Lajm11 Sep 2018

Thirrja për kandidatë të KLP drejt rihapjes

Vetingu për kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është drejt përfundimit, por nga kandidatët e mbetur mungojnë prokurorë të Apelit të Tiranës, duke sjellë nevojën për rihapje të thirrjes.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Seanca dëgjimore e KPK-së për prokurorin Gentjan Osmani, kandidat për KLP| Foto : Besar Likmeta

Procesi i Rivlerësimit Kalimtar të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është drejt përfundimit, por kriteret e përcaktuara në ligjin “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë” kërkojnë që thirrja për kandidatë të rihapet.

Nga 19 kandidatët për anëtarë të KLP-së, tetë e kaluan fazën e parë të vetingut, shtatë kanë ngelur dhe tre janë në proces.Por ligji thotë se nga gjashtë anëtarët prokurorë të KLP-së, tre duhet të jenë prokurorë të shkallës së parë, nga të cilët, njëri duhet të jetë jashtë Tiranës, dy nga apeli, nga të cilët, njëri jashtë Tiranës dhe një nga Prokuroria e Përgjithshme.

Për kandidatë nga prokurorët e shkallës së parë aktualisht kanë mbijetuar pesë prokurorë, nga të cilët, dy janë nga Tirana dhe tre nga rrethet. Problemi është se nga gjykatat e apelit, ka vetëm një kandidat nga Apeli i Shkodrës, ndërsa nga ky nivel duhet të zgjidhen dy anëtarë. Nga radhët e Prokurorisë së Përgjithshme ka aktualisht dy kandidatë për një pozicion. Mes tre kandidatëve të mbetur ende në proces vetingu, njëri është nga prokuria e Përgjithshme dhe dy janë prokurorë të shkallës së parë.

Ligji sanksionon rihapjen e thirrjes me kushtin që të plotësohen vakancat sipas formulës së përfaqësimit por sqaron gjithashtu se në rast se pas thirrjes nuk ka aplikantë të rinj, vendi vakant plotësohet nga kandidatët ekzistues me short.

Prokurorët që aplikojnë për kandidatë për anëtarë të KLP-së duhet të mbledhin mbështetje me shkrim nga dhjetë kolegë të tyre para kandidimit. Ata zgjidhen me votim nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ketë 11 anëtarë, nga të cilët, gjashtë janë nga rradhët e prokurorëve ndërsa pesë do të vijnë nga radhët e avokatëve, profesorëve dhe shoqërisë civile të zgjedhur nga Kuvendi.

Procesi i vetingut përfundoi në gusht për kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por menjëherë pas kësaj, Gjykata e Lartë rihapi thirrjen kur u vu re mungesa e një kandidati nga gjykatat e apelit të rretheve. Dy kandidatë të rinj paraqitën interesimin për një post. Njëri prej tyre duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut dhe pas kësaj, do të duhet të thirret mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve për të votuar anëtarët e institucionit të ri.