Në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thirrur nga Beogradi, presidenti i Kosovës mbrojti vendimin e Prishtinës për ta transformuar forcën e saj të sigurisë në një ushtri, ndërsa homologu i tij serb pretendoi se kjo do të vërë në rrezik paqen.
Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë u përballën të hënën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, me Hashim Thaçin që këmbëngul se vendimi i fundit i Prishtinës për të krijuar një ushtri ishte legjitim, ndërsa Aleksandër Vuçiç këmbënguli që Prishtina nuk kishte autoritet për ta bërë këtë.
Thaçi tha se “në Kosovë javën e kaluar nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme”, kur parlamenti votoi për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës.
“Vendimi mund të jetë i vonuar, por jo o gabuar,” tha Thaçi.
Ai shtoi se krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare apo ligjin.
Por Vuçiç i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se asnjë dokument ndërkombëtar nuk e autorizon Prishtinën të krijojë ushtrinë e vet.
“Papritur, ata patën mbështetje të madhe për këtë nga vendet perëndimore,” tha Vuçiç.
Presidenti serb i bëri thirrje OKB-së të marrë një rol më të madh në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Vuçiç kritikoi gjithashtu vendimin e Prishtinës për të imponuar 100 për qind tarifa për importet nga Serbia dhe Bosnja, duke thënë se kjo vinte në rrezik të gjithë komunitetin serb në Kosovë dhe shkelte Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA.
Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacionet Paqeruajtëse Jean-Pierre Lacroix, i cili foli në takimin e Këshillit të Sigurimit para Thaçit dhe Vuçiçit, i bëri thirrje të dyja palëve që të shmangin ndërmarrjen e hapave që mund të përkeqësojnë situatën në Kosovë.
Parlamenti i Kosovës të premten miratoi tre projektligje mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës që synonin gradualisht transformimin e forcës së armatosur lehtë në një ushtri. Deputetët nga partia Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi e bojkotuan sesionin.
Të njëjtën ditë, Serbia kërkoi një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Vuçiç e akuzoi Kosovën se po vë në rrezik paqen dhe sigurinë duke krijuar një ushtri dhe pretendoi se SHBA-ja, Gjermania dhe Britania fshiheshin pas këtij vendimi.
SHBA-ja ka thënë se e mbështet “kalimin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një forcë me një mandat të mbrojtjes territoriale, pasi është e drejta sovrane e Kosovës”.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane Rainer Bruel tha gjithashtu se “Kosova, si shtet sovran, ka të drejtë të krijojë forca të rregullta të armatosura”, ndërsa Karen Pierce, përfaqësuese e përhershme e Britanisë në OKB, tha se “zhvillimi i forcave të veta të armatosura është brenda sovranitetit të Kosovës si një shtet i pavarur vetëqeverisës”.
Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i vinte keq për vendimin për të nisur një ndryshim në mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke thënë se kjo “u bë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO-ja”.
Përfaqësuesit Listës Serbe thanë në një konferencë për shtyp të premten se ushtria e Kosovës nuk do të kishte mandat në veriun serb të Kosovës dhe këmbëngulën se ata do ta sfidonin votimin përpara Gjykatës Kushtetuese të vendit.
Milorad Dodik, kryetari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, tha se votimi i deputetëve në Kosovë do të kishte një ndikim negativ në stabilitetin dhe paqen në rajon.
Por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili nisi procesin e transformimit të forcave të sigurisë në një ushtri, tha të premten se ai mbështeste bashkëpunimin me forcat e armatosura në rajon, duke përfshirë ato të Serbisë.
BE-ja i bën thirrje Europës të revokojë tarifat
Bashkimi Europian tha të hënën se Kosova duhet të revokojë vendimin e saj për të rritur tarifat për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
“BE-ja shprehu keqardhje për rritjen e tarifave të njëanshme të qeverisë për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, si edhe imponimin e barrierave jo-tarifore dhe këmbënguli për heqjen e menjëhershme të tyre,” thuhej në një deklaratë të lëshuar nga BE-ja pas një takimi të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit midis BE-së dhe Kosovës.
“Futja e këtyre tarifave dëmton interesat ekonomike të Kosovës dhe popullit të saj, duke zvogëluar flukset tregtare dhe duke ulur atraktivitetin e Kosovës si një vend për investime dhe biznes,” shtoi ai.
Ajo tha gjithashtu se të gjitha marrëveshjet tashmë të arritura në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd duhet të zbatohen plotësisht pa ndonjë vonesë të mëtejshme, në veçanti marrëveshja e vitit 2015 për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.