Lajm16 May 2018

Thirrje BE-së t’i japë përparësi lirisë së medias

Organizata të mediave dhe aktivistë nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje BE-së të marrë në konsideratë situatën e lirisë së medias në shtetet anëtare dhe vendet kandidate gjatë caktimit të fondeve.

Autor: Martin Dimitrov BIRN Sofje
Printo

Foto: Shutterstock

Organizata të medias, botues, OJQ dhe përfaqësues të partive politike nga i gjithë Bashkimi Europian dhe Ballkani publikuan të mërkurën atë që ata e quajtën “Deklarata e Sofjes”, duke i bërë thirrje BE-së t’i japë përparësi lirisë së medias në Europë.

Në një event që u mbajt para Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet të enjten në Sofje të Bullgarisë, ata paralajmëruan për forcën dhe pavarësinë e zbehtë të mediave europiane dhe për pasojë kërcënimin ndaj demokracisë.

“Krijimi i mediave të kontrolluara është hapi i parë për modelet e qeverisjes publike të njohura si ‘diktatura të buta’ ose ‘shtet i kapur’ i cili krijon kërcënime serioze për funksionimin normal të demokracisë, jo vetëm në vendet respektive, por për të gjithë BE-në,” thuhej në deklaratë.

Deklarata theksoi pesë masa praktike për të parandaluar rënien e mediave europiane, sidomos në Europën Qendrore dhe Juglindore, nën presionin e legjislacionit shtypës, kushteve të pafavorshme financiare dhe kërcënimeve fizike ndaj gazetarëve.

Ajo tha se rregullat e propozuara rishtazi nga Komisioni Europian që do të shihnin shpërndarjen e fondeve të BE-së lidhur me gjendjen e sundimit të ligjit në secilin vend duhet të përfshinin gjithashtu edhe indikatorë për lirinë e medias.

Sipas deklaratës, propozimi i BE-së për ta lidhur financimin me sundimin e ligjit është shumë i limituar dhe nuk e përmend lirshëm lirinë e shtypit si një parakusht për të marrë paratë europiane.

Deklarata bëri thirrje gjithashtu për zhvillimin e mekanizmave për të siguruar financim të qëndrueshëm të medias.

Ajo mbështeti krijimin e një Fondi për Përkrahjen e Lirisë së Medias për të ndihmuar aktivistë dhe botues në ndërmarrjen e masave ligjore kundër abuzimeve të pushtetit nga qeveritë dhe për të financuar raportim dhe investigime ndërkufitare.

Botuesit gjithashtu i kërkuan BE-së t’i mbështesë ata në në negociatat e tyre me platformat kryesore digjitale si Facebook dhe Google për çështjet e të drejtës së autorit dhe t’i ndihmojë ata të zbatojnë të drejtat e tyre ekzistuese intelektuale.

Deklarata u miratua në një konferencë në Sofje të organizuar nga Rrjeti Europian i Shoqatave të Botuesve, Federata Europiane e Gazetarëve, Unioni i Botuesve në Bullgari dhe Shoqata Mediatike e Revistave Europiane.

Në të morën pjesë me dhjetëra gazetarë, eurodeputetë, ekspertë të medias dhe aktivistë qytetarë, së bashku me përfaqësues të organeve të medias pan-Europiane, përfshirë Reporterë pa Kufij, Shoqata e Gazetarëve Europianë dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.