Numri i personave që rezultuan pozitiv për COVID-19 arriti në 711 ditën e mërkurë, duke shënuar ditën e pestë radhazi me rritje. Mesatarja 14-ditore e rasteve ka njohur rritje të vazhdueshme që nga fillimi i tetorit por ritmi i rritjes duket se është përshpejtuar ndjeshëm gjatë nëntorit.
Shqipëria shënoi ditën e pestë radhazi me rritje rekord të infektimeve me koronavirus duke shënuar 711 infektime të reja ditën e mërkurë. Numri total i infektimeve arriti në gati 30 mijë vetë nga të cilët, gjysma ose 15 mijë janë infektuar gjatë 42 ditëve të fundit.
Shqipëria gjendet sot në ditën e 225 që nga shfaqja e rastit të parë me COVID-19 më 9 mars. U deshën 214 ditë që vendi të shënonte 15 mijë të prekur dhe vetëm 42 ditë që të shënonte 15 mijë të tjerë.
Dyfishimi tjetër mund të ndodhë para fundit të këtij viti në rast se masat shtesë për ndalimin e përhapjes së pandemisë rezultojnë të pamjaftueshme ose jofunksionale.
Komiteti Teknik i Ekspertëve shpalli ndalimin e aktiviteteve politike, të dasmave dhe funeraleve dhe ndalimin e grumbullimeve të më shumë se dhjetë personave ditën e martë më 17 nëntor. Në 15 tetor, Komiteti urdhëroi mbajtjen e detyrueshme të maskës në rrugë ndërsa më 9 nëntor u urdhërua ndalimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 10 e natës deri në orën 6 të mëngjesit. Që nga kjo datë punonjësit e administratës publike u urdhëruan të punojnë nga shtëpia kur profili i punës e lejon.
Ndërsa po mbushen dy javë që nga marrja e masave të 9 nëntorit, ritmi i shtimit ditor të infektimeve është shtuar në vend që të ngadalësohet apo të pakësohet.
Pavarësisht kësaj, Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë e cilëson gjendjen si “me intensitet mesatar”.
Lexo më shumë:
Ruçi është i paqartë, pezullohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë
Nga “intensitet i moderuar” në “mesatar”, Komiteti ndalon mitingjet për të ndalur COVID-19
“E kontrolluar dhe kritike”, të sëmurët me COVID-19 arrijnë në 1% të popullsisë
Punonjësit e shtetit drejt shtëpisë, ndalohet qarkullimi gjatë natës