Në përpjekje për të kapur opozitën të papërgatitur, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi seancë plenare për të martën, por pa dhënë orar për fillimin e saj ndërsa policia deklaroi se “refuzon” njoftimin e opozitës për protestë të martën.
Palët politike në Shqipëri po përgatiten për përplasje të reja këtë javë pasi opozita duket e vendosur të zhvillojë protesta sa herë që Kuvendi i Shqipërisë zhvillon seanca plenare ndërsa kryetari socialist i kuvendit Gramoz Ruçi po ndryshon ditët dhe orët e seancave pa paralajmërim, një strategji që duket se synon të kapë opozitën të papërgatitur për protestë.
Të dielën, Policia e Shtetit ktheu përgjigje ndaj një njoftimi për protestë të opozitës duke thënë se “kërkesa refuzohet”, ndërsa Partia Demokratike iu përgjigj duke thënë se policia është njoftuar për protestë, por prej saj nuk është kërkuar leje.
Policia thotë se shkak për refuzimin e lejes është dhuna e përdorur më 26 shkurt si dhe thirrjet e organizatorëve për dhunë. Opozita nga ana e saj ka kritikuar policinë për përdorim disiproporcional të gazit lotsjellës në protestën e kaluar.
Klima politike në Shqipëri u përkeqësua gjatë javës së kaluar pas një proteste të opozitës pranë Kuvendit të Shqipërisë, më 26 shkurt e cila përfundoi me dhunë dhe gaz lotsjellës ndërsa disa deputetë të maxhorancës u ankuan se siguria e tyre fizike ishte kërcënuar ndërsa bënë kërcënime nga ana e vet.
Opozita ka njoftuar se protestën e ardhshme do ta zhvillojë të martën, duke filluar nga ora 9.30 e mëngjesit. Të dielën, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi vendosi thirrjen e seancës plenare të kuvendit të martën, ndërkohë që kuvendi zakonisht mblidhet në seanca plenare të enjten. Ndryshe nga sa ndodh zakonisht, vendimi i Ruçit [link] përcakton datën por jo orën e seancës plenare.
Partitë kryesore të opozitës në Shqipëri tërhoqën deputetët e tyre nga kuvendi duke dhënë dorëheqjen në masë në përpjekje për të paralizuar jetën parlamentare dhe në kërkim të rrëzimit të qeverisë dhe thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme. Maxhoranca ka deklaruar se ka ndër mend të vijojë punën si zakonisht dhe se Kuvendi i Shqipërisë mund të funksionojë edhe pa praninë e opozitës. Maxhoranca ka refuzuar kërkesën për zgjedhje të parakohshme dhe ka shpallur synimin për të qeverisur deri në vitin 2021, kur skadon mandati i parlamentit aktual.
Opozita është përpjekur të bllokojë jetën parlamentare duke organizuar protesta bllokuese përreth selisë së kKuvendit të Shqipërisë në rrugën George Bush në Tiranë.