Saimir Çullhaj, 33 vjeç, i akuzuar për trafik ndërkombëtar armësh drejt Britanisë së Madhe të mbetur në tentativë, u dënua me 8 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka dënuar me 8 vite heqje lirie 33-vjeçarin Saimir Çullhaj i cili u akuzua për tentativë të trafikimit të armëve drejt Britanisë së Madhe me anë të postës. Çullhaj, i riu nga Shijaku, doli para gjykatës më 12 nëntor 2018 për t'u përgjigjur për akuzën e trafikimit të armëve luftarake drejt Britanisë së Madhe, vepër penale e mbetur në tentativë.
Sipas akuzës së ngritur nga prokurori i çështjes Behar Dibra, hetimi nisi më 24 gusht 2017 kur në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit u identifikuan tre pako postare me destinacion Britaninë e Madhe, brenda të të cilave u gjetën tre automatikë të llojit Kallashnikov. Dy ditë pas gjetjes së armëve, 33 vjeçari u arrestua dhe hetimi zbuloi se Çullhaj dhe një person tjetër kishin deklaruar në zyrën postare ku kryen postimin e pakove, se brenda tyre gjendeshin pjesë këmbimi lavatriçesh të cilat i kishin blerë në Britaninë e Madhe dhe po i kthenin pas për shkak se kishin rezultuar me defekte.
Në çastin e arrestimit, të pandehurit i cili u identifikua nga kamerat e sigurisë, iu gjet edhe një sasi lënde narkotike duke i ngarkuar akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, pavarësisht se ai këmbënguli se e kishte për përdorim personal. Një person i dytë, Neritan Farija, është shpallur ndërkohë në kërkim pasi ka drejtuar automjetin që transportoi pakot në zyrën postare në Durrës. Sipas prokurorisë, i ndaluari ka pranuar se ka nisur pakot, por është shprehur se nuk dinte që aty të gjendeshin armë, me pretendimin se ai kishte ndihmuar të shpallurin në kërkim, Neritan Farija.
Sipas prokurorisë, tentativa e trafikimit të tri kallashnikovëve drejt Britanisë së Madhe ka qenë e planifikuar dhe e paramenduar dhe se në këtë ngjarje mund të jenë përfshirë të paktën edhe dy persona të tjerë, shqiptari S.A. dhe shtetasi anglez Xh.M., të cilët dyshohet se mund të kenë qenë pritësit e armëve. Sipas prokurorit Dibra, një prej pritësve të pakove ishte e dashura e shtetasit anglez Xh.M. dhe një tjetër, gjyshja e tij.
Nga hetimet është konkluduar se shtetasi shqiptar S.A., i cili jetonte prej disa vitesh në Britaninë e Madhe i deportuar tashmë ne Shqipëri, në atë periudhë jetonte në qendrën e emigracionit, pasi ishte konstatuar se nuk kishte leje qëndrimi. Në këtë periudhë shtetasi anglez Xh.M., ka shkuar një herë ta takonte në zyrën e emigracionit shtetasin shqiptar S.A.. Ndërkohë, shtetasi anglez, Xh.M., kishte ardhur në Shqipëri ku ishte takuar me të dashurën e mikut të tij shqiptar S.A., me të cilën kishin nisur të kryenin procedurat për martesë. E dashura e S.A. e ka pranuar këtë fakt, por është shprehur para prokurorëve se nuk kishte pasur asnjë dijeni për transportimin e armëve drejt Britanisë së Madhe me Postë. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe shtetasi anglez Xh.M. dhe shqiptari S.A., të cilët janë shprehur gjatë dhënies së deklarimeve se nuk kishin dijeni për armët. Sipas prokurorisë, ata janë shprehur se arsyeja përse XH.M. kishte ardhur në Shqipëri ishte për ti dhënë një ndihmë të dashurës së mikut të tij S.A.
Në seancën paraardhëse, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, prokurori Dibra kërkoi dënimin e Çullhajt me 12 vite burgim, por për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Etleva Deda ka vendosur dënimin përfundimtar të të pandehurit me 8 vjet heqje lirie.