Analize8 Jan 2021

Të parandalosh “Trump 2024”

Republikanët dhe demokratët nuk duhet të jenë dakord për çdo gjë por ata duhet të veprojnë duke u nisur nga një realitet i përbashkët. Vetëm ata janë në gjendje të hartojnë politika në mirëbesim dhe të gjejnë kompromise me përfitim të përbashkët si dhe të mbrojnë demokracinë amerikane nga aspirantët për diktatorë të etur për të shfrytëzuar ndasitë konjiktive të amerikanëve.

Autor: Koichi Hamada Project Syndicate Nju Hevën
Printo

Presidenti Donald Trump, 12 janr 2018, Uashington. Foto: Evan Vucci/AP.

Në fjalimin e tij të fitores në nëntor, Presidenti i Zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Joe Biden premtoi të shtrijë dorën në anën tjetër të politikës, të punojë me Republikanët dhe të bashkojë vendin. Dy muaj më vonë, Presidenti në Ikje Donald Trump ende nuk ka pranuar humbjen dhe disa nga besnikët e tij votuan kundër numërimit të votave të Kolegjit Elektoral. Përpjekjet nuk do ta ndalojnë Biden nga marrja e postit këtë muaj por ato demonstrojnë se sa të polarizuara janë Shtetet e Bashkuara si dhe shkallën e kërcënimit që ky polarizim përbën për demokracinë amerikane.

Që të jemi të qartë, Kushtetuta e SHBA-së ka treguar se është e fortë përgjatë katër viteve të fundit. Që nga zgjedhjet presidenciale dy muaj më parë, Trump dhe aleatët e tij republikanë kanë bërë mbi 50 padi për të sfiduar rezultatin. Ata i kanë humbur që të gjitha, madje edhe në Gjykatën e Lartë – të cilën Trump e ka plotësuar më gjyqtarë të krahut të djathtë.

Pavarësisht kësaj, ajo çfarë besnikët e Trump kanë demonstruar se kanë vullnetin ta bëjnë për të, përfshirë mbështetjen që ai ka mes shumë votuesve, ngrenë pyetje serioze mbi gjendjen e shoqërisë amerikane. Në fund të fundit, polarizimi i Amerikës sot nuk ushqehet nga mosmarrëveshja mbi, fjala vjen, cilat janë politikat e taksave që i shërbejnë shumicës së amerikanëve dhe ekonomisë së tyre. Debate të tilla zakonisht janë gjaku i politikës në demokraci. Por ato duket se janë braktisur në favor të debateve mbi vetë realitetin – dhe kjo ka pasoja vdekjeprurëse.

Mendoni p.sh. pandeminë COVID-19. Që nga fillimi, Trump nënvlerësoi ashpërsinë e koronavirusit pavarësisht se e dinte se si ishte. Për më tepër, ai vazhdimisht mbështeti trajtime të paprovuara ndërsa refuzoi të mbështesë përdorimin e detyrueshëm të masave parandaluese të provuara, të tilla si mbajtja e maskës. Mbi 350 mijë amerikanë kanë vdekur.

Megjithatë shumë nga mbështetësit e Trump i qëndrojnë atij më besnik se kurrë. Më shumë se 74 milionë amerikanë votuan për Trump në nëntor, në krahasim me 81 milionë për Biden. Dhe, megjithëse Trump dhe aleatët e tij nuk kanë dhënë prova për manipulim të zgjedhjeve, vetëm një e katërta e republikanëve thonë se ata i besojnë rezultateve të zgjedhjeve.

Megjithatë kjo nuk duhet të na duket surprizë. Nga pretendimi se hetimi i prokurorit special Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 “e nxorri atë tërësisht dhe totalisht të pafajshëm” te pretendimi se kufizimet për kursimin e ujit i detyrojnë njerëzit të shkarkojnë tualetet 10-15 herë në vend të një, strategjia e Trump nëpër të gjithë karrierën e tij politike është që të shpikë gjëra. Me vullnet të plotë republikanët i janë bërë jehonë gënjeshtrave të tij ndërsa media konservatore i ka amplifikuar ato.

Përgjatë katër viteve të fundit, kjo punë i ka rënë më së shumti Fox News, megafoni dhe duartrokitësi kryesor i Trump. Gjithsesi së fundmi Trump e ka sharë këtë stacion televiziv dhe ka mbështetur media edhe më ekstreme, të tilla si Newsmax dhe One America News Network.

Aleatë të tillë mediatikë mund ta ndihmojnë atë të bëjë një kthim në politikë. Trump sakaq ka diskutuar idenë që të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe ka spekulime se vajza e tij Ivanka Trump ka ambicie politike. Por nuk është e domosdoshme që mantelin e populizmit, nacionalizmit dhe autoritarizmit të krahut të djathtë në politikën amerikane ta marrë një me mbiemrin Trump; një tjetër jashtë kësaj familjeje mund të shfaqet për të marrë këtë rol dhe ka gjasa që të jetë edhe më i shkathët se sa Trump.

Mënyra më e mirë për të reduktuar këtë rrezik është që të mbyllim hendekun konjiktiv që po shtrembëron diskursin politik në SHBA si dhe të kthehemi te realiteti i përbashkët i amerikanëve. Pyetja është se si mund të bëhet kjo. Në fund të fundit, shumë media ekzistuese – përfshirë gazeta historike si The Washington Post dhe The New York Times, si dhe televizionet kryesore si CNN – sakaq ofrojnë gazetari të mbështetur në fakte dhe në të dhëna. Problemi është se shumë thjeshtë nuk dëgjojnë.

Në vend të kësaj, mbështetësit e Trump shajnë “median e rrymës kryesore” se shtyn përpara “axhenda liberale” të cilat përfshijnë, për shembull, të pranuarin dhe të ekspozuarin e padrejtësive racore dhe formave të tjera të diskriminimit. Por kjo përqasje është jo më shumë radikale sa edhe vetë demokracia dhe ka kontribuuar shumë për progresin shoqëror të Amerikës, veçanërisht që nga lëvizja e të drejtave civile të viteve 1950 dhe 1960.

Pavarësisht kësaj, një pjesë e madhe e njerëzve – në veçanti ata që përfitojnë nga sistemi i padrejtë – do t’i rezistojnë progresit shoqëror, pavarësisht se sa fort argumenton media për të. Dhe ata do të përqafojnë udhëheqës politikë dhe burime lajmesh që ofrojnë një realitet alternativ në të cilat pozicioni i tyre arsyetohet, mbrohet dhe mbështetet.

Kjo e gjitha vështirë se është një fenomen thjeshtë amerikan. Në Japoni, progresi drejt barazisë gjinore ka qenë i ngadaltë, pavarësisht përfitimeve të dukshme që vijnë nga rritja e pjesëmarrjes së grave në forcën e punës në kushtet kur popullsia po plaket me shpejtësi. Gati tetë vjet më parë, ish-kryeministri Shinzo Abe ndërmori politika që synonin të vilnin këto përfitime ekonomike – politika që morën nofkën “ekonomiksi-i-grave” – një prej shtyllave të “Abenomics”, strategjisë për rigjallërim të ekonomisë. Por Japonia ka ende një rrugë të gjatë për të bërë, kryesisht për shkak të rezistencës shoqërore.

Kapërcimi i kësaj rezistence ndaj progresit – në SHBA, Japoni dhe kudo tjetër – do të kërkojë jo vetëm informacion, por bindje. Komunikimi duhet të jetë këmbëngulës, jo kërcënues, dhe i orientuar nga njerëzit, me synimin jo për t’i thënë njerëzve se çfarë është gabim por me synimin për të ndikuar mbi mënyrën se si ata e perceptojnë problemin.

Biden nuk e bën dot këtë vetëm. SHBA ka nevojë për një përpjekje bipartizane e udhëhequr nga udhëheqësit më të lartë politikë të vendit. Për fat të mirë, paketa në e fundit e ndihmës për COVID-19 e cila u miratua me një mbështetje dërrmuese bipartizane pavarësisht kundërshtimeve të Trump, ofron arsye për shpresë se kjo nuk është e pamundur.

Republikanët dhe Demokratët nuk do të bien kurrë dakord për çdo gjë dhe në fakt kështu duhet të jetë sepse një demokraci e gjallë mbështetet te debatet e zjarrta. Por ata duhet të jenë dakord mbi faktet empirike. Vetëm pas kësaj ata mund të hartojnë politika në mirëbesim dhe të gjejnë kompromise në përfitim të përbashkët si dhe të mbrojnë demokracinë e SHBA-së nga aspirantët për diktatorë që janë të gatshëm të shfrytëzojnë ndasitë konjiktive të Amerikës.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Preventing “Trump 2024”