gjatë një takimi në vitin 2013.

Kritikët e presidentit turk thonë se qeveria e tij synon ta shkatërrojë të gjithë sektorin për shkak të axhendës së saj islamike. Islami e ndalon konsumimin e alkoolit për shkak të efekteve të tij në shëndet dhe vetëdije.

Ozkan nga Universiteti i Stambollit tha se arsyet ekonomike zënë vendin e dytë kur bëhet fjalë për politikat e qeverisë për alkoolin.

“Kjo parti në pushtet është populiste dhe përpiqet t’i dërgojë mesazhe elektoratit të saj konservator me politikat e saj mbi pijet alkoolike”, pohoi ai.

“Qeveria mendon se qytetarët turq që konsumojnë pije alkoolike nuk i mbështesin ata. Rritja e taksave dhe ulja e konsumit janë mesazhe të mira për elektoratin e tyre”, argumentoi ai.

Ozkan tha se presidenti Erdogan dhe familja e tij po i udhëheqin personalisht këto politika. “Shoqata Gjysmëhëna e Gjelbër është shumë efektive ndaj qeverisë dhe vajza e Erdoganit dhe anëtarë të tjerë të familjes janë anëtarë të bordit të kësaj organizate”, tha ai.

OJQ-ja myslimane, e cila synon të zvogëlojë konsumin e cigareve, alkoolit dhe drogës, ka 117 degë në vend dhe financohet bujarisht nga disa ministri qeveritare.

Sidoqoftë, Ariner mendon se rritjet e taksave kanë të bëjnë më shumë me ekonominë sesa me fenë.

“Unë nuk mendoj se kjo politikë është për shkak të axhendës politike të qeverisë. Arsyet janë kryesisht ekonomike”, tha ai.

“Qeveria tani nuk ka para dhe mënyra më e lehtë për të rritur të ardhurat e shtetit është duke rritur taksat për alkoolin, cigaret ose automjete”, shtoi ai.

Ozkan tha se ai priste që një qeveri e ardhshme ta ndryshojë këtë politikë për shkak të dëmit që ajo po i shkakton ekonomisë së brendshme.

“Turqia ka një potencial të madh. Rrushi, elbi dhe gruri prodhohen masivisht dhe sidomos rrushi i Turqisë ka një gamë shumë të gjerë dhe një aromë tepër unike”, theksoi ai.

“Anadolli dhe Trakia kanë me qindra vite traditë në prodhimin e pijeve alkoolike, siç janë vera dhe rakia. Turqia mund të jetë lehtësisht një nga prodhueset më të mëdha të verës që ka të ardhura të mëdha për njësi”, përfundoi Ozkan.