Lajm1 Jun 2021

Tre të arrestuar në Durrës u kapën me 3.4 kg eksploziv

Policia e Durrësit njoftoi arrestimin e 3 personave dhe sekuestrimin e disa kilogramëve eksploziv të llojit TNT (tritol) dhe C4, si edhe granata dore, kapsolla detonatore dhe një pushkë automatike.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Eksplozivi i kapur. Foto:Policia e Durrësit

Policia arrestoi 3 persona të martën pas një aksioni që zbuloi po ashtu disa kilogram eksploziv të llojit tritol dhe C4, si edhe granata dore, kapsolla detonatore dhe një pushkë automatike.

Në një njoftim për shtyp Policia e Durrësit njoftoi se në kuadër të një procedimi penal të nisur një muaj më parë kishte sekuestruar 1.2 kg eksploziv të dyshuar si i llojit C-4 dhe 2.2 kg eksplozive të dyshuar si tritol, si edhe 3 granata dore luftarake.

Tre të ndaluarit ishin siç tha policia banues në Tiranë, ndër ta 42 vjeçari me inciale B. F., i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhje”, 33 vjeçari me iniciale A. Gj., dhe J. F., po 33 vjeç.

“Pas një hetimi njëmujor u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në fushën e trafikimit të armëve, lëndëve eksplozive dhe municioneve, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit”, njoftoi policia për mediat.

Operacioni policor i koduar “Binomi” u realizua në  vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” në Durrës.

Muajt e fundit Policia e Durrësit ka realizuar disa operacione ku janë ndaluar persona që tregtonin lënë eksplozive. Në dhjetor të 2020-ës policia ndaloi një 29 vjeçar i cili kishte në posedim 2 mina të lidhura me aparate celularë për shpërthim në distancë.

Ndërsa më 5 janar dy persona u arrestuan nga Policia e Durrësit pasi u kapën me 18 kilogramë eksploziv që dyshohet se do e shisnin për 12 mijë euro.