Një grua që punonte si seleksionuese e kromit për kompaninë “Brisel Shpk” u bë viktima e rradhës e problemeve të sigurisë në punë në minierën e Bulqizës. Kompania ishte pezulluar në fund të vitit që shkoi, pasi dy minatorë humbën jetën në galeritë e menaxhuara prej saj.
Një 50-vjeçare vdiq gjatë transportit për në spitalin e Bulqizës, ndërsa kishte marrë plagë të rënda nga goditja e një makine të tonazhit të rëndë në sheshgrumbullimin e kromit mbi zonën D në Bulqizë.
Në një njoftim për shtyp, policia tha se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 14.20 të së mërkurës, ndërsa identifikoi viktimën me inicialet “SH.R, rreth 50 vjeçe, banuese në Bulqizë”.
Policia deklaroi se gruaja vdiq pasi ishte goditur nga një makinë. “Paraprakisht dyshohet se është goditur nga një automjet i tonazhit të rëndë, ku për pasojë ka marrë dëmtime të rënda,” thuhet në njoftimin e policisë në lidhje me shkaqet e vdekjes.
Në një komunikim të dytë me mediat, policia njoftoi se viktima dhe drejtuesi i mjetit që e aksidentoi për vdekje punonin për kompaninë “Brisel Shpk”.
Administratori i kompanisë “Brisel”, Rrahim Dedja i tha BIRN në një bisedë telefonike se ngjarja ishte aksident dhe se nuk e dinte si kishte ndodhur, ndërsa shtoi se shoferi ishte shoqëruar nga policia.
Aktiviteti i kompanisë Brisel Shpk u pezullua, ndërsa ajo u gjobit në fund të vitit që shkoi nga Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM, pas dy aksidenteve ku humbën jetën një punëtor dhe një minator. Por kompania i është rikthyer sërish aktivitetit.
BIRN mësoi se 50-vjeçarja punonte jashtë minierës si seleksionues e kromit. Aksidenti sipas policisë ka ndodhur në “pjacalën e sheshgrumbullimit të kromit në zonën D”.
Ndërkohë, megjithë pretendimet e autoriteteve për hetime, BIRN gjeti në disa shkrime të mëparshme se në shumicën dërrmuese të rasteve, faji u lihej viktimave dhe në pak të tjera kolegëve të tyre minatorë.
50-vjeçarja është viktima e 8 në shtatë muaj që humb jetën në minierën e Bulqizës.
Kromi është minerali më i rëndësishëm i Shqipërisë nga pikëpamja ekonomike. Aktualisht ka rreth 110 kompani të licencuara për të shfrytëzuar rezervat e kromit në zonën e Bulqizës, eksportet e së cilit arrijnë në rreth 100 milionë euro në vit. Ndërkohë megjithë aksidentet e shumta dhe faktin se disa herë është vënë alarmi për situatën e rëndë të sigurisë në punë në zonë, nuk duket se ka ndonjë ndryshim të gjendjes.