Lufta në Siri ka krijuar tensione në komunitetin sirian të Bullgarisë, një nga më të mëdhenjtë në Europën Lindore dhe i ka dhënë disa anëtarëve të komunitetit arsye për të kërkuar azil gjetkë.
Teksa protestat përfshinë Sirinë në 2011, restoranti i famshëm i qebapit të Abu Kamal në zemër të Sofjes ngjante si një bazë revolucioni.
Klientela e tij kryesisht bullgare kalonte nën flamurin gjigant të gjelbër, të bardhë dhe të zi të opozitës që valëvitej mbi hyrje, ku shërbeheshin pite të mbushura të paketuara me logon “Liri për Sirinë” në bullgarisht, ndërsa në uniformat e stafit ishte i njëjti slogan.
Qindra protestues, përfshirë Abu Kamalin, dolën në rrugë për të mbështetur politikanët e tyre, ndërsa qeveria bullgare u përgjigj duke e deklaruar ambasadorin sirian “persona non grata”.
Por pesë vite më pas, flamuri dhe uniformat janë zhdukur, bashkë me ëndrrën e Abu Kamal se unionicioni i Sirisë do të largonte shpejt dhe një herë e mirë dekada tirani.
“Çfarë ka për të organizuar?” tha ai për BIRN, nga zyra e populluar e restorantit të tij kur u pyet nëse do të organizoheshin protesta të reja. “Në fund të fundit, ne vetëm flasim, diskutojmë dhe zemërohemi”.
[fact title=”Bamirësia fillon në shtëpi”]Shumë anëtarë të shquar të komunitetit sirian në Bullgari kanë harxhuar kohë dhe para për të ndihmuar bashkatdhetarët e tyre që erdhën si refugjatë, duke iu larguar luftës në atdheun e tyre.
Pothuajse 20,000 sirianë kanë aplikuar për azil në Bullgari që prej vitit 2011, duke arritur kulmin në vitin 2015. Megjithatë, shumë pak kanë mbetur, por disa qindra synojnë të ndërtojnë një jetë të re më të begatë në Europën Perëndimore.
Për shembull, dyqani i qebapit i Abu Kenalit u shndërrua në një “qendër refugjatësh” me shumë refugjatë sirianë që shkojnë aty duke kërkuar ndihmë.
Abu Kemali bleu gjithashtu një magazine për të ruajtur rroba që më vonë iu dhanë refugjatëve.
Grupi kundër Assadit Shoqata e Sirisë së Lirë ka shpërndarë pako ndihmash, ndërsa grupi i saj i shkëputur, Lidhja Demokratike Siriane, shoqëron refugjatët dhe emigrantët nëpër Sofje, duke u dhënë atyre këshilla të vlefshme mbi si të sigurojnë dokumente, një shtëpi apo një punë.
ASB, grupi i lidhur zyrtarisht me regjimin, tha gjithashtu me BIRN se edhe ka punuar me refugjatët.”[/fact]
BIRN ka kaluar disa muaj duke ndjekur jetët e popullatës së madhe dhe diverse siriane në Bullgari teksa përpiqet të përshtatet me luftën në atdhe dhe është zënë në mes të një eksodi të paprecedent të bashkëatdhetarëve.
Ajo që shfaqet është një portret i një komuniteti të integruar mirë që është përçarë nga protestat dhe kundërprotestat, gjithnjë e më i mërzitur teksa konflikti zvarritet, por që gjithashtu një komunitet që ka punuar shumë për të ndihmuar refugjatët të sistemohen në Bullgari.
BIRN vlerëson gjithashtu se popullsia siriane e para Pranverës Arabe, për të cilën nuk ekzistojnë statistika zyrtare, arrin në mijëra dhe sipas një studimi, mund të ketë qenë deri në 17.000 – gjë që do ta bënte më të madhen në Europën Lindore.
Shifra e sotme ka gjasa të jetë shumë më e ulët, pasi qindra dhe ndoshta mijëra janë bashkuar me valën e refugjatëve në Gjermani, Suedi dhe vende të tjera të pasura në Europën Perëndimore, bazuar në shumë burime qeveritare të kontaktuara nga BIRN.
Një komunitet lindi
Ishte 5 shkurt 2016 dhe hyrja për këmbësorë në ambasadën ruse në Sofje ishte rrethuar nga policia. Zyrtarët e kishin bllokuar rrugën për një grup sirianësh – njëri po provonte t’i postonte Moskës një notë proteste, ndërsa një tjetër valëviste flamurin e opozitës.
Një turmë burrash, grash dhe fëmijësh mbanin në duar postera ku denonconin presidentin sirian Bashar al-Assad dhe qeverinë ruse. Shumë thërrisnin “vrasësit”.
Ata flisnin gjuhën bullgare në mënyrë të përsosur, pasi nuk ishin refugjatë luftë: shumica kishin jetuar në Sofje për dekada të tëra.
“Protestuesit që shihni këtu janë kryesisht veteranë,” shpjegoi Mohamed Usayd Jinat, 55 vjeç, një nga organizatorët e protestave anti-Assad. Jinat është një nga liderët e Ligës Demokrate Siriane (SDL), një krah humanitar i iniciativës personale, me bazë në Bullgari, që bën opozitë ndaj Assad.
Javë më vonë, i ulur në dhomën e pritjes të selisë së tyre pranë një flamuri gjigand të opozitës, Jiniat shpjegoi se termi “veteran” përdoret nga sirianët në Bullgari për të përshkruar ata që kanë mbërritur në ditët e Luftës së Ftohtë, kryesisht për të studiuar.
Jiniat, një burrë i shëndoshë me një vështrim të ngulët dhe një shije për oratori, e bëri atë udhëtim në vitin 1981 dhe ishte mes dhjetëra mijëra arabëve që u diplomuan nga universitetet bullgare nën regjimin komunist.
Shifrat zyrtare janë të padisponueshme, por komuniteti dhe ambasada në Sofje tregojnë se deri në 9,000 sirianë erdhën për të studiuar në atë periudhë ose të mbështetur nga partia Ba’ath, lëvizja socialiste që ka sunduar Damaskun që nga viti 1963, ose të dërguar nga partia komuniste siriane.
Për të fundit kujdesej regjimi bullgar, sindikatat, Lidhja Bullgare e Grave të Popullit apo Partia Komuniste Bullgare vetë që paguante faturat.
Si shumë nënshtetas të huaj, sirianëve u duhej të largoheshin nga vendi pas diplomimit – nëse nuk martoheshin me një bullgar/e, gjë që e bënë shumë prej tyre.
Mes atyre që morën këtë rrugë është Mohamed Ibrahim, 51 vjeç, i cili ka studiuar fizioterapi në vitin 1980 dhe në vitin 2013 mori drejtimin e Shoqatës së Sirianëve në Bullgari (ASB), një organizatë që ka lidhje të ngushta me regjimin dhe që mbështet publikisht Assad.
“Jemi shtetas bullgarë të integruar,” tha ai për BIRN.
Këta “veteranë” u pasua më vonë nga tregtarët të cilët u mblodhën në Bullgari pasi vendi hapi dyert për kapitalizmin në vitet 1990 dhe u referuara si me nofkë ofenduese si “shitës me valixhe”.
Shitësit, importuesit e mallrave arabe të dorës së dytë, shitësit e rrobave dhe madje edhe pronarët e restoranteve e picerive mbërritur në numra të konsiderueshëm nga Damasku, Homsi dhe Alepo.
Komuniteti është i integruar mirë dhe i shpërndarë në gjithë Bullgarinë. Edhe sirianët me bazë në Sofje – ku mendohet të jetë rreth një e treta e bashkësisë – janë të shpërndarë në të gjithë qytetin, ndryshe nga afghanët dhe grupet e Afrikës së Veriut që përqendrohen në zonën e brendshme të qytetit në afërsi të të ashtuquajturës “Tregu i Zonjave”.
Por asnjë census nuk e ka matur ndonjëherë madhësinë e popullsisë siriane, që do të thotë se vlerësimet variojnë nga disa qindra në 17.000.
Pothuajse të gjithë ata, të kontaktuar nga BIRN për këtë artikull, përfshirë edhe ambasadën siriane, besojnë se kjo shifër është shumë më poshtë se 17.000, por mbetet në mijëra.
Largimi nga vendi
Ismail Muazen nuk është i sigurt se sa sirianë kanë jetuar në Bullgari para krizës – por ai flet me emocione se si numrat kanë rënë ndjeshëm pasi shumë janë larguar për të kërkuar azil.
Këta sirianë me bazë në Bullgari, iu bashkuan dhjetëra mijëra refugjatëve nga vendi i tyre, të cilët shkelën vendin nga viti 2011 gjatë rrugës për në Europën Perëndimore.
“Njerëzit që jetonin këtu kërkuan statusin e refugjatit në vende europiane – Gjermani, Suedi,” tha biznesmeni 46-vjeçar, që mbërriti nga Siria në vitet 1990 dhe hapi një rrjet dyqanesh ku shiten rroba nga Siria dhe Iraku. Ai është tani anëtar i njohur i grupit anti-Assad, SDL.
“Shumë njerëz që njoh, të cilët kaluan 18 ose 18 vite këtu, shkuan atje, kërkuan statusin e refugjatit dhe jetuan në paqe më pas. Shumë familje,” tha ai për BIRN nga zyrat e Ligës Demokratike Siriane.
“Mendoj se rreth gjysma e atyre që jetonin këtu më parë janë zhdukur në kërkim të një standardi më të mirë jetese”.
Gjermania dhe Suedia duket se janë destinacionet e preferuara mes azilkërkuesve: e para për shkak të politikave të hapura për azil dhe e dyta është veçanërisht popullore për kurdët sirianë në Bullgari, ku shumica kanë të afërm atje.
Mohamed Ibrahim, kryetari i organizatës siriane pro-qeveritare, ASB, thotë se e kupton se pse bashkatdhetarët e tij vendosën të largohen nga Bullgaria “e varfër”.
“Ne njohim shumë njerëz dhe ata janë tani në Europën Perëndimore dhe fshehin dokumentat e tyre të rezidencës bullgare”, shtoi Ibrahim, i cili ka një dyqan të mjekësisë alternative në Sofje.
Salah Alrifai, babai i të cilit Ibrahimi mbërriti në Sofje në vitet 1980, pranon se është tunduar nga ideja edhe vetë.
“Asgjë nuk i ndalon emigrantët të kërkojnë për një vend më të mirë, por duke marrë në konsideratë se ka sirianë që largohen nga vdekja, mbetet çështje morali,” shpjegoi ai.
Ambasada Siriane konfirmoi për BIRN në një deklaratë zyrtare se sirianët e kishin lënë Bullgarinë për të kërkuar azil në Europën Perëndimore pjesërisht për arsye ekonomike, por edhe për shkak të refuzimit të Sofjes për të lejuar shtetësi të dyfishtë.
Sirianët duhet të heqin dorë nga shtetësia e Sirisë për t’u bërë shtetas bullgarë, nëse janë të martuar me bullgarë.
“Gjendja aktuale është problem për disa sirianë këtu,” shkroi ambasada.
“Fëmijët e tyre paguajnë më shumë për universitetin – ata kanë lindur këtu, kanë kaluar vite këtu, por duhet të paguajnë si të huaj”.
BIRN identifikoi disa sirianë që kanë udhëtuar nga Bullgaria në Europën Perëndimore, por asnjëri nuk pranoi të intervistohej.
Një komunitet i përçarë
Lufta në Siri ka krijuar një ndjesi faji në komunitet, duke lënë miq dhe shokë e shoqe në të dyja anët e problemit.
Besnikët ndaj qeverisë së Assadit i referohen kundërshtarëve të tyre si “islamikë dhe terroristë”, ndërsa pala tjetër vë në pikëpyetje të drejtën e dikujt për të mbështetur regjimin.
Pas shpërthimit të armiqësive, të dyja kampet kanë protestuar në rrugët e Sofjes dhe në qytete të tjera, kanë luftuar për influencë te mediat dhe ministrat si dhe kanë shkëmbyer përplasje verbale në Facebook në bullgarisht dhe arabisht.
“Ata na keqtrajtojnë, na ofendojnë, në quajnë me lloj-lloj emrash,” tha Abu Kamal, 54 vjeç, emri zyrtar i të cilit është Mohamed Issa, ndërsa pinte një cigare nga zyra mbi restorantin e tij.
“Është interesante që ata përdorin emra dhe profile të rreme. Duhet të jenë të hapur nëse janë aq të fortë sa pretendojnë”.
Duke u endur nga një kafe në tjetrën në Sofje, Mohamad Albarmaëi, 36 vjeç, menaxhon një faqe Facebook të quajtur Syria Today që synon “të ekspozojë masakrat që ndodhën në Siri” e lajme në bullgarisht.
Ai i tha BIRN: “Ne jetuam të bashkuar për shumë vite, por filluam të përçahemi në fillim të revolucionit”.
Ndërsa pranon se ka sirianë në Bullgari që mbështesin vërtetë autoritetet në Damask, ai thotë se disa mund të jenë duke e dhënë mbështetjen ose për para ose nga frika e “diktatorit”.
Mohamed Ibrahim, kryetar i shoqatës pro-qeveritare të Sirisë në Bullgari, e hodhi poshtë këtë kategorizim.
“Ne nuk protestojmë si sirianë në Bullgari – ne protestojmë si shtetas bullgarë që shohin një problem në Siri që shtrihet përtej kufijve,” tha ai. “Ne jemi të lidhur me shtetin sirian dhe nuk e fshehim atë: ne jemi krenar për këtë”.
Paraardhësi i Ibrahim në ASB ishte Yahiya Sharabati, 56 vjeç, i pari kryetar i zgjedhur demokratikisht nga grupi, i cili u largua nga posti në rrethana dramatike. Ai e kishte ruajtur mbështetjen për Assad edhe kur filluan protestat dhe mori një rol aktiv në organizimin e kundër-demonstratave.
Pastaj në vjeshtë të 2011, ai u largua për një udhëtim të gjatë në Siri për të vizituar të afërmit.
Në kthimin e tij në verën e vitit 2012, ai u përpoq të mbyllte ASB dhe disa ditë më vonë, më 7 gusht, mbajti një konferencë për shtyp, ku e deklaroi veten “kundër diktaturës së përgjakshme të Bashar al-Assad dhe si mbështetës i luftës për paqe dhe demokraci të popullit sirian”.
“Isha shumë i frikësuar,” shpjegoi ai për BIRN. “U zhduka nga syri i publikut pasi nuk doja që të afërmit e mi të vuanin në Siri”.
[fact title=”Grupet siriane në Bullgari”]Pro-Assad
Shoqata e Sirianëve në Bullgari
E themeluar në vitet 1990, fillimisht për qëllime kulturore, me lidhje me regjimin sirian. Shumë sirian u larguan nga kjo shoqatë kur filluan protestat.
Anti-Assad
Shoqata e Sirisë së Lirë
Grupi i parë që iu bashkua kundërshtarëve të presidentit sirian Bashar al-Assad u shfaq muaj pasi filluan kryengritjet në mars 2011. Ai kërkon të rrisë ndërgjegjësimin për zhvillimet në Siri.
Lidhje Demokratike Siriane
E themeluar nga një grup kundërshtarësh të regjimit në fund të vitit 2014 pasi u shkëput nga Shoqata e Sirisë së Lirë. Ajo preferon të punojë me refugjatët, sesa të shprehë pozicionet politike në të ardhmen e Sirisë.”[/fact]
Tani janë kundërshtarët e Assadit që po pësojnë një krizë largimesh. Teksa islamikët kanë kaluar në avantazh në luftën siriane, opozita është ndarë mbi pozicionin që komuniteti me bazë në Bullgari duhet të mbajë dhe protestat janë bërë gjithnjë e më të rralla.
Nidal Algafari, 51 vjeç, një herë regjisor filmi dhe televizioni, i cili tani ia kushton kohën drejtimit të një biznesi reklamimi, organizoi protestën e parë anti-Assad në mars të vitit 2011 përmes Shoqatës Siria e Lirë, një organizatë e krijuar në vitin 2011, por që u regjistrua zyrtarisht në vitin 2015. Por ai thotë se është i zhgënjyer me grupin tani dhe ka dhënë dorëheqjen si kryetar.
“Sirianët nuk janë të ndarë në dy pjesë, por në tre,” shpjegoi ai.
“Disa janë mbështetës të regjimit, që janë po aq sa ne dhe ekziston një “zonë gri”, që nuk mund të përfshihen në asnjë anë.
FSA, që nuk lidhet me grupin rebel të Ushtrisë të Lirë Siriane që përdor të njëjtin akronom, u krijua për të bashkuar opozitën dhe për të rritur ndërgjegjësim për problemet në Siri.
“Vetëm më vonë e pamë që nuk bashkoi gjë,” shtoi Algafari. “Publiku nuk na pranoi dhe filluam të merrnim fund”.
Ai shtoi se opozita në Bullgari nuk ka mundur të bjerë dakord mbi të ardhmen.
“Çfarë ndodh me partinë Ba’ath? Çfarë do të bëjmë me Izraelin? Si do ta trajtojmë Rusinë, Turqinë dhe SHBA-në? Opozita në Bullgari nuk ishte gati dhe ende nuk është,” shpjegoi ai.
Kur ai njoftoi një marrëveshje koalicioni me degën rajonale të Këshillit Kombëtar Kurd, duke i bërë thirrje bashkëkombasve të tij “të mendojnë së bashku për të ardhmen e Sirisë”, kjo u bojkotua nga sirianët e tjerë, përfshirë grupin e ndarë prej të FSA, Ligën Demokratike Siriane.
Kreu i SDL Mohamed Usejd Jiniat, megjithatë, i minimizon sugjerimet për çdo mosmarrëveshje.
“Ne jemi të gjithë sirianë. Pavarësisht se kush është kurd apo arab,” thotë ai.
Numri i protestave mund të jetë në rënie dhe opozita gjithnjë e më e ndarë, por Useyd Jiniat ende beson se “revolucioni” është një kauzë ende e vlefshme për të luftuar dhe është përqafuar nga shumica e sirianëve, si në Siri dhe në Bullgari.
“Asnjë revolucion madhor nuk ka dështuar në histori dhe ai sirian do të jetë madhështor. Do të jetë më i madh sesa ai francez,” tha ai.
Autori mori financim për këtë artikull si pjesë e Shkollës Verore për Gazetari Investigative të BIRN.