Kryeministri Edi Rama justifikoi sjelljen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu si një problem artikulimi. Por ndërsa artikulimi është problem i parëndësishëm, sjellja e z. Veliu ngre dy aspekte shumë shqetësuese: respektin që policia duhet të ketë për të dhënat personale të njerëzve dhe për themelet e shtetit të së drejtës.
Kryeministri Edi Rama mbrojti të martën sjelljen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu, i cili, përmes një deklarate të dhënë në një mbledhje parlamentare shkaktoi një ortek kritikash, përfshirë thirrje të shumëfishta për dorëheqje apo shkarkim. Rama e mbrojti Veliun duke deklaruar se ai kishte bërë një “përpjekje të keqshpjeguar” dhe se morali i fabulës së tij ishte se “familja ka rolin e vet në mirërritjen e brezit të ri.”
Veliu shkaktoi zemërim dhe kërkesa për dorëheqje nga opinioni publik pasi sugjeroi se nëna e një fëmije të dhunuar nga disa oficerë policie ishte shfaqur në një video me pistoletë dhe rrjedhimisht, fëmija vinte nga një familje me moral të dyshimtë dhe kjo sugjeronte se ndoshta i riu nuk i ishte përgjigjur urdhrit të policisë për të ndaluar dhe rrjedhimisht, policët dhunues mund të kishin në ndonjë farë mënyre një shkak për të mbireaguar.
Pasi pa reagimin e publikut, që i rikujtoi z. Veliu se në kohën e Komunizmit fëmijët mbaheshin përgjegjës për çfarë kishin bërë prindërit, ai u shpreh i habitur nga reagimi dhe sugjeroi se ai po kërkonte ndjesë, por pa shpjeguar se për çfarë po kërkonte ndjesë. Por në deklaratën e tij të publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit në Facebook, para se të kërkonte ndjesë, Veliu dukshëm i interpretoi në mënyrë të gabuar kërkesat e qytetarëve ndaj tij si sulme ndaj Policisë së Shtetit ndërsa mbrojtësit e paktë të tij u duk sikur u përpoqën të kategorizojnë “sulmuesit” si mbështetës të Partisë Demokratike, e cila ka një histori të përdorimit të dhunës policore në mënyrë sistematike kundër popullsisë dhe medias në vitet ’92-’97. Në fakt dhuna policore në të shkuarën shumë të afërt të Shqipërisë duhet të na shërbejë si argument për t’i kërkuar llogari z. Veliu dhe jo si argument për ta injoruar ngjarjen si të parëndësishme.
Veliu u mbrojt më tutje duke argumentuar se fjala e tij ishte nxjerrë nga konteksti dhe se ai po përpiqej të shpjegonte se dhuna e ushtruar nga policët ndaj një fëmije është pjesë e një konteksti.
Për fat të keq, jo vetëm dhuna policore e ushtruar ndaj një fëmije ka një kontekst, por edhe fjala e z. Veliu në parlament ka një të tillë dhe ky kontekst është ai i shtetit të së drejtës. Është konteksti i detyrimit që ka Policia e Shtetit të veprojë brenda kufizimeve të imponuara nga ligjet, të cilat janë krijuar posaçërisht për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi shtetëror dhe jo anasjelltas, për të mbrojtur shtetin nga abuzimi i qytetarëve. Dhe është gjithashtu konteksti i ligjeve që janë miratuar apo që janë në shqyrtim parlamentat, të cilat janë në mënyrë ulëritëse antikushtetuese dhe që synojnë të fuqizojnë z. Veliu dhe zyrtarë të tjerë të policisë. Është konteksti i të ashtuquajturës paketë anti-KÇK dhe ndryshimeve në ligjin e Policisë së Shtetit, ku z. Veliu dhe funksionarë të tjerë të policisë do të fitojnë të drejtën të bëjnë përgjime pa mbikëqyrje gjyqësore dhe në mënyrë jotransparente.
Ky është gjithashtu edhe konteksti i një vendi që vjen nga një e shkuar diktatoriale, me një shtet policor dhunues ndaj qytetarëve, me krime të pandëshkuara as ligjërisht dhe përgjithësisht as moralisht dhe me një histori jo shumë të studiuar të teknikave, gjuhës dhe justifikimeve morale të përdorur nga policët e kohës për dhunimin e qytetarëve.
Dhe ky është konteksti në të cilin ne duhet të shohim sjelljen e z. Veliu, jo si një përpjekje e keqartikuluar për të thënë se edukata familjare ka rëndësi, por si një tejkalim rrëqethës i të gjitha normave ligjore dhe morale në veprimtarinë e një force policore.
Veliu nxori një video të mamasë së fëmijës së dhunuar. Kjo video është publikuar nga personi në fjalë në rrjetin social Instagram në vitin 2017. Kjo ngre pikëpyetje se përmes çfarë procedure kjo video ka ardhur në vëmendjen e z. Veliu dhe në kuadër të çfarë nevoje policore, media sociale e një qytetareje është këqyrur nga z. Veliu. Kjo ngre gjithashtu pikëpyetje nëse në Shqipëri ka ndonjë ligj që i lejon z. Veliu të mbikëqyrë jetën private të një shtetaseje e cila nuk është e dyshuar për ndonjë krim. Dhe në kuadër të kontekstit, duhet të themi se z. Veliu është gjendur përballë një presioni publik të lehtë për një ngjarje që nuk mbart rëndësi vendimtare as për z. Veliu dhe as për Policinë e Shtetit. Disa policë kanë dhunuar një fëmijë. Këta policë i nënshtrohen një hetimi dhe marrin përgjegjësinë. Kaq. Dhe për kaq, z. Veliu i jep të drejtë vetes të hetojë jashtë dhe në tejkalim të çfarëdolloj të drejte ligjore, jetën private të mamasë së fëmijës së dhunuar. Në fund të fundit, a ka të drejtë policia e Shtetit të këqyrë mediat sociale të qytetarëve që nuk janë subjekt i punës së saj? Më ngjan se përgjigjja është jo. Në Shtetin e së Drejtës, Policia e Shtetit bën vetëm ato detyra që i janë ngarkuar shprehimisht në ligj. Këqyrja e jetës private të një nëne në kërkim të një konteksti për dhunën policore dukshëm nuk hyn në detyrat e policisë së shtetit. Por konteksti është që z. Veliu, përveçse ka dhunuar shenjtërinë e jetës private, e ka bërë këtë me një lehtësi të tillë që mund të kuptohet vetëm përmes leximit të librave të Hannah Arendt. Konteksti është që, pasi ka kryer këtë shkelje, z. Veliu dhe shefi i tij, kryeministri Edi Rama, nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se kanë reflektuar sadopak për nivelin e rëndë të shkeljes.
Një polici e cila, pa një arsye të vlefshme ligjore, mbikëqyr jetën private të një qytetareje, hedh në erë themelet e Shtetit të së Drejtës. Dhe ky nuk është një problem artikulimi.
Një polici e cila, pa asnjë arsye të vlefshme ligjore, grumbullon të dhëna personale të një qytetari privat, hedh në erë themelet e lirisë individuale. Asnjë nga ne nuk besoj se duron dot të ketë të gjithë jetën e tij të shkuar të analizuar për efekt të krijimit të një “konteksti” për të shpjeguar një dhunë policore. Por kur ky proces i analizimit të jetës personale përmes këqyrjes së rrjeteve sociale bëhet nga një forcë policore, kjo përbën një bazë për një shtet policor. Shto këtu edhe të drejtën për të përgjuar pa mbikëqyrje gjyqësore dhe, me apo pa artikulim, jemi në drejtimin e gabuar.