Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor Kelmend Balilin për krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe e dënoi atë me 10 vjet burg, falë gjykimit të shkurtuar. Prokuroria kishte kërkuar 12 vjet, ndërsa mbrojtja kërkoi pafajësi.
Pasi iu fsheh për tre vjet me rradhë drejtësisë dhe u kap vetëm kur vendosi të vetëdorëzohej, Kelmend Balili i njohur edhe si “Eskobari i Ballkanit” qëndroi para gjyqtarëve të Krimeve të Rënda të martën për të dëgjuar vendimin që e shpallte atë fajtor për 4 akuza.
Balili u gjet nga Gjykata e Krimeve të Rënda fajtor për të gjitha akuzat që i ishin ngritur, kryesisht prej hetimeve të kryera nga autoritetet në Greqi. Kryesuesja e trupës gjykuese tha se në përfundim Balili ishte gjetur fajtor për akuzën e “trafikimit të i lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe dënohej për këtë 14 vjet burg, për akuzën e “pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal” 2.6 vjet burg, për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive i nëpunësve civilë” me 6 muaj burg dhe për “pastrim të parave” më 5 vjet burgim.
Në bashkim të të gjitha dënimeve, ai u dënua me 15 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Balili përfitoi ulje të 1/3 së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 vjet.
Prokuroria e Krimeve të Rënda në pretencën e lexuar disa javë më parë pati kërkuar gjykatës dënimin me 18 vjet burg të Balilit dhe dënimin përfundimtar pas uljes prej gjykimit të shkurtuar me 12 vjet. “Nga përgjimet janë ngritur dyshime se Balili kishte rolin e organizatorit në trafikun e lëndëve narkotike së bashku me disa shtetas grekë. Ky grup i përbërë nga shqiptarë dhe shtetas nga Evropa Juglindore trafikonin lëndë narkotike, kryesisht kokainë, me mjete që regjistroheshin në Austri e Bullgari në emër të kompanive të ndryshme,” shpjegoi prokurori Ened Nakuçi në 8 prill gjatë leximit të pretencës.
Ndërkohë avokatët mbrojtës kërkuan pafajësi dhe pretenduan se prokuroria nuk kishte provuar asnjë nga akuzat e ngritura ndaj Kelmend Balilit. Avokati Theodhori Sollaku kundërshtoi përgjimet e prokurorisë duke pretenduar se telefonat e përgjuar nuk kishin lidhje me Balilin, ndërsa tha se nuk kishte asnjë provë për të dënuar atë.
Pak kohë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në gjykatë edhe konfiskimin e pronave të familjes së tij, mes të cilave edhe hotelin Santa Quaranta në Sarandë.
Operacioni ndaj grupit që dyshohet se drejtonte Balili u zhvillua në maj 2016, fillimisht në Greqi dhe më pas në Belgjikë. Atëherë u njoftua arrestimi i 6 shqiptarëve, përfshi Dhimitër Potin dhe të vëllain, dy peshkatarët shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj nga Saranda dhe disa persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në rrjetin e narkotikëve.
Balili vetë, i cili në atë kohë ishte me detyrë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit në Sarandë, arriti t’i shpëtonte në mënyrë misterioze arrestimit. Dosja ndaj tij dhe mosarrestimi shkaktuan një furtunë politike në kryeqytet, ndërsa dy partitë në qeverisje PS dhe LSI u përplasën për gati dy vjet mbi përkatësinë partiake të Balilit dhe cila prej tyre po e mbronte atë.
Përfshirja e DEA në operacionin e antidrogës bëri që edhe Ambasada e SHBA në Tiranë të ishte mjaft aktive në këtë rast. Më shumë se njëherë ish-ambasadori Donald Lu i akuzoi autoritetet shqiptare për neglizhencë në këtë rast.
Dorëzimi i Balilit pas tre viteve arrati u cilësua sukses i policisë nga qeveria. Pas dorëzimit Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Balilit për gjykim të shkurtuar që i kurseu atij 1/3 e dënimit.