Duke kaluar në anën e Uashingtonit dhe duke kritikuar Brukselin, presidenti i Kosovës po përpiqet të mbrojë vendin e tij në tryezën e bisedimeve me Serbinë, thonë analistët.
Që kur u kthye nga një udhëtim një javor në Uashington në fillim të marsit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka kthyer kritikat e tij nga Bashkimi Europian, duke parë Shtetet e Bashkuara si adresën më të mirë për të kërkuar një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.
Kritika e zëshme e Thaçit ndaj BE-së vjen pasi presidenti u vu nën presionin e qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti mbi rolin e tij në negociatat për një marrëveshje me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç.
Në vitin 2018, Thaçi dhe Vuçiç diskutuan një shkëmbim territori si një kompromis të mundshëm, një ide që administrata amerikane e Donald Trump tha se ishte e hapur për ta eksploruar, por që ndau BE-në, me disa liderë europianë – veçanërisht kancelarja gjermane Angela Merkel – që thanë se kjo as që diskutohej.
Më 9 mars, pasi u kthye nga Uashingtoni, ku u takua përsëri me Vuçiçin, Thaçi kritikoi BE-në për mosheqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për zgjedhjen e raportuar të bllokut të të dërguarit në dialogun Serbi-Kosovë, i cili ndërmjetësohet nga Brukseli.
Bekim Baliqi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Politikë të Jashtme në Kosovë dhe profesor i shkencave politike, tha se strategjia e Thaçit ishte që pushteti i bisedimeve të zhvendosej te Uashingtoni, si edhe të rruajë rolin e tij në udhëheqjen e palës kosovare.
Qëllimi, tha ai, është “të mbajë pozicionin e kryenegociatorit duke i zhvendosur negociatat nga Brukseli në Uashington”.
Donika Emini, një analiste politike dhe drejtoreshë ekzekutive e platformës së shoqërisë civile CivKos, tha se Thaçi dhe BE-ja nuk kishin ndarë të njëjtin mendim për ca kohë, sigurisht që kur ai doli publikisht në favor të ripërcaktimit të kufijve në gusht 2018.
BE-ja, megjithatë, nuk po i bën asnjë nder vetes duke mos folur me një zë për Kosovën dhe çështjen e liberalizimit të vizave, duke i dhënë kështu avantazh Thaçit, tha Emini për BIRN.
“Pamundësia e BE-së për të përmbushur pjesën e saj të “marrëveshjes” për liberalizimin e vizave po e ndihmon Thaçin” në sulmin e tij mbi rolin e bllokut në dialog, tha Emini.
Mosmarrëveshje për të dërguarin e BE-së dhe liberalizimin e vizave
Thaçi nuk i kurseu fjalët kur u kthye nga Uashingtoni, duke u thënë gazetarëve më 9 mars, “BE-ja duhet të marrë një vendim për liberalizimin e vizave dhe atëherë ne duhet të shohim nëse ata kanë aftësinë për të marrë pjesë në dialog. Ky është qëndrimi im.”
Më pas, duke iu referuar raportimeve se Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Joseph Borrell po mendonte ministrin e jashtëm Sslovak Miroslav Lajcak si të dërguarin e tij në bisedimet Serbi-Kosovë, Thaçi u tregua nënçmues.
“Unë mendoj se kushdo që shpreson nga një i dërguar i tillë dhe nga politika e jashtme e BE-së gabon”, tha ai, dhe akuzoi Lajcakun se nuk po mban zotimin e tij për të mbështetur pranimin e Kosovës në UNESCO. “Besimi tek ai është zero”, tha Thaçi.
Sllovakia është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën si të pavarur. Spanja e Borrell është një tjetër vend. Serbia nuk ka pranuar ta njohë provincën e saj jugore si të pavarur, por BE-ja dëshiron që të dy vendet të zgjidhin marrëdhëniet e tyre para se të mund të anëtarësohen në bllok.
Emini tha se kritika e Thaçit nuk ka të ngjarë të bëjë ndonjë ndryshim kur vjen fjala për emërimin e një të dërguari.
“Askush në BE nuk donte të merrte përsipër një proces kaq të komplikuar”, tha Emini për BIRN. “Shumë pak politikanë e njohin Ballkanin dhe Kosovën sepse karriera e tyre shtrihet përtej Ballkanit.”
Emini vuri në dukje gjithashtu se kushdo që e merr rolin do të duhet të punojë me të dërguarin e vetë Trump, Richard Grenell, i cili është edhe ambasadori amerikan në Gjermani dhe kreu i inteligjencës kombëtare. Grenell njihet si një diplomat i hapur, i cili ka shkaktuar konfuzion në Berlin.
“Duke marrë parasysh qëndrimin e ambasadorit Grenell, shumë pak vende anëtare të BE-së kanë guxuar të marrin përsëripër përgjegjësi dhe të përballen me një politikan që shkaktoi shumë telashe në Berlin”, tha Emini.
Kosova nuk ka qenë kurrë kaq e dobët, thotë analistja
Duke mbështetur Thaçin, Grenell ka kritikuar publikisht qeverinë e Kurtit për ofertën e saj për të hequr vetëm pjesërisht tarifën 100 përqind të vendosur nga qeveria e mëparshme për mallrat serbe.
Kurti dëshiron që Thaçi të heqë dorë nga roli i tij në dialogun me Serbinë dhe t’ia dorëzojë këtë detyrë qeverisë.
Thaçi filloi të udhëheqë palën kosovare në 2011 kur ishte kryeministër dhe Partia e tij Demokratike e Kosovës, PDK, drejtonte qeverinë. Ai e vazhdoi këtë rol edhe kur u bë president në vitin 2016. Por PDK-ja, nga e cila ai dha dorëheqjen pasi u bë president, nuk arriti të fitonte zgjedhjet vitin e kaluar, të cilat u fituan nga Vetëvendosja e Kurtit, duke i hequr kështu Thaçit pushtetin dhe legjitimitetin për të negociuar me Serbinë, agrumenton Kurti.
Më 15 mars, parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë që e bën qeverinë përgjegjëse për dialogun.
“Nëse delegacioni i Kosovës drejtohet nga kryeministri, atëherë kundërshtimi i presidentit ndaj Lajcak si i dërguar i BE-së nuk do të ishte aq i rëndësishëm”, tha Emini.
“Dyshja Borrell-Lajcak ndoshta nuk është më e mira që mund të ketë Kosova, por kjo nuk e ndalon Kosovën të angazhohet në mënyrë dypalëshe dhe të çojë para interesat e saj nëpërmjet vendeve anëtare”, tha ajo për BIRN.
Baliqi ishte më pak i sigurt.
“Qëndrimet e Lajcak për Kosovën si ministër i jashtëm i Sllovakisë kanë qenë të qarta duke qenë të hapura kundër njohjes së Kosovës,” tha ai. “Ai nuk mund të jetë i paanshëm si një i dërguar i Kosovës në ndërmjetësimin e negociatave.”
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më shumë se 30 marrëveshje individuale nën dialogun e udhëhequr nga BE-ja që nga viti 2011, por implementimi i tyre ka qenë fragmentar.
Emini tha se pozicioni i Kosovës nuk ka qenë kurrë më i dobët.
“Dështimi i Bashkimit Europian është gjithashtu dështimi i Thaçit si kryenegociator”, tha ajo. “Pozicioni gjithnjë e në forcim i Serbisë në këtë proces e pasqyron më së miri këtë dështim.”