Një grup minatorësh akuzuan qeverinë se po i sorollat kërkesat e tyre për marrjen e statusit të minatorit, që do t’u ofronte atyre një shpërblim të drejtë për punën e rrezikshme.
Dhjetëra minatorë dolën të martën para kryeministrisë për të shprehur zhgënjimin e tyre për zvarritjen e procesit të dhënies së statusit të minatorit nga qeveria.
Ata e akuzuan kryeministrin Edi Rama se i ka mashtruar duke mos mbajtur premtimin për kalimin e projektligjit që do tu siguronte atyre statusin.
“Qeveria ka dymbëdhjetë vjet që thotë ‘s’kemi para’, tani ua kemi gjetur ne dhe u kemi thënë, ja ku i ke paratë Z. Rama, hiqja hajdutit dhe jepja të zotit. Nëse je me hajdutin, rri me hajdutin dhe ne do të bëjmë luftë,” tha një nga protestuesit.
Minatorët e morën me radhë fjalën për të shprehur zhgënjimin e tyre me autoritetet, ndërsa theksuan se shumë prej minatorëve po ndahen nga jeta pa e marrë shpërblimin që u takon për punën e rëndë.
“Shkova të lajmëroj për protestën një nga minatorët dhe mora vesh se ai kishte vdekur,” u shpreh një nga protestuesit në tubimin e të martës, ndërsa shtoi se qeveria duhet ta kalojë sa më shpejt statusin.
“Sot që kemi ardhur këtu, kemi ardhur me para borxh, se 15 mijë lekë nuk na dalin të hamë bukë vetë, jo më të marrim ilaçet,” tha një protestues nga Pogradeci.
Shqipëria ka dështuar në mënyrë të përsëritur për të ofruar një shpërblim të drejtë për punën në rrethana të vështira të minatorëve përgjatë viteve të fundit. Përpjekjet për kalimin e statusit që do t’u ofronte atyre një moshë më të hershme dalje në pension dhe një pagesë më të lartë kanë rezultuar pa sukses, ndërsa qeveria dhe minatorët vazhdojnë t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit për mungesë bashkëpunimi.
“Na jep djersën tonë, na jep atë që na takon, ne nuk duam lëmoshë,” deklaroi një tjetër.