Lajm13 Jul 2017

Thirrje Amerikës t’i bëjë presion Vuçiçit për çështjen e vëllezërve Bytyqi

Familja e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të vrarë në Serbi në vitin 1999 dëshiron që zyrtarët amerikanë t’i bëjnë presion presidentit Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës së tij të ardhshme në Uashington për të zgjidhur çështjen.

Autor: Filip Rudic BIRN Beograd
Printo

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç takon zyrtarë gjatë vizitës së tij të fundit në mars 2015. Foto: BETA.

Familja e tre shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare të vrarë nga forcat serbe në vitin 1999 po i bën thirrje zv/presidentit Mike Pence ta ngrejë këtë çështje me presidentin serb Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara më 16-18 korrik.

Praveen Madhiraju, përfaqësuesi ligjor i familjes Bytyqi, tha për BIRN se familja dëshiron që Pence ta trajtojë çështjen me Vuçiçin drejtpërdrejt, për “t’u siguruar që premtimet e bëra ndaj zyrtarëve amerikanë të respektohen më shumë sesa ato që janë bërë për të mbrojtur Goran Radosavljeviçin”.

Familja Bytyqi beson se Radosavljeviçi, ish-komandanti i një njësie speciale policore dhe i qendrës stërvitore në Petrovo Selo, ku tre vëllezërit u mbajtën para se të vriteshin, është i dyshuari kryesor në këtë çështje.

Radosavljeviç tani është në pension, por mbetet aktiv në politikë si një anëtar i bordit ekzekutiv të Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit që është në pushtet.

Ai është marrë në pyetje në lidhje me vdekjen e vëllezërve Bytyqi, por ndaj tij nuk është ngritur ndonjë padi. Ai ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në këtë krim.

“Presidenti Vuçiç ka aftësinë për ta çuar para këtë çështje,” tha Madhiraju.

Por ai tha se familja do ta shohë me shumë skepticizëm çdo premtim apo informacion që ofron Vuçiçi, siç duhet të bëjnë edhe zyrtarët amerikanë.

Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi shkuan për të luftuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të Beogradit dhe u arrestuan nga policia serbe pas përfundimit të luftës, ndërsa ata shkelën një vijë kufitare të pashënuar midis Serbisë dhe Kosovës.

Pasi kryen dënimet e tyre për shkelje të paligjshme të kufirit, ata u arrestuan përsëri ndërsa largoheshin nga burgu i zonës në qytetin Prokuplje në Serbinë jugore, u dërguan në qendrën stërvitore të policisë në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një magazinë atje.

Ata më pas u lidhën me tel nga persona të panjohur dhe u çuan në një gropë që shërbente për të hedhur plehrat, ku u ekzekutuan me plumba pas qafe më 9 korrik 1999.

Familja Bytyqi ka akuzuar Vuçiçin se ka shkelur vazhdimisht premtimet për të zgjidhur çështjen dhe ka refuzuar ta mbajë familjen të informuar në lidhje me hetimin.

Ata u shprehën gjithashtu se Vuçiç “ka paraqitur në mënyrë të rreme ‘prova të reja’ para diplomatëve të rëndësishëm”, nuk ka ndërmarrë hapa të besueshme për të inkurajuar dhe mbrojtur dëshmitarët dhe ka vënë në rrezik reputacionin e Serbisë dhe reputacionin e tij për të mbrojtur Radosavljeviçin.

Çështja ka vazhduar të jetë një problem i madh bilateral midis Serbisë dhe SHBA-ve. Para vizitës së Vuçiçit në Uashington, ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, u takua me prokuroren e re serbe të krimeve të luftës për të folur për çështjen.

“Gjatë bisedimeve, ambasadori theksoi shqetësimin e SHBA-së për çështjen e mbetur të pazgjidhur,” tha më pas ambasada e SHBA-së në një deklaratë, sipas gazetës së përditshme serbe Danas.

“Çështja e zgjidhjes së vrasjeve të vëllezërve Bytyqi është një provë e gatishmërisë së Serbisë për të pranuar atë që ajo bëri në Kosovë,” tha Dusan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike.

Një tjetër çështje e pazgjidhur midis Beogradit dhe Uashingtonit është djegia e ambasadës së SHBA-së gjatë trazirave që shpërthyen në Beograd në vitin 2008 pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia.

Prokurori publik ngriti akuza kundër pesë shefave të policisë të cilët ishin në krye të forcave policore ditën e trazirave. Emrat e të dyshuarve mbeten të fshehtë për shkak se paditë ende nuk janë konfirmuar nga gjykata.

Shtatë pjesëmarrës në trazira aktualisht po rigjykohen.

Ata fillimisht morën dënime të pezulluara me 6 deri në dhjetë muaj burg, por gjykata e apelit e rrëzoi vendimin në vitin 2016.

“Djegia e ambasadës dhe çështja Bytyqi janë çështje shumë të vështira. Ka mundësi që Vuçiçi t’i bëjë disa premtime SHBA-së në lidhje me zgjidhjen e çështjeve,” tha Janjiç.