Lajm21 Nov 2020

Trembëdhjetë të vdekur nga COVID-19

E shtuna shënoi ditën me numrin e dytë më të lartë të viktimave të pandemisë SARS-CoV-2 ndërsa numri i testimeve dhe i rasteve të reja të identifikuara shënoi ulje të lehtë në krahasim me të premten.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një autoambulancë duke hyrë në Spitalin Shefqet Ndroqi në Tiranë, i cili shërben aktualisht si spital i specializuar për pacientët me koronavirus. Foto: LSA

Pandemia e koronavirusit të ri shkaktoi 13 viktima ditën e shtunë, duke shënuar në këtë mënyrë ditën e dytë më të keqe që nga fillimi i pandemisë. Përgjatë javës së fundit, dhjetë shqiptarë kanë humbur jetën nga COVID-19 në të tri spitalet e caktuara për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë kryer 2470 testime dhe janë identifikuar 737 raste të reja. Numri i testimeve dhe i rasteve të reja është më i ulët se sa të premten, kur u kryen 2677 testime dhe u identifikuan 836 raste. Numri i testimeve të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë përfshin ato të kryera në laboratorët publikë dhe ato privatë. Ministria e Shëndetësisë nuk i raporton të ndara se sa janë testimet në sektorin publik dhe sa janë ato në sektorin privat.

Që nga fillimi i pandemisë, së paku 685 shqiptarë kanë humbur jetën nga virisi SARS-CoV-2.