Ballkani mund të mos jetë prioritet në administratën e re amerikane, por Uashingtoni vazhdon të mbajë një sy nga rajoni, kur influenca ruse po rritet, tha për BIRN Damon Wilson, nga Këshilli i Atlantikut.
Damon Wilson, zv.president i Këshillit Atlantik një organizatë me bazë në Uashington, thotë se rajoni i Ballkanit nuk është në përparësitë e agjendës së presidentit të ri amerikan Donald Trump. Megjithatë, rajoni do të mbetet nën vëzhgimin e kujdesshëm të Amerikës, shtoi ai.
“Shumë prej nesh shohin me vëmendje atë që po ndodh, jemi në dijeni të asaj që po ndodh dhe të shqetësuar për të,” tha ai në një intervistë me BIRN.
“Po kalojmë nëpër një periudhë me ulje-ngritje. Rusia po përpiqet të përçajë Ballkanin në procesin e integrimit europian, duke ngritur pyetje nëse ky rajon e ka vërtet vendin në Europë, që ka marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara dhe kjo sinqerisht, që është shumë për të ardhur keq,” tha Wilson.
Që kur filloi viti, disa vende të Ballkanit janë tronditur nga trazira politike dhe etnike.
Tensionet janë rritur nga muaji në muaj në Bosnje ku lideri politik serb i Bosnjës, Milorad Dodik, president i entitetit të dominuar nga serbët Republika Srpska, vazhdon të luajë me mundësinë e një referendumi për shkëputjen e entitetit.
“Ai po luan rol shkatërrimtar në Bosnje-Hercegovinë, ai po luan me zjarrin dhe është mjet i atyre në Moskë që duan ta mbajnë rajonin të përçarë dhe të prapambetur, sepse nëse përçahet dhe pengohet… ky rajon nuk do të anëtarësohet në BE,” tha Wilson për BIRN.
Në Mal të Zi, ndërkohë, partitë opozitare pro-ruse kanë bojkotuar parlamentin e vendit, duke pretenduar parregullsi të rënda në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit të kaluar dhe kanë kontestuar pretendimin e qeverisë se dita e zgjedhjeve në vjeshtën e kaluar u shoqërua me një përpjekje për grusht shteti.
Autoritetet malazeze thonë se një grup serbësh, malazezësh dhe rusësh u përpoqën të organizonin një grusht shteti në ditën e zgjedhjeve, më 16 tetor, dhe se kishin planifikonin të hynin me dhunë në parlament, të vrisnin kryeministrin, Milo Gjukanoviç dhe të instalonin në pushtet një koalicion pro-rus.
“Është shumë shqetësuese ajo që ndodhi. Ishte një përpjekje për grusht shteti, një përpjekje për prerje koke dhe vrasje,” tha Wilson.
“Nga të gjithë treguesit që kam qenë në gjendje të shoh, është e qartë se ka pasur gjurmë që të çojnë jo vetëm te nacionalistët serbë dhe radikalët në rajon, por edhe te Moska,” shtoi Wilson.
Qeveria pro-perëndimore kërkon që Mali i Zi të bëhet anëtari i 29 i NATO-s, por shqetësime janë ngritur ndaj shtimit të pranisë së Rusisë në Ballkan, që kundërshton me ashpërsi zgjerimin e NATO-s.
Ratifikimi i protokollit të anëtarësimit të Malit të Zi ka mbetur ndërkohë i bllokuar në Senatin Amerikan, edhe pse pritej të ratifikohet në seancën e parë pas inaugurimit të Trump si president më 20 janar.
Megjithatë, Wilson ngul këmbë se është vetëm çështje kohe para se protokolli të kalohet. “Kjo nuk ka të bëjë me gjeopolitikën, por me prioritetet dhe me procedurat në Senat, por ata [Senatorët amerikanë] e mbështesin të gjithë [pranimin e Malit të Zi],” tha ai.
“Mbështes shumë atë që Mali i Zi po bën, ka mbështetje të thellë dhe të fortë për Malin e Zi në SHBA. Mendoj se ish-kryeministri Djukanoviç duhet të marrë meritat për atë që ka bërë,” theksoi ai.
Si NATO dhe zyrtarët malazezë thonë se vendi i vogël në Ballkan do të bëhet një anëtar me të drejta të plota në Aleancë këtë pranverë.
Ballkani gjithashtu është shqetësuar nga rritja e tensioneve mes Serbisë dhe ish-provincës së saj, Kosovës.
Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë janë të vendosur të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel. Muajt e fundit panë një rritje të tensioneve, që kulmuan më 14 janar.
Në atë ditë, Serbia dërgoi një tren të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit serb dhe me fjalët “Kosova është Serbi”, në udhëtimin nga Beogradi në qytetin e Mitrovicës në Kosovë.
Wilson thotë se ndërsa Serbia mund të vazhdojë marrëdhëniet miqësore me Rusinë, e ardhmja e saj më e mirë ndodhet te BE-ja.
“Kam shumë besim për trajektoren afatgjatë të këtij vendi dhe se ku do të jetë në të ardhmen, sepse alternativa nuk është një opsion i mundshëm”, tha ai duke nënkuptuar një marrëdhënie bazuar te Rusia.
“Nuk do të ishte një burim i rritjes ekonomike dhe investimeve apo të ofronte atë që njerëzit në këtë vend duan në term afatgjatë,” shtoi ai.
“Nëse sheh thelbin, nuk ka dyshim që shumica e njerëzve në Beograd kuptojnë që për një Serbi të qëndrueshme dhe relativisht të begatë, një opsion është i qartë. Shumica e elektoratit e kupton se nëse do një të ardhme më të mirë, Europa është e vetmja alternativë”, tha Wilson për BIRN.
Maqedonia është një tjetër vend i Ballkanit në situatë shqetësuese. Vendit i mbetet ende të formojë një qeveri pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit, për të cilat ishte shpresuar se do t’i jepnin fund një krizë të zgjatur politike.
“Nëse sheh se çfarë po ndodh në Bosnje, apo për trazirat aktuale në Maqedoni, nëse sheh debatin në vend në Prishtinë, apo nëse hedh sytë në shkëmbimet mes Kroacisë dhe Serbisë, Serbisë dhe Kosovës, mund të dallosh se një pjesë e saj është politikë dhe është normale, por një pjesë tjetër është për t’u shqetësuar sepse përbën një trend shqetësues [drejt konfliktit],” tha Wilson.
Ai tha se trazirat në vazhdim në rajon reflektojnë disi trazirat brenda BE-së dhe në fakt edhe SHBA-së.
Shpërqendrimi i Uashingtonit dhe BE-së nga Ballkani kanë krijuar një vakum të rrezikshëm në Ballkanin Perëndimor, si rezultat i të cilit forca të liga mund të provojnë të mbushin zbraztinë, paralajmëroi ai.
“Kur ka një pasiguri në zemër të Europës, do të ketë pasiguri edhe më të madhe në periferi të saj,” përfundoi ai.