Vala e protestave dhe kundërprotestave në Rumani mund të kenë pasoja afatgjata të dëmshme si për besimin e njerëzve te politika dhe te ekonomia, paralajmërojnë ekspertët.
“Ne jemi Rumunë. Ne duam vetëm të punojmë dhe të rrisim fëmijët tanë në paqe,” bërtiti me zë të lartë një burrë i moshuar aftër të shtatëdhjetave ndërsa mbante një pankartë ku shkruhej: “Mos i lejoni të huajt të na vjedhin vendin tonë.”
Ai qe një nga rreth 6 mijë njerëz që u mblodhën të shtunën në Pitesti, një qytet rreth 100 kilometra në veri të Bukureshtit, për të treguar mbështetjen e tyre për qeverinë e dobët të qendrës së majtë në Rumani. Shumë prej tyre mbanin flamuj kombëtar dhe kërcyen muzikë nacionaliste. Shumë prej tyre akuzuan gjithashtu Klaus Iohannis, presidentin rumun i cili është nga minoranca gjermane e Rumanisë, se po komplotojnë kundër “rendit legjitim”.
Mitingje të ngjashme u organizuan në qyteza dhe qytete të tjera të Rumanisë në përgjigje ndaj protestave të stërmëdha anti-qeveritare qe kanë tronditur Bukureshtin tashmë prej disa javësh.
Të dielën, për të njëzetën natë rradhazi, pavarësisht kohës me shi, mbi 3 mijë njerëz u mblodhën në Sheshin e Fitores (Piata Victoriei) në Bukuresht për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sorin Gindeanu dhe qeverisë së tij.
Protestat, të cilat kulmuan kur në to morën pjesë mbi 600 mijë rumunë, filluan kur qeveria miratoi një akt normativ me fuqinë e ligjit më 31 janar, i cili efektivisht e dekriminalizonte korrupsionin në nivel të ulët, përfshirë abuzimin me detyrën në rastet kur shuma e përfshirë në shkelje qe më e ulët se 200 mijë lei (43,200 euro).
Dekreti u shoqërua me një falje masive për të dënuarit për vepra penale jo të dhunshme dhe me dënime të shkrutra.
Qeveria pretendon se këto masa synonin të lehtësonin burgjet e mbingarkuara me të burgorus dhe ia hodhi fajin për protestat një komploti hipotetik për të manipuluar turmat.
Gjithsesi, shumë rumunë qenë të bindur se ligji i faljes dhe ai i dekriminalizimit të veprave të ndryshme penale qenë një hile për të çliruar nga akuzat dhe nga burgu zyrtarët e korruptuar.
Protesta – më e madhja që nga rënia e komunizmit, u zhvillua në më shumë se 50 qytete e qyteza në të gjithë vendin – dhe detyroi qeverinë të tërheqë dekretin.
Gjithsesi, edhe pse ligji i kundërshtuar u tërhoq, kriza politike ka mbërthyer Rumaninë dhe ajo ka gjasa do të ketë pasoja afatgjata, duke ekspozuar edhe një herë ndasi të thella në shoqërinë rumune.
“Një pjesë e madhe e shoqërisë rumune është dukshëm mosbesuese dhe armiqësore ndaj qeverisë aktuale ndërsa shumë të tjerë kanë të njëjtin qëndrim kundrejt presidentit dhe opozitës,” shpjegon sociologu Barbu Mateescu. “Tensioni politik ka gjasa do të vijojë në Rumani,” shpjegoi ai.
Disa pasoja nga ky mosbesim mes protestuesve kundër qeverisë dhe politikanëve janë sakaq të dukshme. Mbështetja për partinë kryesore në qeveri, partinë SocialDemokrate, ka rënë ndjeshëm që nga përpjekja e qeverisë për të zbutur ligjet kundër korrupsionit.
Një sondazh i javës së kaluar tregoi se 52 për qind e rumunëve ia vinin fajin qeverisë për protestat masive aktuale.
Ndërkohë disa thonë se protestat dhe destabiliteti që pason ato kanë së paku disa pasoja pozitive.
Pavarësisht dominimit dërrmuese të Partisë SocialDemokrate mbi parlamentin dhe qeverinë, “rruga” – pra protestuesit – po bëhen një faktor i rëndësishëm në monitorimin e punës së qeverisë dhe në kontrollin e korrupsionit.
“Njeëzit që kërkojnë një qeveri që jep llogari kanë realizuar një thyerje në sistem; ata i kanë bërë institucionet më përgjegjëse përballë presionit publik,” shpjegoi Daniel David, një profesor psikologjie në qytetin Kluj.
“Gjithsesi, vetëm një qeveri e përgjegjshme mund t’i mbledhë bashkë kampet kundërshtare të shoqërisë rumune dhe të fillojë më në fund të punojë për modernizimin e vërtetë të vendit. Për fat të mirë, kjo do të ndodhë,” tha ai.
Një aktor tjetër që mund të ndikojë dhe që ka potencialin të korrigjojë lëvizjet e qeverisë është Presidenti Iohannis, i cili ka mbështetjen e opozitës dhe pjesës më të madhe të shoqërisë civile.
Presidenti ka vetëm fuqi shumë të kufizuara në Rumani por mund të veprojë si balancues politik për shkak të kompetencave që ka mbi politikat e jashtme dhe të mbrojtjes, përmes emërimit të drejtuesve të shërbimit sekret dhe të prokurorëve kyçë.
Por gjithsesi, marrëdhëniet mes partisë SocialDemokrate dhe Iohannis kanë qenë vazhdimisht të këqija dhe mbetet për t’u parë nëse ky konflikt do të bëhet një tipar destabilizues për skenën politike.
Manovrat e fundit të qeverisë ndërkohë kanë shkaktuar alarm në Bruksel dhe Uashington.
Çështja e korrupsionit ka dominuar politikën në Rumani përgjatë shumë viteve. Vendi ende konsiderohet si një nga shtetet më të korruptuara në Europë dhe ka bërë vetëm pak progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që kur u anëtarësua në BE në vitin 2007.
Qeveria e mëparshme e kryeministrit Victor Ponta dha dorëheqjen në nëntor 2015, pas protestave të mëdha në rrugë, për shkak se u zbulua se korrupsioni në rradhët e inspektorëve të sigurisë kundër zjarrit qe përgjegjës për rënien e zjarrit në një klub nate në Bukuresht, incident që i mori jetën 64 të rinjve.
Përpjekjet kundër korrupsionit janë intensifikuar në Rumani përgjatë gjashtë viteve të fundit, pasi hetimet kanë nisur të sulmojnë emra të mëdhenj si dhe të zbulojnë raste të konfliktit të interesit, abuzimit me pushtetin, mashtrimit dhe rryshfetit në prokurimet publike.
Mes viteve 2014 dhe 2016, 1171 njerëz dhe 34 ente ligjore janë vënë nën akuzë për abuzim me detyrën.
Komisioni Europian më herët ka lavdëruar përpjekjet e Rumanisë për të luftuar kulturën e korrupsionit. Javën e kaluar Komisioni paralajmëroi se çdo kthesë në këtë “maratonë jashtëzakonisht të vështirë” kundër korrupsionit do ta dëmtojë vendin.
Në fund, megjithëse nuk ka ende shenja se protestat në rrugë po dëmtojnë ekonominë, ekspertët paralajmërojnë se vijimi i demonstratave mund të sjellin një paralizë institucionale, një ngadalësim të aktivitetin ekonomik dhe do t’i bëjë investitorët e huaj ngurrues.
“Çdo trazirë serioze në sistemin politik shikohet si kërcënim nga investitorët,” shpjegoi Alin Chitu, një ekspert taksash nga kompania ndërkombëtare e auditimit Deloitte.
“Disa prej tyre sakaq po shikojnë me kujdes ndaj ndryshmeve të fundit në kodin e taksave dhe te objektivat e rrezikshme të buxhetit të shtetit por edhe te pretendimet e palëve që akuzojnë kompanitë shumëkombëshe si nxitëse të protestave,” shtoi Chitu.
Udhëheqësi i Partisë Social Demokrate, Liviu Dragnea, ka pretenduar se protestat anti-qeveritare qenë “organizuar në mënyrë profesionale”, ndërsa i ka vënë gishtin kompanive shumëkombëshe duke i akuzuar se po mbështesin demontratat.
Chitu i tha BIRN se ai di për dy projekte biznesi të zhvilluara gjatë muajve të fundit, të cilat janë anuluar për shkak se investitorët e huaj e panë kryengritjen aktuale si një kërcënim potencial për aktivitetin e tyre në Rumani.
“Politikanët duhet të përqendrohen më shumë në përmirësimin e komunikimit dhe besimit mes njerëzve dhe të sjellin stabilitet për investitorët,” tha ai.