Në një rajon që zakonisht imagjinohet si vend grushtesh shteti dhe autoritarizmi, presidentja në ikje e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, qëndron mënjanë. Ndërsa udhëheqësi i ri i vendit hyn në zyrë, qeveria e tij duhet të angazhohet për të fuqizuar themelet që la paraardhësi i vet.
Muajin e kaluar, Liberianët dëshmuan diçka mbresëlënëse: një transfertë paqësore të pushtetit në vendin e tyre. Pas dymbëdhjetë vitesh në zyrë, Ellen Johnson Sirleaf iku si presidente, dhe ish-futbollisti George Weah hyri në zyrë. Kjo ishte hera e parë që nga viti 1944 që një udhëheqës i zgjedhur në mënyrë demokratike i lë vendin vullnetarisht një tjetri.
Që të jemi të qartë, një palë zgjedhjesh të mirëmenaxhuara nuk përbëjnë tërësisht një demokraci të qëndrueshme. Por në një rajon që shpesh shoqërohet me ngjarje grushtesh shteti dhe sundimi autoritarist, progresi i Liberisë ia vlen të festohet, për shkak se mund të ndihmojë për të hedhur themelet për një të ardhme më të mirë dhe demokratike. Ndërsa qeveria përfaqësuese në Liberi hyn në një fazë të re maturiteti, ia vlen të reflektojmë se si vendi mbërriti deri këtu.
Më 2005, kur Sirleaf u zgjodh, Liberia ishte e rrënuar, pas 25 vitesh lufte civile dhe diktature. Shumë pak parashikuan se Sirleaf, e para grua e zgjedhur në mënyrë demokratike si drejtuese e një vendi në Afrikë, mund ta vendoste vendin e saj në një rrugë më të mirë. Por, gjatë mandatit të saj, pavarësisht se nuk ishte pa sfida – nga kriza e Ebolës te korrupsioni endemik dhe vështirësitë fiskale – ajo bëri ekzaktësisht këtë.
Ndoshta trashëgimia e Sirleaf do të jetë në masë përcaktuese te përmirësimi i të drejtave për gratë dhe vajzat e Liberisë. Gratë ishin votueset që e çuan Sirleaf në fitore; lëvizja Gratë e Liberisë për Veprim Masiv për Paqe ndihmoi për t’i dhënë fund luftës së dytë civile të Liberisë më 2003 si dhe ishte një nga mbështetësit e saj kryesorë. Gjatë mandatit të saj, Sirleaf rriti pjesëmarrjen e grave në të gjtiha aspektet e shoqërisë dhe synoi të sigurojë të drejta më të mëdha dhe mbrojtje për gratë dhe vajzat. Sirleaf, krahas një liberianeje tjetër, Leyman Gbowee, dhe një jemenaseje, Tawakkol Karman, mori çmimin Nobel për paqe më 2011 përgjithësisht për shkak të punës së saj në këtë fushë.
Fuqizimi i grave ishte vetëm një fushë ku Sirleaf realizoi arritje. Ajo kuptoi se paqja, qeverisja e mirë dhe rritja ekonomike ishin kolonat mbajtëse të së ardhmes së saj. Ajo udhëhoqi përpjekjet pëe të siguruar drejtësi për abuzuesit me të drejtat e njeriut dhe krimet e kryera gjatë luftërave civile; ajo rindërtoi infrastrukturën e shkatërruar nga lufta; përmirësoi aksesin te uji i pastër dhe kanalizimet dhe fuqizoi institucionet demokratike të Liberisë, përfshirë miratimin e ligjit të parë të vendit mbi Lirinë e Informimit. Shumë punë mbetet për t’u bërë, por ky progres nuk duhet të nënvlerësohet.
Siç theksoi Sirleaf në fjalimin e saj të pranimit të Çmimit Nobel për Paqe, “Rindërtimi i një kombi pothuajse të shkatërruar nga lufta dhe plaçkitja” ishte prioriteti i saj politik më i madh. Ndërsa “nuk kishte një udhërrëfyes për transformimin post-konflikt,” vijoi ajo, “ne e dinim se nuk mund ta linim vendin tonë të kthehej pas te e shkuara.” Për qeverinë e saj për rrjedhojë, “përgjegjësia më e madhe” ishte “ruajtja e paqes”.
Udhëheqësia e Sirleaf shërbeu si një katalizator për një Liberi më të qëndrueshme dhe me mirëqenie. Në raportin e vet “Liria në Botë” për vitin 2017, Freedom House doli në konkluzionin se Liberia ka bërë progres të madh në të drejtat e njeriut dhe të drejtat politike. Angazhimi i Sirleaf për idealet demokratike ishte me rëndësi për këtë arritje. Ato ndihmuan vendin e saj të sigurojë mbështetje më të madhe ndërkombëtare.
Për shembull, në Tetor 2015, Shtetet e Bashkuara i dhanë Liberisë 257 milionë dollarë dhuratë për iniciativa për energji dhe infrastrukturë nën kuadrin e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit. Ky lloj ndihme i jepet vetëm vendeve që tregojnë përmirësime në qeverisjen demokratike dhe zhvillimin ekonomik.
Megjithatë, Liberia përballet me shumë sfida të mëdha. Treguesit e zhvillimit njerëzor, të tilla si pritshmëria për jetëgjatësi dhe të ardhurat për frymë mbeten shumë poshtë mesatares së rajonit. Një ekonomi e dobët dhe inflacioni në rritje janë duke testuar gjithashtu stabilitetin ekonomik. Presidenti i ri i Liberisë do të ketë nevojë të përqendrohet më shumë në këto dhe probleme të tjera për të siguruar vijimësi në progres.
Për fillestarët, Ëeah duhet të vijojë punën e Sirleaf për të investuar te gratë dhe vajzat; në fund të fundit, përmirësimi i barazisë gjinore është një katalizator i provuar për përforcimin e mirëqenies kombëtare. Për më tepër, Weah dhe qeveria e tij do të duhet të përqafojnë deklaratën e Sirleaf se “varfëria, analfabetizmi, sëmundjet dhe pabarazia nuk i përkasin shekullit të njëzet e një.” Fuqizimi i të gjithë Liberianëve është mënyra e vetme për të mbajtur vendin në një trajektore pozitive.
Në fund, njësoj si Sirleaf, qeveria e Weah duhet të përqafojë ndërtimin e koalicioneve dhe ndërveprimin aktiv në nivele vendore, rajonale dhe botërore. Bashkëpunimi duhet të jetë thelbësor për fuqizimin e partneriteteve ekzistuese për të hapur rrugë të reja për zhvillim.
Liberia tani ka një sistem demokratik që do të mbështesë vijimin e progresit. Por sistemi më vete nuk mund të merret si gjithçka. Përkundrazi, Weah duhet të mbështetet te puna e mirë e paraardhëses për ta fuqizuar dhe ruajtur atë. Duke përqafuar the thelluar demokracinë e vendit të tyre, Liberianët dhe presidenti i tyre i ri mund të sigurojnë një të ardhme më të mirë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2018. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Liberia’s Presidential Legacy