Presidentët e Kosovës dhe Serbisë kanë premtuar të zbatojnë një marrëveshje gjyqësori të ndërmjetësuar nga BE-ja në tetor, pasi takuan shefen e politikës së jashtme të BE Mogherini në Bruksel.
Pas takimit mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini tha se të dyja palët kishin premtuar të zbatojnë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE për drejtësinë.
“Të dyja palët ranë dakord sot për hapat përfundimtare të zbatimit të marrëveshjes së drejtësisë të arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Presidentët konfirmuan se marrëveshja do të zbatohet plotësisht më 17 tetor 2017,” tha të enjten Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Sigurinë.
Sipas deklaratës, të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe stafi gjyqësor në Kosovë, përfshirë edhe ata në pjesën veriore të Kosovës, do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Integrimi i personelit gjyqësor do të ofrojë mundësinë që gjyqësori të shpërndahet në të gjithë Kosovën dhe në veçanti në Kosovën e veriut, ku Serbia ka ruajtur ndikimin e saj.
BE-ja tha gjithashtu se presidentët “ranë dakord të fillojnë të punojnë për një fazë të re të Dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin”. Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë do të përfshijë faza e re.