Me shpresën për ta bërë qytetin një vend më të pastër, por edhe për të sensibilizuar të tjerët për ruajtjen e mjedisit, një grup vullnetarësh nga Tirana, pastruan të martën bishtat e cigareve nga Pedonalja deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Një grup vullnetarësh nga Tirana, u mblodhën të martën pasdite për të kryer një aksion pastrimi nga Pedonalja deri në sheshin Nënë Tereza, duke pasur në fokus bishtat e cigareve të hedhura nga kalimtarët.
Pjesë e një lëvizje ndërkombëtare, organizata Green Line Albania, prej gjashtë vitesh mbledh vullnetarë nga e gjithë Shqipëria në fushata pastrimi të zonave ku është më e nevojshme.
Duke i cilësuar bishtat e cigareve si një nga ndotësit më të zakonshëm të rrugëve, me ndikim të dëmshëm për mjedisin, Ervin Shehu, iniciator i nismës vullnetare thotë se është e rëndësishme të jepet shembulli i mirë.
“Një bisht cigare përmban rreth 165 kimikate të ndryshme, të gjitha shumë të rrezikshme për mjedisin” tha Shehu për BIRN, duke shtuar se organizata ka mundur të mbledhë rreth 700.000 vullnetarë dhe të pastrojë mbi 50.000 ton mbeturina në të gjithë Shqipërinë.
Ndërsa përparojnë ngadalë nëpër zonat e rrahura nga shumë qytetarë, vullnetarët përballen me habinë por edhe përgëzimet për nismën.
Vullnetarët e tjerë thanë për BIRN se ata thjesht po përpiqen të ndikojnë sadopak pozitivisht në pastërtinë e mjedisit që i rrethon dhe se të qenët shembulli pozitiv i bën të ndihen krenarë për veten.
“Ka plot, por besoj se do të bëjmë kontributin tonë dhe do t’i pakësojmë me aq sa mundemi,” – u shpreh një vullnetare tjetër.
Aksioni i të martës ia doli të mbledhë rreth 10 mijë bishta cigaresh në një kohë të shkurtër, ndërsa organizatorët shprehen se nisma të tilla që e shfrytëzojnë kohën e lirë për aktivizëm të gjelbër do të vazhdojnë.