Lajm23 Sep 2014

Tre deputetë merren të pandehur

Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu nga PS akuzohen për dhunë ndaj Strazimirit, biznesmeni Astrit Veliaj i PD akuzohet për ndërtim pa leje.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Deputeti Arben Ndoka duke dale nga parlamenti me 18 shtator 2014. LSA / FRANC ZHURDA

Deputeti Arben Ndoka duke dale nga parlamenti me 18 shtator 2014. LSA / FRANC ZHURDA

Prokuroria e Përgjithshme raportohet se ka marrë si të pandehur tre deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dy prej të cilëve i përkasin maxhorancës dhe një, opozitës.

Deputeti Arben Ndoka dhe deputeti Pjerin Ndreu, të dy nga Partia Socialiste, u morën të pandehur të dyshuar për dhunën fizike që raportohet se ushtruan më 27 maj të këtij viti ndaj deputetit demokrat Genc Strazimiri. Ky i fundit pati kryer kallëzimin në Prokurorinë e Përgjithshme më 14 korrikun e shkuar.

“Deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu janë marrë në cilësinë e të pandehurve, pasi akuzohen për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, në dëm të shtetasit Gent Strazimiri, me funksion deputet”, njoftoi Prokuroria e Përgjithshme në një konferencë për shtyp.

Nën këtë akuzë, të dy deputetët rrezikojnë të dënohen me gjobë deri në tre vjet burg në rast se shpallen fajtorë nga gjykata.

“Në kuadër të këtij procedimi, nga ana e grupit hetimor janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale, janë marrë deklarimet nga personat e pranishëm në vendin e ngjarjes si edhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë të ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, ku evidentohet goditja ndaj deputetit Strazimiri,” vijon më tej njoftimi.

Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka deklaruan për mediat se nuk i pranojnë akuzat.

“Akuzat do të përballen në Gjykatë me kundëragrument dhe prova do të tregoj publikisht se akuza ndaj meje nuk ekziston, jo vetëm që nuk ekziston por është edhe qesharake,” deklaroi Ndreu për A1 Report.

Akuzë për ndërtimi pa leje dhe dhunim prone nga UFO

Akuza ndaj tyre u shoqërua me marrjen të pandehur të deputetit të Partisë Demokratike Astrit Veliaj. Ky i fundit akuzohet se ka ndërtuar pa leje selinë e universitetit Albanian University, ish-UFO në qytetin e Fierit, pa leje ndërtimi.

“Hetimi per procedimin tjeter ndaj shtetasit Astrit Veliaj ka nisur në bazë të kallëzimit të një qytetareje nga Fieri, e cila pretendon se subjekti UFO sh.p.k, ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në pronën e saj një ndërtesë 4 dhe 6 kate, në një sipërfaqe 11.000 m2. Kjo ndërtesë është ngritur me qëllim ushtrimin e një aktiviteti privat nga subjekti UFO shpk, i cili rezulton se është në pronësi dhe administrim të deputetit Veliaj”, deklaroi Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, Bashkia e Fierit, në kuadër të veprimeve hetimore për këtë procedim penal, konfirmon zyrtarisht se nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë.