Përfaqësues të Partisë Socialiste, të asaj Demokratike si dhe nga LSI nënshkruan një dokument të martën në të cilin angazhohen të negociojnë një reformë zgjedhore, ndërkohë që PD dhe PS sakaq e kanë bërë të qartë se nuk kanë ndër mend të ndryshojnë sistemin aktual zgjedhor të listave të mbyllura, i cili është kritikuar si anti-demokratik.
Nën përshëndetjet e ngrohta të bashkësisë ndërkombëtare, PD, PS dhe LSI firmosën një dokument në të cilin angazhohen se do të krijojnë një grup pune me katër vetë për të arritur një marrëveshje për një reformë të kodit zgjedhor të vendit.
Marrëveshja për arritjen e marrëveshjes u nënshkrua nga Damian Gjiknuri, deputet socialist, Petrit Vasili nga LSI dhe Oerd Bylykbashi nga PD.
“Palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve objekt i punës të reformës zgjedhore, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR,” shkruhet në dokument.
“Palët angazhohen që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 Mars 2020”, mbyllet dokumenti, i cili u firmos edhe në prani të Rudina Hajdarit, një nga deputetet e pakta të opozitës që mbajti mandatin pasi PD dhe LSI dolën nga kuvendi në janar të vitit të kaluar.
Para arritjes së marrëveshjes së të Martës, PD dhe PS bënë të qartë se në tryezë nuk është duke u diskutuar një ndryshim i sistemit zgjedhor të proporcionalit rajonal me lista të mbyllura, i cili u vendos me marrëveshje mes Edi Ramës dhe Sali Berishës në vitin 2008.
Një numër shqiptarësh kërkojnë të kenë mundësi të zgjedhin deputetin dhe jo vetëm partinë, por Lulzim Basha tha se nuk e kishte me ngut këtë punë dhe po kështu, Taulant Balla nga socialistët bëri të ditur se e konsideronte çështjen e sistemit zgjedhor një debat më të gjerë të shoqërisë.
Marrëveshja u përshëndet me ngrohtësi nga ambasada e SHBA, ambasadoi i BE Luigi Soreca si dhe ambasadorë të tjerë.
“Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore,” deklaroi Ambasada amerikane në Facebook ndërsa Soreca shtoi: “Është një arritje e rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.”