Lajm21 Sep 2018

Të dyshuarit e helmimit në Salisbury lidhen me grushtin e dyshuar të shtetit në Mal të Zi

Një gazetë britanike, duke cituar një investigim të Bellingcat, thotë se ka lidhje të qarta midis të dyshuarve që qëndrojnë pas helmimit të Skripalëve në Angli dhe një grushti të dyshuar shteti në Mal të Zi.

Autor: Marcus Tanner BIRN Londër
Printo

Stoli ku u helmuan Skripalët në Salisbury. Foto: Wikipedia.

Të dyshuarit kryesorë pas helmimeve në Salisbury dhe organizatorët e një grushti të dyshuar në Malin e Zi në vitin 2016 mund të ketë lidhje të ngushta, sipas gazetës britanike konservatore Daily Telegraph, e cila citon një investigim të Bellingcat.

Ai thotë se numri i pasaportave të Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov – dy rusët që Britania dyshon se helmuan Sergej Skripalin dhe vajzën e tij Julia – janë vetëm disa numra larh atij të Eduard Shishmakov, oficeri rus i GRU që Mali i Zi dyshon se organizoi një grusht shteti për të rrëzuar qeverinë pro-perëndimore në Podgoricë në vitin 2016.

Dy pasaportat e para ndërkombëtare “ishin vetëm 3 numra larg. Ato kishin shënime “Top Sekret” dhe “mos jepni informacione” dhe janë lëshuar nga një autoritet i rezervuar normalisht për zyrtarët e inteligjencës dhe zyrtarë të rëndësishëm”, tha Telegraph duke cituar Bellingcat.

“Tani ka dalë se ka vetëm 26 numra pasaportash midis dokumentit të Petrovit dhe pasaportës për Col Shishmakov, i cili po organizonte grushtin e shtetit përpara zgjedhjeve të Malit të Zi në tetor 2016 nën emrin Eduard Shirokov,” shtoi ajo.

Gazeta tha se kjo ose ishte një rastësi e jashtëzakonshme ose pasaportat janë lëshuar grumbull nga i njëjti autoritet dhe për të njëjtën kategori njerëzish – oficerë të inteligjencës. Petrov dhe Boshirov shkaktuan zemërim në Britaninë e Madhe kur ata pohuan në një intervistë televizive në Rusi se kishin qenë në Salisbury me pushime të planifikuara “për të parë katedralen” – një pikë referimi mesjetare në qendër të Anglisë.

Gazeta e majtë The Guardian vuri në dukje se dy rusët kanë qenë në Salisbury për një total prej 90 minutash, një periudhë tepër e shkurtër kohe për “pushime” në atë që dyshja e quajti “një qytet i mrekullueshëm”.

Sipas investigimit të Bellingcat, “Petrov dhe Boshirov bënë plane udhëtimi të minutës së fundit për t’u nisur drejt Mbretërisë së Bashkuar, e cila – bashkë me rezervimin e dyfishtë të fluturimeve të kthimit në dy data të njëpasnjëshme – e bën shpjegimin “turizëm” të papranueshëm”.

“Bellingcat dhe Insider mund të konfirmojnë përfundimisht se “Alexander Petrov” dhe “Ruslan Boshirov” janë zyrtarë aktivë të GRU-së,” shtoi ai.

“Mund të ketë pak dyshime se Shishmakov/Shirokov dhe Petrov/Boshirov i morën pasaportat e tyre false sipas të njëjtës procedurë të kufizuar – dhe në të njëjtin grup  numrash rendorë – në dispozicion të oficerëve të shërbimit sekret,” vazhdoi ai.

Duke cituar të njëjtën burim investigativ, Telegraph vuri në dukje se “Petrov” kishte udhëtuar shumë.

Në prag të helmimit në Salisbury, ai kishte vizituar Bjellorusinë, Kazakistanin, Holandën, Zvicrën, Francën dhe Britaninë, ndër vende të tjera.

Britania, e cila ka një marrëdhënie kontradiktore me Rusinë, që nga fillimi pranoi versionin e ngjarjeve të qeverisë malazeze në tetor 2016.

Kjo ishte se elemente pro-ruse në vend, nën drejtimin e Kremlinit, komplotuan për të përmbysur qeverinë para zgjedhjeve të tetorit dhe për të mos lejuar hyrjen e vendit në NATO.

Londra ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës në Mal të Zi, se grushti i shtetit ishte sajuar nga qeveria, njësoj siç ishin edhe fjalët e Kremlinit.

Skripali dhe vajza e tij ranë pa ndjenja në një stol në park në Salisbury më 4 mars dhe më vonë u gjet se ishin helmuar me Novichok, një armë kimike e zhvilluar në ish-Bashkimin Sovjetik. Ata më vonë e morën veten. Megjithatë, një person i tretë, britaniku Dawn Burgess, vdiq në qershor, pasi preku aksidentalisht ato që kishin mbetur nga i njëjti helm në Salisbury.