Policia e Durrësit njoftoi se kishte arrestuar tre persona të dyshuar për grabitjen në Krujë, dy ndihmës të tyre dhe rojen private që s'kishte njoftuar policinë. Në njoftim thuhet se ishin sekuestruar paratë e vjedhura nga posta.
Policia e Durrësit njoftoi të enjten përmes një konference për mediat ndalimin e tre pjesëtarëve sipas saj pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, identifikuar si autorë të vjedhjes së filialit të Postës Shqiptare Krujë, në fillim të kësaj jave.
Në komunikatën e policisë bëhet me dije se pas operacionit të koduar “Filiali”, ishin arrestuar Gazmir S., 32 vjeç në shtëpinë e të cilit u kapën paratë shuma e të cilave nuk bëhet e ditur, Andi R, 30 vjeç, me pseudonimin “Rrem Paturri” dhe Mark C, 33 vjeç.
“Dyshohet se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, nën kërcënimin e armëve kanë vjedhur kasafortën e filialit të postës. Policia mundi të sekuestrojnë në shtëpinë Sakës lekët e vjedhura në postë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Veç tyre u arrestuan edhe dy persona, me inicialet B. T. dhe A. L, që punonin roje në magazinën ku u gjetën mjetet dhe armët e përdorura për kryerjen e grabitjeve. Mbi të rëndon akuza për moskallëzim krimi. Po ashtu u arrestua një roje private 51 vjeç që nuk kishte denoncuar grabitjen dhe u shpall në kërkim një operator i sallës operative të policisë private 28 vjeç, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën po ashtu duke mos njoftuar Policinë e Shtetit.
Kasaforta e Postës Shqiptare në Krujë u vodh në orën 3 të mëngjesit të datës 4 nëntor, por policia e mësoi ngjarjen disa orë me vonesë. Mosraportimi në kohë i grabitjes sipas policisë erdhi pasi roja private nuk njoftoi për ngjarjen, as në momentin kur patrulla e policisë kishte kaluar pranë filialit dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta. Ai pretendoi se është kërcënuar nga autorët.
3 personat e ndaluar si autorë të grabitjes nga policia lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u konsideruan në njoftimin e policisë si grup i strukturuar kriminal në fushën e vjedhjes së pronës me armë dhe u tha se kishin një sërë precedentësh në trafik narkotikësh, grabitje dhe armëmbajtje pa leje dhe dëmtimi të pronës me eksplozivë.
Ndërkohë sipas policisë pas kontrolleve në disa banesa në Krujë dhe në Sanxhak, Laç, policia gjeti dy automjete luksoze të vjedhura më herët, një të markës “Range Rover” dhe një “Merecedes Benz E-class”, të përdorur nga autorët për realizimin e grabitjes. Grupi dyshohet edhe për vjedhjen e një “Range Rover”-i të dytë në Gjirin e Lalzit.
Grupi sipas policisë dyshohet se është autor i një sërë grabitjesh me dhunë dhe me armë në Kavajë, Durrës, Vorë, Kamzë, Laç e Mirditë. Përveç vjedhjeve sipas policisë ata janë marrë me shkatërrim të pronës me eksploziv, krime ndaj personit dhe trafik lëndësh narkotike.
Policia mundi të sekuestrojë një arsenal armësh, ndër to, tre armë zjarri me tre silenciatorë, municion luftarak, një minë me telekomandë me celular, disa targa automjetesh të vjedhura dhe sende të tjera.