Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kreu i Këshillit të Qarkut Gjok Ndoka, u dënuan me 4 vjet burg, ndërsa gjykata gjeti fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdenin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Gjykata e shkallës së parë në Lezhë shpalli fajtor dhe dënoi me katër vite burg për “Shpërdorim detyre” ish-kryetarin e Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, për akuzën e tjetërsimit të pronave te Rana e Hedhun në bregdetin e Shëngjinit.
Gjithashtu për shpërdorim detyre u dënua ish-nënkryetari i bashkisë Enver Hafizi me 1 vit burg, ish-kryetari i Qarkut Gjok Ndoka me 4 vite burg dhe ish-drejtori i Hipotekës Artan Djala me 3 vite burg.
Atyre ju është hequr dhe e drejta për të ushtruar funksione publike po për aq vite sa janë dënuar secili. Gjykata ka shpallur fajtor dhe personat e tjerë të pandehur specialistë në institucione dhe përfitues toke, duke i dënuar me nga 1 deri në tre vite burg për veprat penale “Fallsifikim Dokumentash” dhe “Shperdorim Detyre” përjashto vetëm ish-futbollistin Renato Malotaj, i cili ishte përfitues toke, por u gjet i pafajshëm.
Gjithashtu gjykata ka vendosur që të gjitha dokumentet shkresore të cila sipas akt ekspertimeve kanë rezultuar të falsifikuar të asgjesohen, ndërsa dokumentet e tjera të sekuestruara si prova materiale do t’u kthehen institucioneve perkatëse.
Në total gjyqtari Ilir Perdeda dha 37.6 vite burg për 17 persona, nga 43.6 vite që kishte kërkuar prokurori Erjon Shehaj. Avokatët e të dënuarve kanë bërë me dije se do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit Shkodër.
Gjykata dënoi Fran Frrokaj, ish-kryetar i Bashkisë Lezhë, Enver Hafizi, ish-nënkryetar i Bashkisë Lezhë, Gjok Ndoka, ish-kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë, Juxhina Mema, ish-punonjëse e Bashkisë Lezhë, Ardenis Haxhia, jurist pranë Bashkisë Lezhë, Eduart Leka, ish – sekretar pranë ish – Komunës Shengjin – Lezhë, Artan Djala, ish-drejtues i ZVRPP Lezhë, Ermando Jakaj dhe Bledar Cara, specialisë të ZVRPP Lezhë. Frrok Frroku, Lek Frroku, Pjetër Gjoni (Lini), Vasil Gjoni, Zef Gjini dhe Nikoll Tinaj, përfitues dhe tjetërsues të pronave. Luigj Paloka, topograf.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, partia që kandidoi Frrokajn për postin e kryebashkiakut, në një reagim në Twitter e cilësoi jo transparent vendimin e gjykatës dhe aludoi për “ndërhyrje të papërshtatshme politike”. Ai tha se ishte informuar që zoti Frrokaj do ta apelonte vendimin, ndërsa tha se kishte bindjen që në shkallët më të lartë do dilte e vërteta në dritë.
Ndërkohë Lekë Frroku (pa lidhje familjare me ish-kryebashkiakun), një prej të dënuarve si organizatorë i tjetërsimit akuzoi se vendimi ishte politik. “Epo kjo është reforma në drejtësi. Të shpifësh dhe të dënosh pa prova ligjore kundërshtarët tuaj politik”, tha ai.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonen e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte. Fillimisht në këtë ccështje sëbashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.
Kjo është vetëm një nga disa ccështje të ngjashme në të gjithë vendin. Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit në Durrës la në fuqi dënimin për 9 ish-zyrtarë të Kavajës që u dënuan për tjetërsim të 36 hektarëve tokë në Spille. Në një skemë të ngjashme përfitues të pronave ishin ndër të tjerë edhe ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi.
Një skemë e ngjashme, në të cilën përfshiheshin edhe persona të dënuar në vendimin e të enjtes, u zbulua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Lezhë, gjatë hetimeve për operacionin Vol-Vo4. Ndër të arrestuarit në këtë skemë të dytë ishte edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe të arfërm të tij. Ndoka i ka mohuar akuzat.
Tjetërsimi i pronave publike në bregdet dhe zona turistike duke përdorur falsifikimin dhe ligjin 7501 është zbuluar nga prokuroritë në disa rrethe dhe dhjetra persona janë arrestuar apo dënuar në këtë skemë.
Lexo edhe:
Amnezi dhe falsifikime: Skema e tjetërsimit të pronave në Shëngjin
Digjet lokali i denoncuesit të skandalit të pronave në “Ranën e Hedhun”
Nga shteti te pushtetarët: Skema e grabitjes së 36 ha tokë në bregdetin e Kavajës
Hetimet zbulojnë skemën e tjetërsimit të pyjeve në Razmë
Vendimet e falsifikuara e bënë varrmihësin vlonjat pronar të Karaburunit
Tjetërsimi i pronave në Spille, prokuroria urdhëron kthimin e tokës në shtet