Analize23 Feb 2016

Teoria e Përgjithshme e Keynes mbush 80 vjeç

Në vitin 1936, kryevepra e John Maynard Keynes, Teoria e Përgjithshme e Punësimit, Interesit dhe Parasë, u publikua. Por pyetja shtrohet se sa e rëndësishme vijon të mbetet teoria e Kejnesit në ditët tona, pasi ajo revolucionarizoi mënyrën se si politikëbërësit i janë përqasur problemeve ekonomike që nga ajo kohë?

Autor: Robert Skidelsky Project Syndicate Londër
Printo

John Maynard Keynes

John Maynard Keynes

Më 1935, John Maynard Keynes i shkroi George Bernard Shaw: “Unë besoj se po shkruaj një libër mbi teorinë ekonomike i cili do të revolucionarizojë gjerësisht – besoj jo menjëherë, por brenda dhjetë viteve të ardhshme – mënyrën se si bota mendon mbi problemet e ekonomisë.” Dhe, me të vërtetë, kryevepra e Keynes, Teoria e Përgjithshme e Punësimit, Interesit dhe Parasë, e publikuar në shkurt 1936, transformoi ekonomiksin dhe politikëbërjen ekonomike. Por, tetëdhjetë vjet më pas, a është ende e vlefshme teoria e Keynes?

Dy elementë të asaj që na la pas Keynes duket se janë të sigurta edhe sot. E para, Keynes shpiku makroekonominë – teorinë e prodhimit si një tërësi. Ai e quajti teorinë e tij “të përgjithshme” për ta dalluar atë nga teoria para-Kejsianiste, e cila supozonte se në një nivel unik prodhimi siguronte punësim të plotë.

Duke demonstruar se si ekonomiksi mund të mbetej i mbërthyer në një ekujlibër të “nënpunësimit”, Keynes e sfidoi teorinë qendrore të ekonomiksit orthodoks të kohës së tij: atë që tregjet për të gjitha mallrat, përfshirë punën, përcaktohen njëkohësisht nga çmimet. Dhe sfida e tij nënkuptonte një dimension të ri në politikëbërje: qeveritë mund të kenë nevojë të punojnë në kushtet e deficiteve buxhetore për të siguruar punësim të plotë.

Ekuacionet agregate që janë në thelb të “teorisë së përgjithshme” të Keynes vijojnë të gjenden me shumicë në librat shkollorë të ekonomiksit si dhe t’i japin formë politikave makroekonomike. Edhe ata që këmbëngulin se ekonomitë e tregut kanë gjithmonë tendencën të sigurojnë punësim të plotë janë të detyruar të argumentojnë çështjen e tyre brenda kuadrit bazë që u krijua pikërisht nga Keynes. Bankierët qendrorë i përshtasin normat e interesit për të siguruar balancë mes kërkesës dhe ofertës totale, për shkak se, falë Keynes, dihet se ekujlibri mund të mos ndodhë automatikisht.

Trashëgimia e dytë më e madhe e Keynes është koncepti se qeveritë mundet dhe duhet të parandalojnë depresionet ekonomike. Pranimi i gjerë i këtij këndvështrimi mund të shihet në dallimin themelor mes reagimit të fuqishëm përmes politikave pas kolapsit të viteve 2008-2009 dhe reagimit shumë pasiv të qeverive pas Depresionit të Madh të viteve 1929-1932. Siç pranoi nobelisti Robert Lucas, një kundërshtar i Keynes, në vitin 2008: “ma ha mendja se çdokush në strofkullën e tij është një Kejsianist.”

Pasi të themi këtë, duhet të shtojmë se teoria e Keynes për ekujlibrin e “nënpunësimit” nuk është më e gjithëpranuar nga shumica e ekonomistëve dhe politikëbërësve. Kriza financiare botërore e vitit 2008 e vë këtë në dukje. Kolapsi diskretitoi versionin më ekstrem të një ekonomie që vetërregullohej në mënyrë optimale; por ajo nuk e riktheu prestigjin e përqasjes Kejsianiste.

Që të jemi të sigurtë, masat e ndërmarra në bazë të teorisë së Keynes e ndaluan rrëzimin e ekonomisë botërore. Por ato i mbingarkuan gjithashtu qeveritë me deficite të stërmëdha, të cilat shpejt filluan të shihen si pengesa të rënda për rimëkëmbjen – pikërisht e kundërta e asaj që pati lekturuar Keynes. Ndërsa papunësia është ende e latrë, qeveritë i janë rikthyer orthodoksisë para-Kejsianiste, duke ulur shpenzimet dhe duke reduktuar deficitet e tyre – dhe duke shkurtuar rimëkëmbjen ekonomike në këtë proces.

Ka tri arsye bazë për këtë regresion. E para, besimi se çmimet kanë fuqi të spastrojnë tregun e punës në një ekonomi kapitaliste nuk qe një teori që u rrëzua përgjithmonë. Shumica e ekonomistëve mendojnë se papunësia e gjatë dhe e vazhdueshme është një rrethanë e jashtëzakonshme që shfaqet vetëm kur gjërat kanë shkuar jashtëzakonisht keq, por kjo nuk ndodh kur ekonomia e tregut është në gjendje normale. Refuzimi i konceptit të Keynes për pasigurinë radikale gjendet në zemër të këtij rikthimi te të menduarit e epokës para Keynesit.

E dyta, Kejsianizmi i pasluftës i shfaqur përmes politikave të “menaxhimit të kërkesës”, dhe që besohet se prodhoi bumin e pas vitit 1945, ra në telashe inflacionuese në fund të viteve 1960. Duke qenë se politikëbërësit kejsianistë qenë të vëmendshëm ndaj problemit të detyrimit për të zgjedhur mes inflacionit dhe papunësisë, ata u përpoqën që ta ruajnë ritmin e rritjes ekonomike përmes politikave mbi të ardhurat – pra duke kontrolluar kostot e pagave përmes marrëveshjeve kombëtare me sindikatat.

Politika e të ardhurave u tentua në shumë vende nga vitet 1960 deri në fund të viteve 1970. Në rastin më të mirë, sukseset qenë të përkohëshme, por në përgjithësi këto politika dështuan. Milton Friedman ofroi një arsye që shpjegoi pakënaqësitë në rritje të shkaktuara nga politikat e kontrollit të pagave dhe çmimeve dhe ritheksoi edhe një herë teoritë para-kejsianiste mbi mënyrën se si funksionojnë ekonomitë e tregut. Inflacioni, tha Friedman, qe pjellë e përpjekjeve të qeverive kejsianiste që të ulnin papunësinë më poshtë se sa norma “natyrore” e saj. Çelësi për të rifituar stabilitet në çmime qe që të braktisej premtimi për punësim të plotë, të dobësoheshin sindikatat dhe të derregullohej sistemi financiar.

Dhe kështu ortodoksia e vjetër u rilind. Objektivi për punësim të plotë u zëvendësua me objektivin për stabilitetin e çmimeve dhe papunësia iu la tregut për të gjetur normën e vet “natyrore”, cilado të qe ajo. Qe kjo pajisje difektoze lundrimi që politikanët e përdorën për të lundruar me shpejtësi të plotë deri sa u përplasën me ajsbergët e vitit 2008.

Arsyeja e fundit e rrëzimit të Kejsianizmit qe ndryshimi djathtas në ideologji që filloi me kryeministren e Britanisë së Madhe Margaret Thatcher dhe presidentin e SHBA-ve Ronald Reagan. Ndryshimi nuk qe aq shumë i shkaktuar nga refuzimi i politikave Kejsianiste se sa qe nga armiqësia e krijuar kundrejt shtetit të stërmadh që u shfaq pas Luftës së Dytë Botërore. Politika fiskale Kejsianiste ra mes dy zjarreve, ku shumë nga e djathta e dënonin atë si manifestim të ndërhyrjeve “të tepërta” të qeverisë në ekonomi.

Dy ngjarje të mëdha sollën një rigjallërim, sido që modest, të rolit të ekonomiksit Kejsianist. Një tronditje akoma më e madhe ndaj orthodoksisë së para vitit 2008 se sa vetë kolapsi i vitit 208, qe zbulimi i asaj se çfarë kishte bërë pushteti i korruptuar i sistemit financiar dhe përmasat në të cilat qeveritë e paskrizës i lejuan vetes të zbatojnë politikat e hartuara nga bankierët. Koncepti i kontrollit të tregjeve financiare në interes të punësimit të plotë dhe drejtësisë sociale gjendet edhe një herë tërësisht te tradita Kejsianiste.

E dyta, për një gjeneratë të re studentësh, idetë e Keynes janë më pak të rëndësishme në ilaçet specifike që sugjeroi për të luftuar papunësinë dhe janë më shumë të rëndësishme në fushën e kritikave të tij për profesionin e ekonomistit, posaçërisht kritikimin e krijimit të modeleve që bazohen në supozime jorealiste. Studentët e ekonomiksit që janë të etur për të shpëtuar nga bota skelet e agjentëve optimizues të njerëzve të shëndetshëm, që është fiksuar thellë në historitë, kulturat dhe institucionet e tyre, do ta gjejnë ekonomiksin e Keynes thellësisht simpatik. Kjo është arsyeja që unë mendoj se Keynes do të vijojë të jetë i pranishëm në jetët tona edhe për së paku 20 vitet e ardhëshme, kur Teoria e Përgjithshme do të mbushë njëqindvjetorin e lindjes.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Keynes’s General Theory at 80