Një investigim i publikuar nga BIRN zbuloi se Policia Bashkiake e Tiranës ka gjobitur gjatë vitit 2017 dhe për 6-mujorin e parë të 2018-ës, rreth 21 mijë nga shitësit ambulantë.
Lufta për mbijetesë e mijëra qytetarëve të Tiranës dhe fshatrave përreth, të cilët e sigurojnë jetesën përmes shitjes së produkteve të tyre ushqimore me pakicë në rrugët e kryeqytetit është kthyer në një lojë si e maces me miun nga Policia Bashkiake e Tiranës.
Rreth 21 mijë shitës ambulantë janë gjobitur me gjoba nga 500 deri në 5000 lekë në një vit e gjysmë, ndërsa ambulantët e prekur tregojnë për keqtrajtim, dëme monetare dhe sekuestrim kontravers të mallit, duke i lënë ata pa mjete të tjera për të siguruar jetesën.
Edhe vetë një ish-shitës fiqsh, kryebashkiaku socialist i Tiranës Erion Veliaj që vuri prejardhjen nga shtresa punëtore si moto të fushatës elektorale në zgjedhjet vendore 2015, në tre vite të mandatit të tij ka marrë një sërë masash të rrepta “për lirimin e hapësirave publike”, të cilat shumëkush i ka parë si të tepruara dhe që po i rëndojnë në kurriz më të varfërve.
Këto janë një seri imazhesh të fotografuara përgjatë tre viteve të fundit të shitësve ambulantë të Tiranës, të cilët sistematikisht po përjetojnë mësymje të Policisë Bashkiake, ndërsa dalin në rrugët e kryeqytetit për të siguruar një sasi modeste për jetesën ditore. Identiteti i personave në foto është fshehur për shkak të frikësimit të shitësve ambulantë për masa ndëshkuese ndaj tyre nga Policia Bashkiake.
Klikoni këtu për të lexuar investigimin e gazetares Lindita Çela.