Lajm6 Dec 2018

Tërheqja e BSH nga ndërhyrjet në treg forcon lekun në rekord shumëvjeçar

Euro u këmbye të enjten për 123.95 lekë, kuota më e ulët që nga janari 2009, ndërsa Banka e Shqipërisë njoftoi mosndërhyrje gjatë ditëve të fundit në tregun e këmbimit valutor.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo


Banka e Shqipërisë u tërhoq nga ndërhyrja në tregun e këmbimit valutor gjatë ditëve të fundit duke sjellë presion të shtuar për forcimin e monedhës shqiptare lekut, e cila shënoi një rekord tjetër shumëvjeçar të enjten.

Leku shqiptar u shkëmbye me 123,95 lekë sot, 16 qindarka më lirë se sa të mërkurën, duke vijuar një periudhë disajavore forcimi të ngadaltë, por të vazhdueshëm. Hera e fundit qkur euro është shkëmbyer për kaq pak lekë ka qenë 5 janari i vitit 2009, periudhë pas të cilës leku u dobësua gradualisht për të arritur kuotën 138 lekë për euro në vitin 2010.

Që nga kjo kohë leku është luhatur në një bandë të ngushtë mes 137 dhe 142 lekë për euro deri në vitin 2016, kur filloi të forcohej gradualisht.

Pyetur nga BIRN, Banka e Shqipërisë bëri të ditur se ka ndërprerë ndërhyrjen e jashtëzakonshme të nisur në qershorin e kaluar. “Së fundmi Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në tregun e brendshëm të këmbimit valutor”, tha BSH në një përgjigje me shkrim ndërsa argumentoi se ndërhyrja e saj kishte për synim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe tërheqja nga ndërhyrja vjen si rrjedhojë e shuarjes së shkakut të ndëhyrjes fillestare.

“Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në treg vetëm kur cenohet përmbushja e objektivit të saj kryesor  që është ruajtja dhe garantimi i stabilitetit të çmimeve, apo kur vërehen çrregullimeve në tregun valutor.

Së fundmi Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në tregun e brendshëm të këmbimit valutor pasi nuk është përmbushur asnjë prej këtyre kushteve të larpërmendura”.

Shqipëria zbaton regjim të kursit të lirë të këmbimit valutor që nga viti 1992, një nga disa regjimet tipike të këmbimit valutor që përdoren nëpër botë. Regjime të tjera përfshijnë kursin fiks të garantuar nga autoriteti monetar, kursin e menaxhuar nga të dyja krahët për efekt të zbutjes së luhatjeve të mëdha apo kursin me banda luhatjeve kundrejt një monedhe të huaj referencë apo kundrejt një shporte monedhash të shkëmbimeve tregtare.

Banka e Shqipërisë u vu nën presion publik më herët këtë vit kur leku u forcua brenda një periudhe të shkurtër disamujore nga kuota 130 në kuotën 124. Ajo njoftoi ndërhyrje të jashtëzakonshme përmes blerjes së euros në këmbim të lekëve më 6 qershor. Të dhënat publike të BSH tregojnë se përgjatë tre javëve të fundit të qershorit u blenë në treg 65 milionë euro krahas 63 milionëve të tjera të blera sipas programit të plotësimit të rezervës valutore të vendit. Të dhënat për sasinë e eurove të blera për tremujorin korrik-gusht dhe shtator pritet të bëhen publike sipas rregullores në fund të muajit dhjetor.

Ndërhyrjet e BSH, ndonëse në përmasa të konsiderueshme, sollën vetëm frenim të forcimit të lekut gjatë muajve të verës ndërsa presioni forcues u rikthye në muajin tetor.

Shkaqet e forcimit të lekut janë nga njëra anë, prania e konsiderueshme e euros në treg, e dyshuar me origjinë nga trafiqet e paligjshme të shqiptarëve jashtë vendit dhe nga ana tjetër nga mungesa e lekut. Qeveria shqiptare, e cila është në mënyrë indirekte operatori më i madh në tregun e këmbimit valutor sepse i kryen shpenzimet në lekë, njoftoi se ka mbajtur një suficit buxhetor për dhjetëmujorin janar-tetor 2018, pavarësisht se programi buxhetor i vendit parashikon një deficit prej 34 miliardë lekësh. Mungesa e deficitit buxhetor sugjeron që qeveria i mban paratë e taksapaguesve të bllokuara në Bankën e Shqipërisë dhe të papërdorura në funksion të ekonomisë.