Reportazh25 Apr 2021

Teknologji dhe ‘patronazhistë’: Votimi elektronik streson të moshuarit

Votuesit e njësisë numër 10 në Tiranë aplikuan për herë të parë votimin elektronik - një proces që u testua i vështirë për të moshuarit, të cilët u shoqëruan në dhomën e fshehtë nga të afërmit ose u udhëzuan në distancë nga komisionerët.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Një votuese në shkollën Dora D’Istria në Tiranë ankohet se sistemi elektronik është i paqartë. Foto: Aleksandra Bogdani.

Silvana Lamaj, sekretare në njërën prej shtatë qendrave të votimit në shkollën “Dora D’Istria” në Tiranë është një komisionere e sprovuar e Partisë Socialiste, e megjithatë mëngjesin e së dielës e nisi punën me ankth.

Ajo e shpjegoi arsyen e shqetësimit të saj me testimin për herë të parë të identifikimit dhe votimit elektronik – një kërkesë e hershme e partive politike në Shqipëri, por që vazhdon të shihet po prej tyre me rezerva dhe mosbesim.

“Në fillim kishim probleme, sidomos me moshat e treta, por tani çdo gjë po shkon mirë,”tha e lehtësuar Lamaj rreth orës 10.30.

Shqipëria aplikoi për herë të parë identifikimin elektronik të votuesve më 25 prill, ndërsa një numër i kufizuar prej 23 619 zgjedhësish të njësisë numër 10 në Tiranë ishin të parët që testuan votimin elektronik, si pjesë e një projekti pilot të KQZ. Teknologjia e identifikimit dhe e votimit elektronik u mundësua nga kompania “Smartmatic International Holding B.V” dhe u kushtoi taksapaguesve shqiptarë rreth 20.9 milionë dollarë.

BIRN vëzhgoi paraditen e së dielës katër nga pesë shkollat ku aplikohej votimi elektronik në Tiranë dhe ku operatorët e KQZ-së simulonin procesin në kompjuterat e vendosur për provë në korridoret e qendrave të votimit.

E megjithatë, procesi u testua veçanërisht stresues për të moshuarit –një pjesë e së cilëve u shoqëruan në dhomën e fshehtë nga familjarët e tyre, ndërsa pjesa tjetër u ndihmua me udhëzime në distancë nga komisionerët.

Paralelisht me teknologjinë e lartë të testuar në këto zgjedhje, BIRN vëzhgoi pranë qendrave të votimit edhe disa mbështetës të partive kryesore që tentonin të orientonin votuesit apo të ashtuquajturit “patronazhistë” me lista votuesish në duar.

Mes votuesve, kishte edhe nga ata që u shqetësuan se votimi elektronik mund t’u ekspozonte fshehtësinë e votës.

“Çfarë është kjo?” tha një grua e moshuar, duke treguar nga kompjuteri i përdorur për testime të votimit elektronik. “Këtu vota duket ashiqare,” replikoi ajo, ndërsa u ankua se kishte ardhur nga Golemi në Tiranë për të votuar.

Në shkollën “Kristofor Kristoforidhi”, që ndodhet në fundin e rrugicës së tregut Çam në Tiranë, korridori i ngushtë hyrës ndahej mes operatorit të KQZ-së dhe një grupi grash, të cilat e identifikuan veten si mbështetëse të PS-së.

Me lista emrash mbi tavolinë, ato vendosnin kryqe sa herë u afrohej apo shikonin ndonjë votues të njohur.

BIRN ishte i pranishëm në një moment të shkurtër tensioni, ku një djali i ri në moshë iu afrua atyre dhe u tha se po intimidonin votuesit. Gratë e mohuan një gjë të tillë.

“Ishte i palës tjetër,” tha njëra prej tyre. E pyetur nga BIRN se çfarë roli kishte brenda korridorit të shkollës, gruaja u përgjigj: “Unë jam kryeplakë në lagje dhe po shikoj ata të pallatit tim”.

Ylli Alia, kryetari i njërës prej 4 qendrave të votimit në shkollën “Kristofor Kristoforidhi” i tha BIRN se KQZ duhej t’i kishte trajnuar votuesit, veçanërisht ata të moshuarit për votimin elektronik.

“Ka munguar trajtimi i votuesve. Edhe KQZ, edhe media duket se nuk ka bërë shumë informim,” tha ai.

Radhe votuesish në mesditë në njërën prej qendrave të votimit në gjimnazin “Qemal Stafa”.

Në shkollën “Avni Rustemi” dhe gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, komisionerët thanë se votimi elektronik kishte ecur shumë mirë, por u ankuan për bllokimin në disa raste të pajisjeve të identifikimit elektronik.

Endri Bogdani, komisioner i PD-së në njërën prej qendrave të votimit të vendosura në shkollën “Avni Rustemi” tha se disa prej votuesve ishin detyruar t’i regjistronin manualisht.

“Për 15 vetë, aparatura nuk i ka lexuar shenjat e gishtave. Në përputhje me udhëzimet e KQZ-së i kemi mbajtur shënim manualisht,” tha Bogdani.

Edhe në gjimnazin “Qemal Stafa”, teknologjia e re nuk ka kaluar pa teka dhe në pak raste, aparaturat i kanë lexuar kartat si të skaduara. Megjithatë, komisionerët sigurojnë se askush nuk mbeti pa votuar.

“Në këto raste kemi mbajtur proces-verbal, kemi verifikuar dokumentet dhe kemi vazhduar me votimin,” tha komisioneri.

Për shkak të teknologjisë, rezultati i njësisë 10 pritet të kalkulohet në orën 20:00 të së dielës, por KQZ duket se ka vendosur ta vonojë shpalljen për të mos ndikuar në proces. Komisionerët duken megjithatë të kënaqur që maratona e tyre mbyllet me ditën e votimit.

“Për ne puna më e madhe mbyllet sot, se ne nuk numërojmë,” përfundoi njëri prej komisionerëve.