Organizata Europa Nostra përfshiu Teatrin Kombëtar në listën e 7 ndërtesave më të rrezikuara në Europë. Policia shoqëron për shkelje të karantinës aktivistët që dolën për të njoftuar publikisht vendimin.
Organizata Europa Nostra njoftoi të martën përfshirjen e godinës së Teatrit Kombëtar në listën e 7 objekteve të rrezikuara në Europë, duke e cilësuar atë “Shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane të viteve 1930, i cili është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend”. Organizata po ashtu shprehet se godina përballej me “rrezikun e afërt të shembjes”.
Ndërkohë një konferencë e improvizuar për mediat në sheshin e teatrit nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për të njoftuar këtë vendim, u ndërpre nga policia që shoqëroi regjizorin Robert Budina dhe arkitiketin Kreshnik Merxhani, me arsyetimin se kishin shkelur rregullat e karantinës.
Gentian Gaba, një prej aktivistëve të pranishëm, i tha BIRN se policia e kishte konsideruar komunikimin për shtyp si një tubim dhe për këtë kishte ndaluar organizatorët. Gaba tha se aktivistët, kishin marrë masa për distancat dhe nuk e kishin kundërshtuar policinë dhe se e cilësonin ndërhyrjen të ashpër, por theksoi se për ta e rëndësishme ishte listimi i teatrit në krye të listës së Europa Nostras dhe se kjo mundësonte gjetjen e financimeve për rikonstruksionin e tij. “Ajo që ka rëndësi është që teatri është tashmë një monument i mbrojtur nga Europa Nostra”, tha Gaba.
Teatri u propozua në Europa Nostra prej Fondacionit Gjirokastra, pas kërkesave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila proteston prej më shumë se 2 vjetësh kundër projektit kontravers të qeverisë për të prishur godinën, i cili më herët përfshinte fillimisht dhënien me koncesion të ndërtimit të godinës dhe dhënien e hapësires publike rreth saj për koncesionarin.
Por pas protestave dhe kundërshtimeve ndaj ligjit special që ia pati taksur koncesionin kompanisë Fusha Shpk dhe dështimit të një tenderi që u shpall pas protestave ndaj ligjit, Bashkia e Tiranës njoftoi se teatri i ri do të ndërtohej me fonde publike, një mundësi që ishte mohuar më herët nga autoritetet.
Aktivistët e kanë kundërshtuar edhe këtë projekt, ndërsa vendimi i Europa Nostra për ta përfshirë Tetrin Kombëtar në objektet e mbrojtura ka ringjallur shpresat për restaurimin e tij. “Ky ishte lajmi më domethënës në një përpjekje që filloi gati njëzet vjet më parë dhe kulmoi dy vitet e fundit, me qëndresën titanike të artistëve, profesionistëve, aktivistëve dhe qytetarëve që mbrojtën Teatrit Kombëtar nga tentativa e autoriteteve shqiptare, përkatësisht, pushteti qendror dhe ai vendor, për ta shembur”, thuhet në një komunikatë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Bashkë me teatrin në listë janë , kështjella Jezeří, Horní Jiřetín në Çeki, kështjella e Sammezzanos, Toskanë, Itali, Blloku Y, Lagjja Qeveritare, Oslo, Norvegji, Centrali elektrik Szombierki, Bytom në Poloni, Fortesa e Beogradit dhe rrethinat e saj në Serbi, Stadiumi Pleçnik, Ljubljanë, Slloveni.
“Lista e 7 vendndodhjeve më të rrezikuara 2020 mbulon një shumëllojshmëri vendndodhjesh të trashëgimisë, që po përballen me lloje të ndryshme kërcënimesh serioze. Të gjitha këto thesare të trashëgimisë tregojnë një histori europiane që është pjesë e kulturës dhe historisë sonë të përbashkët. Duke i vendosur ato në listën tonë ne u dërgojmë komuniteteve dhe aktivistëve përkatës një mesazh të fuqishëm solidariteti: përpjekjet tuaja për të shpëtuar këto vendndodhje mbështeten nga lëvizja jonë e gjerë e trashëgimisë europiane,” tha Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger.
Në komunikimin e saj organizata thotë se ndërsa përzgjedhja nuk siguron financim të ndrejtpërdrejtë ajo “rrit ndërgjegjësimin, përgatit vlerësime të pavarura dhe propozon rekomandime për veprim.Shpesh shërben si katalizator dhe nxitje për mobilizimin e mbështetjes së nevojshme publike ose private, duke përfshirë edhe mbështetjen financiare”.
Aktivistë të mbrojtjes së Tetrit Kombëtar i thanë BIRN se përzgjedhja jepte shpresë për të siguruar financime dhe restaurimin e godinës.