Gjykata e Krujës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për pezullimin nga detyra të administratorit të Ujësjellësit të Krujës, Ledio Çela si dhe dy zyrtarëve të tjerë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre me pasojë helmimin e qindra qytetarëve në Krujë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë njoftoi të mërkurën fillimin e hetimit për “shpërdorim detyre” për tre zyrtarë që dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar ndotjen e ujit të pijshëm në Krujë, që solli si pasojë helmimin e qindra personave më 25 tetor.
Sipas njoftimit të prokurorisë, në kuadër të procedimit penal të regjstruar dy ditë pas konstatimit të helmimit të qytetarëve, ka filluar hetimi për administratorin e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalzimeve Krujë, Ledio Çela; drejtuesit teknik të kësaj ndërmarrjeje, Andi Kupa dhe Ervin Karafilit, shef i Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Higjienës në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë.
“Të tre këta persona dyshohen të jenë përgjegjës për kryerjen e veprës penale ‘shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga Neni 248 i Kodit penal, mbasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar ndotjen e ujit të pijshëm në qytetin e Krujës me pasojë dëmtimin e shëndetit të qytetarëve të këtij qyteti,” deklaroi Prokuroria e Krujës.
Ndërkohë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me kërkesë të prokurorisë ka vendosur të mërkurën masën ndaluese “pezullimi i ushtrimit të detyrës së shërbimit publik”. Në njoftim sqarohet se policia gjyqësore ka kryer ekzekutimin e vendimeve për masat ndaluese.
Prokuroria e Krujës shprehet se hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e ndotjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përgjegjës për këtë ngjarje.
Dhjetëra qytetarë u regjistruan me shenja të helmimit në spitalin e Krujës në datat 25 dhe 26 tetor për shkak të konsumimit të ujit të ndotur, ndërsa autoritetet ndëprenë furnizimin deri në mbërritjen e përgjigjeve të analizave.
Helmime të ngjashme masive me të dyshuar ujin ka pasur edhe më herët në vend. Dy vjet më parë mbi 80 banorë të Bulqizës, përfshi fëmijë, u paraqitën në spital me shenja helmimi, por autoritetet nuk e gjetën shkakun.