Tërmeti 6.4 i shkallës Rihter që goditi Shqipërinë e Mesme me 26 nëntor ka ngrirë jetën kulturore në qytetin bregdetar, ku ekspertët dhe autoritetet vazhdojnë të vlerësojnë dëmet.
Fundjavën e kaluar, një ekip italo-shqiptar vlerësoi dëmet nga tërmeti në Muzeun Etnografik në Durrës, njëherazi shtëpia muze e aktorit Aleksandër Moisiu dhe këshilloi bllokimin e plotë të katit të dytë të ndërtesës, aty ku ndodhen sallat e eksponateve.
“Ne sot po transferojmë kostumet dhe objektet me vlera të trashëgimisë kulturore drejt një prej studiove të teatrit ‘Aleksandër Moisiu,” tha për BIRN Alketa Tragaj, përgjegjëse e Rrjetit Muzeal të qytetit.
Sipas Targajt, tashmë në teatër ndodhen edhe tablotë e fondit të Galerisë së Arteve si dhe ato që janë dhuruar në vitin 2005 nga një grup artistësh italianë, miq të piktorit të mirënjohur Ibrahim Kodra.
“Sado e përkohshme të jetë mbyllja e eksponateve për vizitorët, ne po punojmë që i gjithë fondi i objekteve të jetë në vend të sigurtë,” shtoi Tragaj.
Ngjashëm me banesën 150 vjeçare, shumë objekte të trashëgimisë kulturore në Durrës dhe Krujë janë dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili shkaktoi 51 viktima dhe qindra të plagosur.
Goditja sizmike 6.4 e shkallës Rihter konsiderohet si më e forta në dekada, që nga tërmeti i Petrovacit në vitin 1979, i cili goditi edhe Shqipërinë Veriore. Vala goditëse e tërmetit shkatërroi mijëra ndërtesa, të vjetra dhe të reja, duke lënë shumë banorë të Shqipërisë së Mesme të pastrehë. Ashtu si ndërtesat e tjera, edhe muzeumet dhe objektet e trashëgimisë nuk janë kursyer nga forca goditëse e tërmetit.
Përveç Muzeut Etnografik, i cili ka mbyllur përkohësisht dyert në pritje të relacionit për gjendjen fizike pas tërmetit, edhe biblioteka e Fëmijëve në katin e dytë të Mauzoleumit të Dëshmorëve është mbyllur. Ndërkohë, një lajm i mirë vjen nga Muzeu Arkeologjik, i cili të enjten ka pritur vizitorët e parë pas dy javësh heshtjeje.
Megjithëse ende nuk ka një raport të detajuar mbi gjendjen e godinës, në katin e dytë bashkë me plasaritjet e suvasë shihen edhe dëmtimet e dyshemesë prej druri, që mbahet nga trarët e tavanit në katin e parë.
Shtëpia me çardak është një nga të paktat dëshmi të shekullit të 19-të në qytetin antik dhe për vlerat e saj arkitekturore, ajo është shpallur monument kulture.
Dëmtimi i kullave mesjetare
Në muret që kanë mbetur në këmbë nga kulla C e murit fortifikues Bizantin – me trashësi 2 deri në 3 metra, dallohen rrënjët e bimësisë së egër që ka kontribuar në rrëzimin e saj nga tërmeti.
“Zhurma e çarjes dhe e rënies së blloqeve të gurëve dhe tullave i ngjante përplasjes së dy automjeteve të tonazhit të madh,” kujton Shpëtim Sherifi, banor i pallatit përballë mureve.
“Im bir me bashkëshorten ishin nisur për t’u mbrojtur në lulishten poshtë kalasë dhe në panik vrapuan për t’u kthyer mbrapa në mes të pluhurit,” shtoi 62 vjeçari. Lindur dhe rritur në këtë lagje, Sherifi nuk kujton të ketë parë restaurime të kësaj kulle ndër vite.
“Nuk kam menduar kurrë që muret e kalasë do të bien si fletë kartoni,” tha ai.
Drejtori i Muzeut Arkeologjik Kombëtar të Durrësit, Alban Ramohitaj shprehet se shumë shpejt do të nisë puna për një projekt për ringretjen e kullës së dëmtuar. Ramohitaj i tha BIRN se ditën e hënë, një grup inxhinierësh shqiptarë dhe italianë do të vëzhgojnë nga afër dëmet.
“Ing. Daniele Ferreti dhe grupi i specialistëve jo vetëm është përballuar me situata të ngjashme pas tërmetit në ‘Reggio Emilia’, por e kanë vizituar Durrësin më parë, si konsulentë të ekspeditave arkeologjike,” shpjegoi Ramohitaj.
Ai vlerëson faktin që pala italiane ka marrë përsipër ta hartojë falas projektin e ringritjes së mureve bizantine.
Tërmeti që goditi pjesën bregdetare të Shqipërisë Qendrore ka shkaktuar dëme edhe në kullën e madhe si dhe në teqenë brenda oborrit të kalasë së Krujës. E njëjta situatë është evidentuar edhe në kullën e kalasë së Prezës.
“Grupi i specialistëve italianë do të vëzhgojë nga afër këto monumente, njëlloj si dhe kalanë e Bashtovës, në jug të qytetit të Kavajës,” tha Ramohitaj.
Tronditje organizative
Në teatrin “Aleksandër Moisiu” që nga mëngjesi i 26 nëntorit nuk janë zhvilluar shfaqje teatrale. Ndërkaq, në sallat më të vogla kanë vijuar normalisht takime të ndryshme, jo vetëm me karakter kulturor. Godina e teatrit është përuruar në vitin 1965 dhe më shumë se 65 përqind e tij mbështetet mbi kolona.
“E gjithë salla dhe skena teatrore ndodhen mbi termat e periudhës romake, të cilat janë të vizitueshme,” tha për BIRN drejtori Elio Bajramaj. Edhe pse zyrtarisht duhet pritur vendimi i grupit të specialistëve, drejtori nënvizon se godina është në gjendje të mirë.
Edhe pse teatri dhe Rrjeti Muzeal nuk është dëmtuar rëndë nga tërmeti, institucionet e kulturës po i nënshtrohen një riorganizmi administrativ të thelluar, duke e formatuar administrimin e tyre nga themelet.
Drejtori i teatrit tregon se nën vartësinë e tij janë edhe Rrjeti Muzeal i qytetit, si dhe godina e Mauzoleut të Dëshmorëve, strukturë që sipas tij duhet të ndryshojë.
“Ka ardhur koha që Teatri dhe Rrjeti Muzeal, si dy sektorë me drejtime të ndryshme nën vartësi të bashkisë, të kenë edhe drejtori më vete,” nënvizoi Bajramaj.
Ai sjell shembullin e godinës 150-vjeçare të Muzeut Etnografik, e cila i është kthyer ligjërisht pronarit, por vazhdon të jetë në një marrëdhënie qiraje mes tij dhe bashkisë së qytetit.
“Në atë godinë deri tani, përveç dhomave me eksponatet etnografike si dhe të muzeut të Aleksandër Moisiut kanë “bashkëjetuar” sektori i Rrjetit Muzeal me zyrat e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare,” shpjegon Bajramaj.
Ligji i jep Muzeut Arkeologjik të Durrësit statusin e Muzeut Kombëtar dhe e ka bashkuar DRKK-në e Durrësit me atë të Tiranës, ndërkohë që selia drejtuese do të jetë në kryeqytet. Ndërsa Drejtoria e sapokrijuar e Muzeut do të vendoset në zyrat e Muzeut Arkeologjik.
Godina e Muzeut Etnografik, megjithë problemet e shfaqura pas tërmetit të muajit nëntor do të mbetet e gjitha në dispozicion të sektorit muzeal të qytetit.
“Banesa e shekullit të 19-të, monument i kulturës kombëtare, veçanërisht pas tërmetit duhet restauruar nga një firmë e specializuar. Por deri atëherë duhet zgjidhur edhe çështja e qirasë mes bashkisë dhe pronarëve të ligjshëm,” përfundoi Bajramaj.