Lajm26 Nov 2019

Tërmet vdekjeprurës në Shqipëri, vazhdon operacioni i kërkimit nën rrënoja

PËRDITËSIM/ Lëkundjet e tërmetit shkaktojnë 21 të vdekur dhe mbi 650 të plagosur deri në mbrëmje në Durrës dhe Thumanë, ndërkohë që vazhdojnë operacionet e kërkimit nën rrënoja. MInistrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se një bilanc i qartë ishte ende i pamundur.

Autor: Geri Emiri BIRN Tiranë
Printo

Gjatë operacionit të kërkimit në rrënojat e një pallati në Thumanë,  ku humbën jetën disa persona. Foto: Gentian Shkullaku/ LSA

PËRDITËSIM /Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka njoftoi se numri i viktimave prej tërmetit deri në orën 18.30  shkoi në 21 persona, ndërsa 45 persona janë nxjerrë nga rrënojat. Ministrja bëri me dije se numri ishte ende paraprak.

Ministrja njoftoi se aksionet e kërkim-shpëtimit do të vijonin, ndërsa tha se në aksion ishin angazhuar rreth 3900 forca të ushtrisë dhe policisë dhe rreth 200 specialistë emergjencash nga vendet fqinje.

Megjithatë ministrja Xhaçka pranoi se ende nuk ishte e mundur të bënte një vlerësim të dëmeve dhe as të jepte numra të banorëve të mbetur pastrehë apo një panoramë të detajuar të dëmeve.

PËRDITËSIM /Ministria e mbrojtjes njoftoi se numri i viktimave prej tërmetit deri në orën 15.30  shkoi në 16, ndërsa 42 persona janë nxjerrë nga rrënojat.

Ministria po ashtu njoftoi mbërritjen e ekipeve të shpëtimit nga Kosova, Italia dhe Greqia që janë vendosur menjëherë në pikat e nxehta në Thumanë dhe Durrës, ku ende ka persona të mbetur nën rrënoja.

Qeveria (LINK) dhe organizata të ndryshme të ndihmës kanë njoftuar hapjen e llogarive bankare për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti. Ndërsa në rrjetet sociale qytetarë të ndryshëm janë solidarizuar duke ofruar strehim në shtëpitë e tyre. Kosova po ashtu mësohet se akordoi një ndihmë prej 500 mijë euorsh ndërsa Maqedonia e Veriut 100 mijë euro.

Ndihma në Tiranë u mblodhën pranë Teatrit Kombëtar nga aktivistët që kundërshtojnë shembjen e tij.

Forcat e policisë, zjarrfikësit, ushtarakë dhe qytetarë të zakonshëm iu bashkuan mëngjesin e së martës operacioneve të kërkim-shpëtimit që pasuan tërmetin me magnitudë 6.4 Rihter në qytetin bregdetar të Durrësit si dhe një mori lëkundjesh të tjera më të vogla.

Ministria e Mbrojtjes tha në mesditë se 13 persona konfirmohen paraprakisht të vdekur dhe mbi 300 të tjerë të plagosur në zonën e Durrësit dhe Fushë-Krujës, ndërkohë që lëkundjet e forta janë ndjerë në të gjithë vendin dhe kanë shkaktuar panik.

“Konfirmohet paraprakisht se 7 persona janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat në Durrës dhe 5 në Thumanë,” tha një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes rreth orës 12:20 të së martës.

“35 persona janë shpëtuar në të dy zonat dhe po marrin ndihmën mjekësore,” shtoi ajo.

Banorë të Durrësit i thanë BIRN se e përjetuan tërmetin si “një shpërthim bombe”, ndërsa dhjetra familjarë mbetën të bllokuar brenda shtëpitë e tyre me dyer që nuk hapeshin dhe mure që u shembeshin mbi krye.

Problemet më të mëdha nga tërmeti me magnitutë 6.4 të shkallës Rihter kanë qenë në qytetin e Durrësit dhe në Mamurras, ku janë shembur godina disa katëshe dhe ku dhjetra persona dyshohen të bllokuar.

“Nisi të lëvizte krevati. U ngrita dhe pashë që divanët dhe abazhurët shkonin sa këndej-andej. U çova dhe dola së bashku me familjen. Ndihmuam edhe shumë komshinj që ulërisnin se nuk u hapeshin dyert,” tha i shqetësuar Ekri Lashi, që banon në katin e shtatë të një pallati

në lagjen numër 12, përbri ish-Fabrikës së Bukës. Pallati ka pësuar krisje të shumta dhe shembje të suvatimit.

“Nuk e di si do të bëhet me ne, apartamentet janë të pabanueshme dhe nuk e di se ku do shkojmë,”shtoi 70 vjeçari.

Banorët e lagjes numër 18 pranë stadiumit të qytetit, përveç tërmetit dëgjuan një zhurmë të pazakontë. “Ishte sikur ra një bombë,” shpjegon një  vajzë.

Ndërtesa 5 katëshe pranë shtëpisë së saj u palos në tokë, duke zënë poshtë një pjesë të familjarëve. Pak prej tyre mundën të dilnin gjallë, 3 persona humbën jetën, ndërkohë që vazhdon kërkimi për personat e tjerë që kanë mbetur midis rrënojave.

Kryeministri Edi Rama shprehu keqardhjen për jetët e humbura përmes një statusi në Facebook dhe shtoi se po punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë në ato që i quajti pika fatale në Durrës dhe Thumanë.

Në një postim të dytë, Rama tha se skuadrave shqiptare pritet t’u bashkohen skuadra speciale nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Serbia dhe Mali i Zi.

Gjate operacionit te shpetimit ne Durrës. Foto:Malton Dibra/LSA

Gjate operacionit te shpetimit ne Durrës. Foto:Malton Dibra/LSA

 

Gjate operacionit te shpetimit ne Thumanë. Foto:Malton Dibra/LSA