Reportazh5 Sep 2014

Tregjet e stilit të vjetër lulëzojnë në fshatrat malorë të Shqipërisë

Në fshatrat e thellë pranë Elbasanit ‘blerjet’ nuk bëhen në dyqanet e zonës por në ditën e zakonshme të pazarit – ku fshatarët shesin bagëtitë dhe lëvrojnë zejet e lashta, njësoj si në kohët e vjetra.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Gjinar
Printo

Gjinar, treg, fshat

Pamje nga tregu i fshatit Gjinar të Elbasanit | Foto nga : Gjergj Erebara

Në orën gjashtë të mëngjesit një të enjte këtë verë, kasapi në në fshatin Gjinar përdori një vare për të goditur lopën në ballë, i preu fytin dhe la gjakun të derdhet nga trupi i kafshës së vdekur.

Pastaj e vari lopën me kokë poshtë me një çengel dhe vijoi ta rrjepë. Dy orë më vonë, vetëm dy kofshët e pasme patën mbetur. Pjesa tjetër e mishit qe shitur.

Pak metra më tutje, një familje tregtarësh parkoi furgonin e tyre të vjetër në qendër të fshatit, zbriti disa zgara hekuri dhe me to ndërtoi tezga për të vendosur në shitje rrobat e përdorura.

Gjinari gjendet përgjatë shpatit të një mali në zonën e Shpatit, pjesë e rajonit të Elbasanit në Shqipërinë qendrore.

Në shekullin e 15-të Shpati u bë qendër e rezistencës kundër ushtrive pushtuese Osmane.

Një zonë e vështirë për t’u arritur, edhe luftëtarët partizanë e përdorën atë si bazë ilegale gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të luftuar pushtuesit italianë dhe më pas ata gjermanë.

Në të zbardhur të ditës së enjte, banorët vendas nga Gjinari dhe fshatrat përreth mblidhen në qendër të fshatit për të tregtuar mallra, për të shitur prodhime bujqësore e bagëti, për të blerë vegla pune, si dhe për t’u takuar me njëri-tjetrin.

Si në shumë zona të tjera rurale të Shqipërisë dhe Ballkanit, tradita e ditës së pazarit vijon të jetojë edhe këtu, pavarësisht presionit që vjen nga supermarketet dhe rrjetet e shpërndarjes së mallrave të ekonomisë botërore.

Sipas Armanda Hysës, antropologe në College University të Londrës, tradita e zhvillimit të një dite tregu një herë në javë vijon të lulëzojë në Shqipëri, Kosovë, Serbinë e Jugut dhe në Bosnjë e Herzegovinë.

“Disa studiues sugjerojnë se java me shtatë ditë e ka originën në organizimin e tregut, një herë në shtatë ditë, në shumë kultura,” thotë Hysa.

“Në kultura të tjera java është tre ditë e gjatë për të njëjtën arsye,” shton ajo.

Tradita e tregut pothuajse u shua në Shqipëri gjatë regjimit komunist nga viti 1945 deri më 1990, kur tregtia u bë monopol shtetëror dhe prona private u nxor jashtë ligjit.

Gjithsesi, kjo traditë u rikthye në fillim të viteve ’90, pas rënies së regjimit dhe liberalizimit të tregtisë.

Në zonën e Elbasanit, me terrenin e thyer malor dhe fshatra të varfra dhe të largëta me pak burime ekonomike, çdo fshat ka ditën e tij të tregut. Tregtarët vendas i recitojnë ditët përmendësh.

Një kovaç shet prodhimet e tij në tregun e Gjinarit | Foto nga : Gjerjg Erebara

Një kovaç shet prodhimet e tij në tregun e Gjinarit | Foto nga : Gjerjg Erebara

“Në Qafën e Shmilit pazari bëhet të premten, në Belsh bëhet treg i madh të shtunën, ndërsa në Qukës është të enjten,” thotë Ardian Peqini, një tregtar nga Elbasani, i cili krenohet se me motorrin e tij të vogël ka bërë tregti në të gjithë fshatrat.

“Një herë në Mokër bleva një rrotë të vjetër karroce për 100 lek, e mbajta në shtëpi për disa vite dhe e shita për 1,500 lek,” thotë ai me krenari. “Tregti e mirë,” shton Adriani duke buzëqeshur.

Në Gjinar, mallrat në shitje në ditën e tregut janë të shumta. Fshatarët shesin ato pak gjëra që prodhojnë në parcelat e tyre të vogla – gjalpë, gica, derra, qengja e dele.

Hekurpunuesit shesin biçakë, vegla pune, qafore qensh, patkonj, apo zile për bagëtinë.

Një çift të moshuarish kishte vetëm dy thasë me misër për të shitur atë ditë.

“Është misër i mirë që mund të përdoret për [të ushqyer] lopën, për farë apo për ta bërë miell buke,” thotë gruaja.

“E kam nxjerrë nga kallini kokërr më kokërr me këto duar”, thotë ajo duke mbajtur një grusht në pëllëmbë të dorës.

Në shumë vende, veglat e punës prodhohen me çelik të cilësisë së lartë të derdhura me makineri të kontrolluara nga kompjuterët. Këtu në Gjinar, hekurpunuesit vijojnë t’i prodhojnë ato sipas metodave tradicionale me dorë.

“Unë i prodhoj këto vegla në shtëpi dhe i shes dy herë në javë, në Gjinar të enjten dhe në Belsh të shtunën,” thotë Ramadan Sadiku, një hekurpunues nga fshati Valsh.

Por si shenjë e botës që po ndryshon, në tezgën e Ramazanit, krahas patkonjve dukshëm të prodhuar me hekur të rrahur gjendet një çark fringo i ri i lyer me të zezë dhe me gërma kineze sipër. “Po kjo?” e pyes. “Atë e bleva në treg,” thotë ai. “Shumë e lirë për t’u bërë me dorë”.

Për rrobat gjërat kanë ndryshuar. Veshjet tradicionale janë zhdukur prej kohësh dhe disa familje tregtarësh shkojnë fshat pas fshati në ditët përkatëse të tregut për të shitur rroba të përdorura.

Një familje tregtarësh shëtitës u ankua se biznesi po ecte keq.

“Këto kohë kemi vajtur gjithkund për të shitur. Deri në Klos dhe Peshkopi duke fjetur rrugëve, por para nuk kemi parë,” thotë tregtarja pa emër.

Pamje nga dita e tregut në fshatin Gjinar të Elbasanit | Foto nga : Gjergj Erebara

Pamje nga dita e tregut në fshatin Gjinar të Elbasanit | Foto nga : Gjergj Erebara

Gjithsesi, Pëllumb Oga, një agronom që së fundmi ka humbur punën dhe iu rikthye punimit të drurit, profesionit të paraardhësve të tij, thotë se biznesi nuk po i ecën keq.

“Fuçitë e mija me dru lisi jetojnë për dyqind apo treqind vjet,” thotë ai, “ndryshe nga fuçitë industriale të cilat deformohen dhe hidhen pas dy-tri vitesh përdorimi”, vazhdon.

Fjalët e Ogës pothuajse u mbytën nga një grindje me zë të lartë mes një tregtari dhe një fshatari, të cilët kishin mosmarrëveshje për çmimin e kalastrenëve, gjelave të fushës.

Në një nga restorantet e Gjinarit, ai kalastren shërbehet i shoqëruar me pilaf të ngopur me gjalpë.

Rreth orës 10, dita e tregut iu afrua fundit. Fshatarët u mblodhën në kafene për të diskutuar ecurinë e ditës para se të ktheheshin në punët e tyre në fushë.

Ndërsa fshatarët u larguan, tregtarët mblodhën mallin, çmontuan tendat, i ngarkuan të gjitha në furgonë dhe u përgatitën për t’u nisur te fshati i radhës, ku dita e tregut është të premten.