Përgjegjësi teknik i një guroreje në malin e Tomorrit është proceduar penalisht pas vdekjes si pasojë e një aksidenti në punë të një fadromisti 36-vjeçar.
Ndonëse, vetë Ministri Blendi Klosi, ka deklaruar disa herë se aktiviteti i guroreve në malin e Tomorit ka marrë fund, një i ri vdiq në një aksident në punë në një gurore javën që shkoi.
Besnik Kanani, 36 vjeç, humbi jetën mesditën e së shtunës, 20 prill, në guroren ku nxirrej gurë dhe mermer, në afërsi të fshatit Devri, në malin e Tomorit.
Kanani, baba i tre fëmijëve, banor i fshatit Fushë-Peshtan, në Poliçan, sipas policisë humbi jetën në mënyrë aksidentale, ndërsa drejtonte një mjet, tip fadromë të ngarkuar me materiale guri.
Prej vitesh punëtor fadrome në subjektin privat të Nxjerrjes së Gurit Gëlqeror të Mermerizuar, 36 vjeçari humbi kontrollin mbi mjetin dhe ra prej tij, duke përfunduar në tokë dhe humbi jetën , pa mundur të marrë as ndihmën e parë shëndetësorë në spital.
11 firma private u pezulluan nga aktiviteti nxjerrjes së gurit, në malin Tomor, gjatë vitit të kaluar, një pjesë e të cilave fituan betejën ligjore me Ministrinë e Mjedisit dhe vazhdojnë punën me gjithë kontrollet e ushtruara atje.
Policia në Qarkun e Beratit, e konsideroi vdekjen e Kananit si aksidentale, ndërkohë që vetëm mesditën e së martës, u bë e ditur se në lidhje me vdekjen e 36 vjeçarit, çështja ka kaluar në organin e akuzës.
Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit, bëjnë me dije se në lidhje me këtë çështje procedohet penalisht, 77-vjeçari Vangjel Demiri, tekniku i firmës së Nxjerrjes së Gurit Gëlqeror të Mermerizuar, ku ishte punësuar Kanani.
Demiri, me banim në Tiranë, mësohet se prej vitesh shërbente si teknik i subjektit dhe proçedohet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Nga ana tjetër burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se tashmë çështja është në duart e prokurorisë, ku është bllokuar dhe dosja me provat e marra nga vendi i ngjarjes dhe dokumentacioni i subjektit.
Agjensia Rajonale e Mjedisit në Berat, sëbashku me Zyrën e krimit Ekonomik, Financiar, prej muajsh mësohet se mbajnë nën kontroll aktivitetin e gurit dhe mermerit në fshatrat Novaj, Dëvri dhe Nishovë, në malin Tomor. Sipërfaqja e konsiderueshme brenda Parkut të Tomorit, por dhe jashtë tij duket se e ka bërë të pamundur mbajtjen nën kontroll të këtij aktiviteti, i cili vijon ende.