Reportazh2 Sep 2019

Tre muzikantë amatorë mbushin me tinguj kalanë e Beratit

Tingujt e klarinetës, fizarmonikës dhe defi, shoqëruar me interpretimin e këngëve qytetare beratase, por jo vetëm, thyejnë qetësinë e lagjes “Kala” në qytetin e Beratit.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Berat
Printo

Vizitorë duke fokusuar në foto instumentistët në Kala, Foto E.Azizolli

Shtatori regjistron ende fluks vizitorësh në kalanë e Beratit. Çdo ditë qindra vizitorë të huajë dhe vendas i ngjiten lagjes historike për të prekur historinë, arkitekturën, traditën e një qyteti, ku jeta ka nisur hershëm dhe që vijon edhe sot mes gurëve, banesave, objekteve muzeale dhe traditës. Ndonëse, qyteti i njohur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë botërore për arkitekturën e tij të veçantë Otomane mikpret turistë gjatë gjithë vitit, nga marsi në tetor Berati njeh një numër më të madh vizitorësh. Gjatë kësaj periudhe, tre muzikantë amatorë në prag pensioni, presin dhe përcjellin vizitorët e shumtë në lagjen ‘Kala,’ duke ofruar minuta harmonie dhe argëtimi nëpërmjet tingujve të instrumenteve të tyre.

Duke luajtur me vegla muzikore dhe kënduar, tre burrat kanë gjetur këtë mënyrë për të siguruar të ardhura për familjet e tyre. Ata ofrojnë muzikë dhe këngë dhe kjo u shpërblehet me të holla që vizitorët u lënë në një kanistër të vogël, e cila mban mbushur dhe tryezat në familjet e tyre.

“Unë jam me profesion kovaçan i industrisë së rëndë dhe kam punuar për shumë vite në Uzinën Mekanike në Kuçovë, por pasi më hoqën nga puna kam provuar çdo gjë – që nga emigracioni e deri tek defi dhe kënga, që i kisha pasion dhe i kam mësuar për kënaqësi”, tha Agim Hysenaj, 64 vjeç, nga qyteti i Kuçovës.

Hysenaj, nuk mban mend se kur ka mësuar t’i bjerë defit, por sot e quan gjënë më të mirë që ka bërë, pasi po e ndihmon në ditë të vështira.

“Askush nuk më merr në punë për shkak të moshës, emigracionin e lash pasi gruaja mu sëmurë dhe mosha nga ana tjetër bën të vetën,” shpjegoi Hysenaj. “Nuk mund të shkoj më në dasma për të kënduar pasi ka të rinj plotë. Ata kanë dhe instrumente më të mira,” u shfajësua ai.

Hysenaj fillimisht doli vetëm për të kënduar në kalanë e Beratit, më pas iu bashkuan dy shokë të tij muzikantë dhe sot kanë krijuar një trio gazmore. Ai kujton se aventurën e nisi duke kënduar këngën e famshme beratase ‘Mora përpjetë kalanë”, të cilën e shoqëronte me def. Pasi kaloi disa muaj duke ofruar këngë dhe muzikë për vizitorët, Hysenaj ftoi që t’i bashkoheshin dhe dy shokët e tij.

‘E pash që duhej diçka më shumë se aq dhe mendova të krijoj një grup,” kujtoi ai. “Ja propozova këtë dy bashkëqytetarëve të mi dhe ata mu bashkuan me fizarmonikë dhe klarinetë,” shtoi Hysenaj.

Besnik Kanani me fizarmonike dhe Enver Kormuzi dhe klarinetë, sëbashku me maestron e tyre – siç e quajnë ata Agimin, njihen si instrumentistët e kalasë.

“Ata këndojnë dhe u bien veglave muzikore shumë bukur. Tingujt, veçanërisht ato të këngëve qytetare beratase i tërheqin shumë vizitorët që ne shoqërojmë çdo ditë”, tha Iliri, një i ri që punon si guidë turistike në qytet.

Megjithatë, repertori i grupit nuk kufizohet në rajonin e Beratit – i përfshin të gjitha që nga kënga myzeqare, kënga e Shqipërisë së Mesme dhe e Jugut.

Agimi tregon se turistët që vijnë me guida mësojnë dhe fjalët e këngës beratase dhe i ‘pëlqejnë shumë,’ madje ka prej tyre që ulen dhe rrinë e i dëgjojnë deri në fund; ndërsa ata që vijnë individualisht, tërhiqen vetëm nga muzika dhe i gëzohen asaj.

“Ajo që ne ofrojmë është fare modeste, por ne e bëjmë me dëshirë, e kemi pjesë të pasionit tonë të trashëguar që sot na ndihmon të shtojmë dhe ca të ardhura për familjen”, tha klarinetisti Enver Kormuzi.

Tre muzikantët kanë mësuar të gjitha oraret e autobusëve të agjencive, njohin madje dhe vizitorët dhe u dinë shijet sipas kombësive. Ata dinë se kur duhet të interpretojnë vetëm disa nota dhe vargje apo se kur duhet ta çojnë këngën deri në fund.

“Ka grupe vizitorësh që thjeshtë na shohin, na bëjnë foto dhe ikin; por ka dhe vizitorë që rrinë, ulen përballë dhe dëgjojnë deri në fund, duke bërë dhe ovacione, kërcejnë, bëjnë video dhe lënë të holla sipas dëshirës.” tregoi Kormuzi.

Ardhja nga Kuçava në Berat çdo ditë ka një kosto për të tre artistët e rrugës. Edhe pse këto kosto justifikohen nga të ardhurat gjatë stinës së verës – kur numri i vizitorëve në Berat është i lartë, muzikantët e lagjes “Kala’ nuk janë të sigurtë se do të jenë prezent me tingujt e tyre për të ngrohur atmosferën në lagjen muzeale gjatë ditëve të ftohta të dimrit.

“Kemi arritur të marrim deri në 20 euro në ditë, por ka pasur ditë që s’kemi marrë asnjë lekë, ndaj nuk dimë nëse do të dalim dhe gjatë dimrit, ku ka më pak vizitorë,” tha klarinetisti Besnik Kanani, i cili instrumentin muzikor e ka mësuar që fëmijë nga babai.

Duke iu gëzuar kësaj zgjedhje që i ka vënë dhe në pozita për të mësuar më shumë këngë dhe melodi, tre muzikantët synojnë që në të ardhmen të kenë mundësi që të blejë dhe veshje të përshtatshme popullore.

“Ne jemi fokusuar në qindra dhe mijëra foto dhe video, por nuk kemi veshje të përshtatshme dhe kjo s’na prezanton mirë, ndaj duam që të blejë nga një kostum popullor”, tha Agimi, i cili për çdo vendim merr dhe miratimin e kolegëve.