Një punonjës policie u dhunua dhe më pas mbeti i plagosur me një plumb në këmbë, ndërsa tentoi të shuante një konflikt mes tre vëllezërve në qytetin e Beratit. Policia arreston autorët.
Një efektiv policie mbeti i plagosur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Beratit, ndërsa kishte shkruar për të shuar një konflikt familjarë, ndërkohë që policia deklaroi paraditen e së enjtes prangosjen e dy autorëve të dyshuar të ngjarjes dhe shpalli në kërkim vëllain e tyre.
Një telefonatë e mbërritur në sallën operative të policisë njoftoi se në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në hyrje të qytetit të Beratit po konfliktoheshin disa persona. Grupi i gatshëm mësohet se mbërriti në orën 20:30 të mbrëmjes së mërkurë në një lokal në këtë lagje, ku nga verifikimi i parë u mësua se bëhej fjalë për një konflikt mes tre vëllezërve dhe bashkëshortes së njërit prej tyre.
Një grup punonjësish të policisë shkuan në vendin e konfiktit për të shuar sherrin, por sipas njoftimit të policisë, njëri prej tyre mbeti i plagosur.
“Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të policisë, tre vëllezërit kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar t’i marrin armën e shërbimit njërit prej punonjësve të policisë dhe gjatë konfrontimit fizik dyshohet se arma ka kryer qitje të pavullnetshme ku është plagosur në këmbë efektivi,” tha policia e Beratit në një njoftim zyrtar.
Një punonjës i repartit të Kirurgjisë në spitalin e Beratit i tha BIRN se efektivi i policies, Juljan Xhelili, 24 vjeç, mbërriti me një plagë në këmbë të shkaktuar me armë zjarri. Ai është transferuar në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar.
Policia njoftoi gjithashtu se ishin ndaluar tre prej shkaktarëve të konfliktit, ndërsa njëri prej vëllezërve u shpall në kërkim.
Sipas Prokurorisë së Beratit, tre vëllezërit dyshohet se kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike dhe po hetohen për veprat penale të “plagosjes së rëndë me dashje”, “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “kundërshtim të punonjësve të policisë”.