Kriza e azilkërkuesve është krijuar jo nga numrat e migrantëve që po dynden në dyert e BE-së, por nga mungesa e një politike tërësore të BE-së. Dhe zgjidhja, sugjeron George Soros, qëndron pikërisht këtu, një politikë tërësore europiane për problemin dhe jo në vendosjen e barrierave kufitare.
Bashkimi Europian ka nevojë të pranojë përgjegjësinë për mungesën e një politike të përbashkët mbi azilin, gjë që e ka kthyer fluksin e shtuar të refugjatëve nga një problem i menaxhueshëm në një krizë tjetër politike. Secili nga vendet anëtare në mënyrë egoiste është fokusuar te interesat e veta, shpesh duke punuar kundër interesave të të tjerëve. Kjo ka përshkallëzuar ndjesinë e panikut mes azilkërkuesve, publikut të gjerë dhe autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe rendit. Azilkërkuesit kanë qenë viktimat kryesore.
BE-ja ka nevojë për një plan tërësor për t’iu përgjigjur krizës, një plan që rithekson qeverisjen efektive të fluksit të azilkërkuesve në mënyrë që ata të marrin një vend në një mënyrë të sigurtë dhe me rregull dhe në një shkallë që duhet të jetë në përputhje me kapacitetin e Europës për t’i përthithur ata. Që të jetë tërësor, plani duhet të shtrihet përtej kufijve të Europës. Është shumë më pak trazuese dhe shumë më e lirë të mbash azilkërkuesit potencialë në vendet ku ata gjenden aktualisht.
Për shkak se origjina e krizës aktuale është Siria, fati i popullit të Sirisë duhet të jetë prioriteti kryesor. Por azilkërkuesit e tjerë dhe refugjatët nuk duhet të harrohen. Në mënyrë të ngjashme, një plan Europian duhet të shoqërohet me një përgjigje globale, nën autoritetin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe që përfshin vendet anëtare të OKB-së. Kjo gjë do të shpërndajë barrën e krizës së Sirisë mbi një numër më të madh vendesh anëtare ndërsa do të krijojë njëkohësisht standarde ndërkombëtare për mënyrën e trajtimit të migrimit të detyruar në përgjithësi.
Këtu po jap gjashtë komponentë të një plani tërësor.
E para, BE-ja duhet të pranojë së paku një milionë azilkërkues në vit për vitet e ardhëshme. Dhe për ta bërë këtë, barra do të duhet të ndahet në mënyrë të drejtë – një parim që shumica e cilësuar e themeloi më në fund në samitin e të mërkurës.
Financimi i përshtatshëm është me rëndësi kritike. BE-ja duhet të japë 15 mijë euro për azilkërkues për secilin nga të dy vitet e para për të mbuluar nevojat për strehim, kujdes shëndetësor dhe arsim – dhe ta bëjë pranimin e regugjatëve më joshësh për vendet anëtare. Ajo mund të rrisë këto fonde duke emetuar bonde afatgjata përmes shfrytëzimit të kapacitetit të vet në tërësi të pashfrytëzuar për të marrë hua me bonde të cilësisë më të lartë AAA, gjë që përveç ndihmës për azilkërkuesit, do të japë edhe përfitimin shtesë të krijuar nga një stimul fiskal për ekonominë e Europës.
Është po kaq e rëndësishme që të lejohen si shtetet ashtu edhe azilkërkuesit të shprehin preferencat e tyre, duke përdorur sasinë më të vogël të mundshme të imponimit. Vendosja e regugjatëve atje ku ata dëshirojnë – dhe atje ku janë të kërkuar – është një sine qua non për suksesin.
E dyta, BE-ja duhet të udhëheqë përpjekjet botërore për të ofruar financime të përshtatshme për Libanin, Jordaninë dhe Turqinë, në mënyrë që të mbështeten katër milionë refugjatët që aktualisht jetojnë në këto vende.
Deri tani, vetëm një pjesë e vogël e financimeve të kërkuara janë dhënë, pavarësisht se këto financime mbulojnë vetëm kujdesin bazë. Nëse arsimimi, trajnimi dhe gjëra të tjera të nevojshme përfshihen, kostot vjetore janë së paku 5 mijë euro për refugjat, ose rreth 20 miliardë euro. Ndihma e BE-së për Turqinë, megjithëse u dyfishua javën e kaluar, është ende vetëm 1 miliardë. Përveç kësaj, BE duhet të ndihmojë gjithashtu në krijimin e zonave ekonomike speciale me status tregtar preferencial në rajon, përfshirë Tunizinë dhe Marokun, për të tërhequr investime dhe për të gjeneruar vende pune si për vendësit ashtu edhe për refugjatët.
BE-ja duhet të ndërmarrë një angazhim vjetor për vendet pranë luftës prej së paku €8-10 miliardë ndërsa pjesa tjetër duhet të jepen nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e botës. Kjo mund t’i shtohet sasisë së bondeve afatgjata të emetuara në mbështetje të azilkërkuesve në Europë.
E treta, BE-ja duhet menjëherë të fillojë ndërtimin e një agjencie unike për Azilin dhe Migrimin në BE dhe rrjedhimisht të krijojë edhe një roje kufitare të përbashkët. Struktura aktuale me 28 sisteme të veçanta azili nuk funksionon: ajo është e kushtueshme, ineficente dhe prodhon rezultate shumë tepër jokonsistente në përcaktimin se cili përmbush kushtet e azilit. Agjencia e re mund të përshpejtojë gradualisht procedurat; të themelojë rregulla të përbashkëta punësimi dhe sipërmarrjeje si dhe përfitime konsistente; dhe të zhvillojë një politikë efektive në përputhje me respektimin e të drejtave për kthimin e migrantëve të cilët nuk i plotësojnë kushtet për azil.
E katërta, kanale të sigurta duhet të krijohen për azilkërkuesit, duke filluar nga marrja e tyre nga Greqia dhe Italia deri te vendet e destinacionit. Kjo është shumë urgjente në mënyrë që të ulet paniku. Hapi i ardhshëm logjik ëstë që të zgjerohen vendet e sigurta në rajonin pranë luftës, rrjedhimisht duke reduktuar numrin e migrantëve që ndërmarrin kalimin e rrezikshëm të Mesdheut. Nëse azilkërkuesit kanë një mundësi të arsyeshme për të mbërritur më në fund në Europë, ata kanë shumë më tepër gjasa të qëndrojnë atje ku janë. Kjo kërkon negocime me vendet pranë lufte, në bashkëpunim me Agjencinë e OKB-së për Refugjatët, për të krijuar qendra përpunimi atje – ku Turqia duhet të jetë prioriteti.
Rregullat operacionale dhe financiare të zhvilluara nga BE duhet të përdoren për të themeluar standarde botërore për trajtimin e azil-kërkuesve dhe migrantëve. Kjo është pjesa e pestë e planit tërësor.
Në fund, për të përthithur dhe integruar më shumë se 1 milionë azilkërkues dhe migrantë në vit, BE-ja duhet të mobilizojë sektorin privat – organizatat jofitimprurëse, grupet e kishave dhe bizneseve – për të vepruar si sponsorë. Kjo do të kërkojë jo vetëm financime të mjaftueshme por edhe kapacitete njerëzore dhe të teknologjisë së informacionit për të lidhur migrantët dhe sponsorët.
Eksodi nga Siria e shkatërruar nga lufta nuk duhet të bëhet kurrë një krizë. Ajo qe një ngjarje që u zhvillua ngadalë dhe lehtësisht e parashikueshme, për rrjedhojë e menaxhueshme nga Europa dhe bashkësia ndërkombëtare.
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán tashmë ka prodhuar një plan me gjashtë pika për të trajtuar këtë krizë. Por plani i tij, i cili ia nënshtron të drejtat e njeriut të azilkërkuesve sigurisë së kufijve, rrezikon të përçajë dhe shkatërrojë BE-në duke sugjeruar se duhet të hiqet dorë nga vlera mbi të cilat BE-ja u ndërtua dhe duke dhunuar ligjet që supozohet se qeverisin BE-në.
BE-ja duhet të përgjigjet me një politikë të sinqertë europiane mbi azilin, politikë që duhet t’i japë fund panikut dhe vuajtjeve njerëzore të panevojshme.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Rebuilding the Asylum System