Lajm23 Jan 2019

Trafikimi i 1.3 tonëve kanabis, dy të arrestuar në Fier

Një tentativë e trafikimi e 1.3 tonëve kanabis u bllokua të hënën nga policia, ndërsa dy persona u arrestuan të martën si organizatorë të trafikut.

Autor: Fatmira Barjami BIRN Fier
Printo

Droga e sekuestruar në Vjosë. Foto:Jerola Ziaj.

Sasia e drogës së sekuestruar një ditë më parë në grykëderdhjen e Vjosës pas peshimit rezultoi 1.3 ton, ndërsa policia njoftoi të martën arrestimin e dy të dyshuarve për tentativën e trafikut ndërkombëtar.

Në një njoftim për shtyp Policia e Shtetit bëri me dije se operacioni, në të cilin ishin përfshirë katër qarqe, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Drejtoria Hetimore Qendrore në Policinë e Shtetit dhe Guardia di Financa, rezultoi me arrestimin e “A. A., 39 vjeç dhe E. Xh., 33 vjeç”.

Burime të policisë i thanë BIRN se ndërkohë vijonte puna për gjetjen e të tjerë personave të përfshirë në këtë trafik.  “Nga tërësia e  hetimeve të kryera nga grupi hetimor dyshohet  se këta shtetas janë  poseduesit e lëndës narkotike që do trafikohej më datën 22 janar, rast i parandaluar dhe goditur gjatë operacionit të koduar “Vjosa”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me GdF-në”, njoftoi policia.

Droga dhe një mjet gomone me të cilin ajo po transportohej u gjetën të braktisura në grykëderdhjen e Vjosës. Policia njoftoi se kishte ndjekur prej orës 3.30 të mëngjesit të së hënës mjetin 10 metra të gjatë me dy motorrë, duke i detyruar trafikantët ta braktisnin atë. “Operacioni i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Guardia di Finanza-s nisi rreth orës 03:30 të mëngjes, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sekuestrimi i sasisë së fundit të kanabisit në Vjosë dhe 102 kilogramëve pak javë më parë në Memaliaj, tregojnë se kultivimi i kanabisit është ende një problem për vendin edhe pse qeveria, e cila u vu në akuzë për përhapjen e kultivimit të kanabisit në vitin 2016, ka deklaruar disa herë zhdukje të fenomenit. Për herë të fundit kryeministri Edi Rama deklaroi “zhdukjen e fenomenit të kanabisit” gjatë një konference për shtyp më 31 dhjetor.