Lajm6 Jun 2019

Thaçi emëron fshehurazi si këshilltar të dënuarin për krime lufte

Një raport i publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit e Kosovës zbuloi se Rrustem Mustafa, i cili u dënua për krime lufte në vitin 2013, është punësuar nga presidenti Hashim Thaçi që prej muajit shkurt.

Autor: Taulant Osmani BIRN Prishtinë
Printo

Thaçi duke dekoruar Rrustem Mustafën në shkurt 2018. Foto: BIRN.

Raporti i Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës mbi deklarimin e pasurisë së nëpunësve publikë, i publikuar të enjten, zbuloi se Rrustem Mustafa, i njohur gjerësisht si ‘Remi’, ka qenë këshilltar i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për katër muajt e fundit, diçka kjo që nuk dihej nga publiku.

BIRN kontaktoi Mustafën për të konfirmuar se ai ka punuar si këshilltar i presidentit. Ai u përgjigj: “Çfarë lloj pyetjeje është kjo?”, pastaj e mbylli telefonatën.

Sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, paga vjetore e Mustafës si këshilltar i presidentit është 18,000 euro, që është 13,800 euro më shumë sesa paga mesatare kombëtare e Kosovës.

Përveçse këshilltar i presidentit, Mustafa është gjithashtu anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, PDK.

Në vitin 2013, Mustafa, i cili ishte komandanti i UÇK-së në Zonën Operacionale të Llapit gjatë luftës, u gjet fajtor dhe u burgos për katër vjet për krime lufte, një dënim i cili u konfirmua më pas nga gjykata e apelit.

Mustafa u ftua gjithashtu për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, e cila po heton krimet e luftës dhe krimet e pasluftës.

Raporti i Agjencisë Kundër Korrupsionit tha se Mustafa filloi të merrte para si këshilltar dy muaj pas ftesës së tij për të dhënë dëshmi në Hagë.

Mustafa u dekorua edhe nga Thaçi për shërbimet e tij në Kosovë në shkurt të vitit 2018. Thaçi i dha Mustafës Medaljen Presidenciale Jubileare, për të festuar “kontributin e tij të çmuar drejt lirisë dhe pavarësisë”.

Të martën, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkarkoi Sylejman Selimin, një ish-komandant i UÇK-së i cili u dënua për krime lufte, nga posti i tij si këshilltar politik.

Emërimi i Selimit në janar pas lirimit nga burgu u prit me kritika nga aleatët perëndimorë të Kosovës.