Lajm21 Sep 2020

Trump shprehet se “po i jep fund vrasjeve masive”, ndërsa Grenell viziton Serbinë e Kosovën

I dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Serbi-Kosovë këtë javë do të vizitojë të dy vendet, pasi Donald Trump pretendoi se ai meriton një Çmim Nobel për Paqen për "se ndaloi vrasjet masive midis Kosovës dhe Serbisë".

Autor: Xhorxhina Bami, Milica Stojanovic BIRN Prishtinë, Beograd
Printo

Nnëshkrimi i marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë nga Kryeministri Avdullah Hoti dhe Presidenti Aleksander Vuçiç

Richard Grenell, i Dërguari Special i presidentit Donald Trump për Negociatat e Paqes midis Serbisë dhe Kosovës, do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin këtë javë pas komenteve të bëra nga presidenti amerikan në një tubim elektoral që habiti Ballkanin sepse dukej se sugjeronin se dhuna në rajon ishte ende e përhapur.

Në fjalimin që Trump mbajti të dielën ne Karolinën e Veriut, ai pretendoi se dokumentet e nënshkruara nga lideri i Serbisë dhe ai Kosovës në Shtëpinë e Bardhë më herët këtë muaj përfaqësonin një “progres historik” midis dy vendeve nën kujdesin e tij dhe se ato do të ndalonin “vrasjet masive”, gjë për të cilën ai meriton të marrë një çmim Nobel.

“Jam i sigurt që hapi i radhës tani është një Çmim Nobel për Paqen. Ne po ndalim vrasjet masive midis Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë vite që vrasin njëri-tjetrin. Ata nuk do të vrasin më”, u tha Trump mbështetësve të tij në tubim.

“Unë thashë; ‘Djema, le të bashkohemi!’ Ju e dini, ata kanë qindra vjet që e bëjnë këtë gjë nën emra të ndryshëm”, tha ai.

I dërguari i Trump, Richard Grenell, tha në Tëitter të dielën se “zbatimi i marrëveshjes së bërë nga Kosova dhe Serbia është një përparësi kryesore për administratën Trump”.

Marrëveshjet që u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë, të cilat kryesisht përqendrohen në çështjet ekonomike, u nënshkruan midis Serbisë dhe SHBA-së dhe midis Kosovës dhe SHBA-së, jo midis dy vendeve.

Grenell tha më pas se marrëveshjet u dhanë të dy vendeve mundësinë për “të lënë pas krahëve” përmes “normalizimit ekonomik” dy dekada armiqësie që nga përfundimi i luftës në Kosovë në qershor 1999.

Ai i përshkroi mosmarrëveshjet midis dy vendeve kryesisht si një luftë rreth “simbolikës dhe mbiemrave, foljeve dhe emrave”, duke përmendur shembullin e liqenit të Ujmanit, pronësia e të cilit pretendohet nga të dy vendet, duke thënë se “të dy palët luftojnë për mënyrën se si do ta quajmë liqenin”.

Grenell do të shoqërohet në vizitën e tij në Prishtinë dhe Beograd nga një delegacion nga Korporata Ndërkombëtare e Financave e Zhvillimit në SHBA. Ata do të vizitojnë gjithashtu edhe Greqinë dhe Izraelin.

“Udhëtimi i delegacionit vjen pas Marrëveshjeve historike Abraham midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit dhe marrëveshjes së normalizimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës”, tha Korporata e Financave dhe Zhvillimit në një deklaratë.

Sipas marrëveshjes që Serbia nënshkroi me SHBA-në, Korporata e Financave dhe Zhvillimit do të hapë një zyrë në Beograd.

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia gjithashtu kanë vazhduar takimet e tyre të ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel që synojnë normalizimin e marrëdhënieve, por pa ndonjë rezultat të qartë.

Në bisedimet e nivelit të ekspertëve në Bruksel më 18 shtator, përfaqësuesit e Prishtinës shmangën diskutimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të dakorduar shumë kohë më parë, e cila ka për qëllim të përfaqësojë interesat e serbëve të Kosovës, pavarësisht se përfaqësuesit e Beogradit këmbëngulin se kjo çështje duhet të jetë një përparësi.

Ndërkohë, Kosova është e ndarë përsa i takon strategjisë dhe qëllimeve të procesit të dialogut me Serbinë.