Lajm9 Jul 2019

Tentuan të fusnin drogë në burg me dron, gjykata lë në burg dy nga të arrestuarit

Gjykata e Lezhës la në burg dy nga tre personat që dyshohet se tentuan të fusnin drogë dhe celularë me dron në mjediset e burgut të Shënkollit disa ditë më parë.

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Të arrestuarit duke hyrë në Gjykatën e Lezhës. Foto:Elvis Hila

Mentadent Veinca dhe Xhefri Lumaj, të akuzuar për tentativë futjesh sendesh të ndaluara në burg,  u lanë me masë sigurie në burg nga Gjykata e Lezhës. Personi i tretë i arrestuar me ta më 6 korrik Xhulio Kola, u la nën masën e sigurisë arrest shtëpie. Seanca në ngarkim të tre të ndaluarve u zhvillua me dyer të mbyllura ditën e martë në Gjykatën e Faktit Lezhë.

Gjykata e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e tyre në flagrancë dhe ata akuzohen per “Futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” e mbetur ne tentative. BIRN nuk mundi të kontaktonte me avokatët mbrojtës deri para publikimit të këtij shkrimi.

Ndërkohë mësohet se ende nuk është zbuluar i dënuari për të cilin ishte e destinuar droga dhe celularët.

Tentativa u zbulua në orët e vona të mbrëmjes së datës 6 korrik, në rrethimin e jashtëm të burgut të Lezhës. Punonjësit e Policisë që kryenin shërbim konstatuan se aty po fluturonte një dron, i cili ka hyrë në zonën e ndaluar. Ata menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës, e ndërsa në mbështetje të tyre shkuan edhe FNSH e Shkodrës.

Pas bllokimit të dronit, policia gjeti të lidhura në një qese plasmasi 7 pako me lëndë narkotike si dhe tre telefona celularë me tre karta. 3 personat që dyshohet se po drejtonin dronin u arrestuan në flagrancë 1 km larg burgut të Shënkollit dhe  brenda automjetit të tyre u gjet edhe telekomanda e mjetit.